E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmohet mjediset e Top Channel, kërkohet gjetja dhe ndëshkimi i autorëve

TIRANË - Sulmohen dhe dëmtohen mjediset e Top Channel tek ish-Ekspozita “Shqipëria sot”. Sipas burimeve të këtij televizioni, disa persona kanë shkatërruar me dashje mjediset e brendshme dhe kanë kërcënuar stafin e gazetarëve dhe teknikëve.
Në vendin e ngjarjes, menjëherë pas këtij akti vandal, ka mbërritur policia e rendit dhe ajo bashkiake dhe përfaqësues të Prokurorisë së Tiranës, të cilët kanë filluar hetimet. Pas verifikimeve policore brenda studiove të Top Channel si edhe matjeve të dëmtimeve të shkaktuara, dosja i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Tiranë.
Oficerët e policisë kanë marrë në pyetje edhe dëshmitarë që gjendeshin ne vendin e ngjarjes kur ndodhi edhe akti i dhunës. Cenimi i mjediseve të Top Channel tek ish-Ekspozita “Shqipëria sot” ka nisur disa ditë më parë. Top Channel i është drejtuar që atëherë organeve përkatëse, policisë dhe Prokurorisë së Tiranës për të marrë masat e menjëhershme, ndalimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të kësaj ngjarjeje. Drejtuesit e këtij stacioni televiziv pohojnë se gjatë ushtrimit të akteve të dhunshme është vënë në rrezik edhe jeta e punonjësve të “Top Channel”.
Kjo media i është drejtuar me një padi penale për shkatërrimin e mjediseve të saj me dashe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si edhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Në padi, Top Channel ka kërkuar gjetjen dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave, të cilët shkaktuan dëme të konsiderueshme si edhe vunë në rrezik jetën e punonjësve që ishin brenda studiove të këtij televizioni. Po ashtu, drejtuesit e Top Channelit i janë drejtuar me një kërkesë edhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, duke kërkuar ndërhyrjen e saj për sa kohë ka një kontratë të rregullt me të dhe plotëson në mënyrë shumë të rregullt detyrimet ndaj saj. Burime nga kjo media bëjnë të ditur se në Gjykatën e Rrethit Tiranë po zhvillohet edhe një proces gjyqësor për çështjen e ambienteve tek ish-Ekspozita “Shqipëria sot”.

20 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›