E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dieta për shëndetin nga Ibrahim Kodra

 

“Arti të ndihmon të mbetesh i ri? Duket se po, nëse gjykojmë nga shembulli që jep Ibrahim Kodra, artisti shqiptar, i cili njihet si më i madhi postkubist i gjallë. Kodra, ish-kampion i Shqipërisë në hedhjen e diskut, çekiçit e dhjetëgarëshit, rripi i zi në karate, është 74 vjeç dhe është një shembull i vërtetë i formës së mirë fizike. Artisti që jeton prej shumë vitesh në Milano ka zhvilluar një mënyrë personale të së qasurit me artin e “të jetuarit të shëndetshëm”, për të cilën flitet në këtë intervistë”. Kjo është hyrja që gazetari italian i bën një interviste të Ibrahim Kodrës, dhënë në 23 mars të vitit 1992 për një nga gazetat më të mëdha të shtetit fqinj “Corriere della sera”, në suplementin e saj javor mbi shëndetin. Gazetari numëron një pas një arritjet e Kodrës si sportist, duke na shpallur një tjetër dimension të tij. Por jo vetëm kaq. Në intervistën e dhënë për “Corriere della sera”, piktori shqiptar na shfaqet edhe si një mjek popullor, por edhe një filozof, që di të kombinojë fare mirë gjendjen e mirë fizike me atë shpirtërore. Si një sportist i mirë, por edhe si një i moshuar tashmë, në një formë shumë të mirë fizike, Kodra, nuk heziton të japë këshilla për shëndetin. Për të, të merresh me art, por mbi të gjitha të bësh mirë, janë kurat më të shëndetshme për shëndetin dhe shpirtin, por ai nuk lë mënjanë as këshillat praktike, që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me të ushqyerit, apo gjimnastikën. Por edhe ca “sekrete” të vogla e “formula” që vijnë që nga koha e Omar Khajamit. 
Në çfarë mënyre arti mund të na ndihmojë të jetojmë të shëndetshëm?
Arti është liri, sepse arrin të përfshijë natyrën dhe bukurinë, që janë armiqtë e sëmundjeve, të jep gëzimin e të jetuarit dhe kënaqësinë shpirtërore që mënjanohen nga ankthi dhe zemërimet e së përditshmes. Të bësh art në të gjitha fushat, do të thotë të mbetesh i ri.
Ekzistojnë rregulla të thjeshta për të mbajtur një shëndet të mirë?
Njeriu ka tre armiq të mëdhenj: duhanin, grykësinë dhe të ndenjurit. Duhani atrofizon arteriet dhe varfëron mendimin tonë. Duhet ngrënë e duhet pirë në mënyrë të kontrolluar dhe vetëm kur kemi uri, apo etje dhe në bazë të nevojave tona, duhet të ushtrojmë përditë një aktivitet modest fizik për t’u mbajtur në formë. Por mbi të gjitha, një herë në javë të mbajë kreshmë, duke pirë vetëm lëngje. Në mëngjes është e nevojshme të ushtrohemi për 20 minuta në gjimnastikë, me përkulje, ushtrime frymëmarrjeje, rrotullime të qafës, masazhe veshëve, rrotullime të kokërdhokëve të syrit. Pastaj të hamë një copë hudhër dhe një gotë ujë të freskët, për të dezintoksikuar organizmin dhe për të aktivizuar tretjen.
Si duhet të ushqehemi për të qenë në formë?
Duhet të ushqehemi në mënyrë të thjeshtë e të lehtë dhe është e nevojshme që t’i bindemi kësaj rregulle. Natyra na furnizon në mënyrë spontane në çdo sezon me atë çka kemi nevojë. Kështu që është e nevojshme të hamë vazhdimisht fruta e perime të stinës, jo ushqime të konservuara, peshk të freskët, vaj ulliri, verë të pastër dhe të re dhe ujë “prana”. Jua shpjegoj menjëherë se çfarë është uji “prana”. Duhet të pimë ujë që del nga shkëmbinjtë, pasi duke pasur më shumë forcë, prodhon energji jetësore, por duke jetuar në qytet, mundet ta krijojmë vetë. Merren dy gota, një me ujë rubineti dhe tjetra bosh, e derdhim ujin nga njëra gotë në tjetrën, nga 20 cm për 10 herë, deri sa të krijohen bulëza. Ky është uji “prana”, të cilin e transformojmë, duke e kthyer në një aktivizues të trupit tonë. Gjithashtu “prana” do të thotë forcë.
Na sugjeroni ndonjë ilaç për dhimbjet e vogla.
Nëse kemi dhimbje koke, duhet të shihemi në pasqyrë, për të parë nëse fytyra jonë është skuqur. Kjo do të thotë se ka fluks gjaku në tru, kështu që vendosim këmbët në ujë të ngrohtë për rreth 15 minuta, për të zvogëluar presionin e gjakut, duke i kthyer ekuilibrin organizmit tonë. Nëse fytyra është e zbehtë, duhet të vendosim këmbët në ujë të ftohtë, për të shtyrë qarkullimin e gjakut lartë, për të furnizuar trurin. Në qoftë se vuajmë nga shtrëngime të vazhdueshme në bark, mjafton që gjatë mbrëmjes të pimë esëll, një litër ujë të vakët, që do veprojë si qetësues për barkun. Në përgjithësi bari shërues për të qenë në harmoni me jetën është inteligjenca krijuese, që di t’u japë të tjerëve me përulësi, pa ambicie të shfrenuara dhe karrierizëm që prodhon stres dhe sëmundje të vërteta. Të bësh mirë është gjimnastika më e rëndësishme për të pasur një shëndet të mirë.
Në përfundim, një recetë për “shëndetin e artistit”..
Ju rekomandoj një recetë të poetit persian Omar Khajam, energjike dhe afrozidiake, aq sa përdorej nga sulltanët që kishin hareme. Këshillohet të përdoret në çdo ndërrim stinësh për dhjetë ditë me radhë. Përbërja është e thjeshtë: kos, një thelpi hudhër të shtypur, një lugë vaj, gjysmë limoni të shtrydhur, një kastravec dhe 2 apo 3 petale trëndafili për t’i dhënë aromë dhe ngjyrë. 

