E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza e 2009-ës, katër mijë persona në nevojë i kanë zgjatur dorën qendrave për shërbime sociale

Jonida Tashi

Plot katër mijë persona në nevojë i kanë zgjatur dorën institucioneve sociale gjatë vitit që sapo lamë pas, për të përfituar shërbime sociale prej tyre. Shifra bëhet e ditur nga burime zyrtare të Shërbimit Social Shtetëror në vendin tonë, të cilat kanë publikuar dje, numrin e përfituesve të shërbimeve sociale sipas kategorive. Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço, ka pohuar se gjatë vitit 2009, në rrjetin e institucioneve të përkujdesit shoqëror (IPSH) publike dhe jo–publike (private) janë trajtuar rreth 4000 persona në nevojë, fëmijë jetim, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara.
Fëmijët
Bazuar në shifrat e Shërbimit Social, gjysma e përfituesve të shërbimeve sociale gjatë vitit të kaluar kanë qenë fëmijë jetimë. Shifrat e publikuara dje nga drejtori i Shërbimit Social, evidentojnë se 302 fëmijë janë trajtuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror rezidencial dhe ditor, si dhe 1916 fëmijë kanë marrë shërbime në institucione private. Sipas drejtorit të Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH), objektivi kryesor për mirërritjen e fëmijëve është realizuar nga të gjithë institucionet e përkujdesit shoqëror, pasi dosjet e fëmijëve plotësohen vazhdimisht me të dhënat e zhvillimit fiziko–psiko-social. “Gjithashtu, është patur parasysh përmirësimi i kujdesit shëndetësor dhe parandalimi i sëmundjeve epidemiologjike. Për të patur fëmijë sa më të shëndetshëm i është kushtuar rëndësi trajtimit ushqimor në sasi e cilësi, si dhe higjienës së përgjithshme”,- ka pohuar Naço. Aktivitetet social kulturore, si pjesë përbërëse e procesit të edukimit të fëmijëve, është shërbim i veçantë, pasi nëpërmjet tyre synohet lidhja dhe integrimi i fëmijëve me komunitetin si pjesë e pandashme e tij. Për këtë, në institucionet shkollore për fëmijët janë organizuar kurse të ndryshme kualifikimi, nëpërmjet të cilëve fëmijët përgatiten me elementë të profesioneve të ndryshme, duke i edukuar kështu dhe ndjenjën e punës.
Të moshuarit
Ndjenjën e kundërt të fëmijëve të braktisur nga prindërit, e kanë përjetuar mbi 600 të moshuar të vetmuar, të cilët i kanë shtyrë ditët e vitit 2009 në azile. Nga shifrat e Shërbimit Social bëhet e ditur se 493 të moshuar janë trajtuar në institucionet shtetërore të përkujdesit për të moshuar, ndërkohë që 112 të tjerë kanë marrë shërbime në rrjetin e institucioneve të përkujdesit shoqëror privat dhe 1005 klientë të moshuar kanë përfituar nga shërbimi alternativ në tetë qendra komunitare. Shërbimet e ofruara në këto qendra janë aktivitete social–kulturore. Sipas drejtorit Mihal Naço, në këto institucione, përparësi i është dhënë procesit të implementimit të paketës së standardeve dhe përmirësimit të infrastrukturës së shërbimeve të ofruara për moshën e tretë. Pas të moshuarve, një tjetër kategori në nevojë që i është drejtuar qendrave sociale kanë qenë edhe personat me aftësi të kufizuara. Sipas Shërbimit Social, 403 persona me aftësi të kufizuara janë trajtuar në subjekte publike që ofrojnë shërbime rezidenciale dhe ditore për ta, si dhe 486 të tjerë janë trajtuar në institucionet private dhe qendra komunitare të përkujdesit për këtë kategori. Objektivi kryesor i punës në qendrat e zhvillimit, sipas Naços, ka qenë rehabilitimi, përfshirja dhe pavarësia e përfituesve në komunitet. Më tej, Naço ka pohuar se në zbatim të objektivave të Strategjisë së Shërbimeve Sociale dhe Strategjisë Kombëtare të Personave me aftësi të kufizuar janë marrë masa në drejtim të rritjes së cilësisë së shërbimit kundrejt zbatimit të standardeve për personat me aftësi të kufizuara, nxitjen e bashkëpunimit me pushtetin vendor dhe largimin e përfituesve që kanë 5-10 vjet në këto institucione, të cilët nuk marrin zhvillim.

Kategoritë përfituesve në shifra
4 mijë persona në nevojë kanë përfituar shërbime sociale gjatë vitit 2009
302 fëmijë janë trajtuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror rezidencial dhe ditor
1916 fëmijë kanë marrë shërbime në institucione private
493 të moshuar janë trajtuar në institucionet shtetërore të përkujdesit për të moshuar
112 të tjerë kanë marrë shërbime në rrjetin e institucioneve të përkujdesit shoqëror privat
1005 klientë të moshuar kanë përfituar nga shërbimi alternativ në tetë qendra komunitare
403 persona me aftësi të kufizuara janë trajtuar në subjekte publike që ofrojnë shërbime rezidenciale dhe ditore
486 të tjerë janë trajtuar në institucionet private dhe qendra komunitare të përkujdesit për këtë kategori

Ulja e temperaturave, fluks fëmijësh në pediatri nga virozat e stinës

Ulja e temperaturave ka bërë që ditët e fundit të vihet re një fluks fëmijësh në pediatri nga virozat e stinës. Janë pikërisht ditët e ftohta të kësaj stine që shtojnë rastet me virozat e stinës. Shkak për shfaqjen e këtyre problemeve janë disa viruse që qarkullojnë në ajër, të cilat në kushte të përshtatshme, shumohen dhe bëhen patogjenë për organizmin. Sigurisht më të ndjeshëm ndaj këtyre viruseve janë fëmijët. Kjo është edhe një arsyet që pediatria në spitalin e fëmijëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka qenë e “pushtuar” nga prindër me fëmijë në krah që prisnin radhën për të vizituar vogëlushët e tyre. Për t’u ardhur në ndihmë prindërve, mjekët bëjnë të ditur se shenjat e gripit janë: temperatura e lartë dhe e menjëhershme e shoqëruar me ethe, dhimbje koke që përhapen në shpinë dhe gjymtyrë, kollë e thatë, që më vonë mund të bëhet me sekrecione si edhe kollë. Fëmijët ankohen për dhimbje dhe djegie të fytit e gjoksit, por nuk mungojnë as të vjellat dhe diarreja sidomos te fëmijët. Komplikacioni më i rëndë është pneumonia. Në këto raste sipas mjekëve dieta duhet të jetë e lehtë e lëngshme dhe e ngrohtë. Ditët që i sëmuri ka temperaturë të lartë, duhet të bëjë pushim shtrati, ndërsa kur temperatura ulet mund të bëjë aktivitete të lehta fizike brenda shtëpisë.

20 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›