‘OKB’ dënon Izraelin, 900 viktima nga sulmet
Izraeli i ka shtuar sulmet e tij në Gaza duke e çuar numrin e viktimave palestineze në mbi 900 dhe duke u deklaruar pranë fitores. Ndërsa sulmet vazhdojnë nga toka dhe nga ajri, organizatat e të drejtave të njeriut në OKB kanë dënuar veprimet e Izraelit në Gaza. Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB në një takim të jashtëzakonshëm në Gjenevë, ka miratuar një rezolutë që “dënon me forcë” ofensivën ushtarake izraelite në Gaza. Teksti i rezolutës kërkon dërgimin e një misioni ndërkombëtar të pavarur për të hetuar të drejtat e njeriut. Teksti është aprovuar nga organizata me 47 vende anëtare. Pro tij kanë votuar 33 vende, 13 kanë abstenuar dhe një kundër, Kanadaja. Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, ka kërkuar falje për viktimat civile palestineze të konfliktit. Në një takim me studentët e një shkolle franceze në Izrael, Olmert tha se “Izraeli nuk i ka deklaruar luftë banorëve në Gaza”, duke pranuar se nga sulmet e tyre kanë humbur jetën shumë civilë të pafajshëm. Nga Kajro ndërkohë kanë mbërritur lajme se takimin me delegacionin e Hamasit ishte pozitiv, sepse ata kanë rënë dakord mbi domosdoshmërinë e ndalimit të menjëhershëm të derdhjes së gjakut palestinez. Ndërkohë, Belgjika ka nisur evakuimin e fëmijëve palestinezë nga zona e nxehtë. Nga ana tjetër në Izrael, po sulmohen edhe gazetarët e vendeve që kanë qëndrim kundër ofensivës në Gaza. Dy gazetarë iranianë, Mohammed Sarhan dhe Khader Sahin, janë akuzuar për publikimin e fillimit të ofensivës tokësore të Izraelit në Rripin e Gazës më 3 janar, para se censura ushtarake e kishte lejuar informatën për publikim. Të gjithë gazetarët në Izrael duhet të nënshkruajnë në marrëveshje për t’iu nënshtruar rregullave për censurë izraelite, për ta marrë akreditimin e qeverisë. Ndërsa në Evropë kanë vazhduar ndërkohë protestat kundër Izraelit, madje në disa raste ato janë kthyer në trazira. Gjatë demonstrimeve kundër ofensivës së Izraelit në Rripin e Gazës, në kryeqytetin belg morën pjesë rreth 80 000 vetë. Por pas demonstrimit të rinj pjesëmarrës u shpërndanë nëpër rrugë, duke shkatërruar dyqane dhe makina. Në Madrid qindra njerëz goditën me gurë ambasadën izraelite. Forcat e sigurisë i larguan sulmuesit, të cilët ishin mbledhur përpara ambasadës izraelite pas demonstrimit, ku morën pjesë rreth 10 000 vetë. Ndërsa në Gjermani, në Mynih në një miting për të cilin kishte bërë thirrje Këshilli Qendror i hebrenjve në Gjermani, morën pjesë 1 500 vetë që akuzuan Hamasin radikal islamik se është përgjegjës për shkallëzimin e dhunës në Rripin e Gazës.