Kodra, “mister muskulori”
Ai ka një vështrim të hedhur diku larg. Nuk e heq kasketën nga koka dhe ka marrë pozicionin e një atleti, si në kohërat e Greqisë së Lashtë. Ishte viti 1970, kur piktori shqiptar u shpall si “mister muskulori”. Ishte një konkurs mbi formën fizike, ku Ibrahim Kodra, atëherë 52 vjeç mori pjesë, duke fituar edhe trofeun. Konkursi u zhvillua në Albisola, një qytet turistik, i famshëm për artin, afër Savonës. Me këtë rast, Kodra nuk mund t’i shpëtonte aparateve fotografikë, të cilët fiksonin pamjen e piktorit, i cili nuk ishte i famshëm vetëm për pikturat e tij në frymën e Pikasos, por edhe për formën e shkëlqyer fizike. Plot 38 vjet qysh atëherë, na vjen një fotografi e Kodrës, duke pozuar përpara pikturave të tij.

Pelegrinazh në muze
Pjesën më të madhe të jetës së tij, piktori Ibrahim Kodra e kaloi në Milano. Atje krijoi pikturat e tij të famshme me njerëzit robotikë, që e bën të famshëm dhe e cilësuan si postkubistin e fundit. Tanimë shtëpia e tij në Milano është kthyer në një shtëpi muze, sipas amanetit të tij të lënë në testament. Shtëpia Muze “Ibrahim Kodra” është kthyer tanimë si në një vend pelegrinazhi, ku adhuruesit e pikturës së tij, shkojnë atje për të kërkuar gjurmët e piktorit. Për të parë ambientin ku ai jetoi e krijoi, por edhe për të parë punët e përfunduara e skicat e lëna përgjysmë. Në 7 dhjetor të vitit që lamë pas, vizitor i shtëpisë së Ibrahim Kodrës, u bë edhe Presidenti i Republikës së
Shqipërisë, Bamir Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›