Ther me thikë të shoqen, dorëzohet në polici Shkëlqim Koni
ITALI – Tronditet Italia nga vrasja brenda familjes. Një grua shqiptare ka mbetur e vdekur, pasi i shoqi e ka therur me thikë. Bëhet fjalë për Rudina Konin, e cila ka gjetur vdekjen nga bashkëshorti i saj, Shkëlqim Koni. Sipas njoftimeve të para të policisë mësohet se ngjarja ka ndodhur për shkak se burri kishte qenë prej kohësh i frikësuar për humbjen e dy fëmijëve dhe gruas së tij, për shkak të punës që do të bëhej gjithnjë e më e vështirë, por pa saktësuar asnjë detaj lidhur me shkakun e saktë të vrasjes. Një tjetër pistë e përfolur është dhe ajo e xhelozisë.
Ngjarja
Një grua shqiptare gjeti vdekjen kurse autori i dyshuar, i shoqi, u dorëzua pranë autoriteteve policore duke pohuar krimin. Policia konfirmoi se dje, në orën 4 të mëngjesit, është arrestuar për krimin e vrasjes së gruas së tij në Teramo, Shkëlqim Koni, shqiptar, 45 vjeç, i cili kohët e fundit kishte bërë dhe një kërkesë për të marrë nënshtetësinë italiane. Nga hetimi doli se gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme, 45-vjeçari i ka dhënë fund jetës së bashkëshortes së tij me një thikë kuzhine duke i prerë fytin. Viktima quhej Rudina Koni, 32 vjeçe, dhe vrasja ka ndodhur në banesën e çiftit në Villa Rosa di Martinsicuro, Teramo, ku çifti kishte vite që jetonte. Pas vrasjes ai ka lajmëruar menjëherë policinë. Në shtëpi ishin edhe të dy djemtë e çiftit, 7 dhe 8 vjeç, të cilët nuk ishin në dijeni të vrasjes për shkak se ata ishin duke fjetur në dhomën e tyre. Aktualisht, shqiptari Shkëlqim Koni ndodhet në rajonin policor në Martinsicuro për t'iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Bizzarri Serena. Policia tha se në cilësinë e provës materiale është sekuestruar thika me të cilën është kryer vrasja. Të dhënat e para flasin se burri kishte qenë prej kohësh i frikësuar për humbjen e dy fëmijëve dhe gruas së tij, për shkak të punës që do të bëhej gjithnjë e më e vështirë.
Precedenti
Vetëm pak muaj më parë, po në Itali, Alfred Mëlyshi kreu një vrasje të trefishtë, duke i marrë jetën mbesës 3 vjeçe, kunatës dhe motrës së kunatës. Sipas prokurorisë, shkaku që e çoi autorin të kryente këtë krim ishin mosmarrëveshjet që ai kishte me të vëllanë dhe kunatën. Sipas prokurorit të çështjes, Antoni e akuzonte të vëllanë Alfred Mëlyshi si shkaktar të një konflikti të krijuar me një familje tjetër shqiptare dhe për këtë arsye i kishte kërkuar atij largimin nga shtëpia ku jetonin prej vitesh bashkë. “Ishte vullneti i zotit”, - u është shprehur Alfred Mëlyshi karabinierëve ndërsa ata e transportonin për në spital, pasi kishte kryer krimin makabër. Gjithçka ka ndodhur në pak minuta, kur 24-vjeçari Alfred Mëlyshi, tashmë i ndaluar nga policia, vrau me thikë në banesën e tyre, Rina Mëlyshin, 24 vjeçe, mbesën 3-vjeçare dhe motrën e kunatës, 19-vjeçaren Ornela Ndoji. Sipas policisë, autori i masakrës u gjet i plagosur po me thikë në shtëpinë ku kishte ndodhur masakra. Alfred Mëlyshi ka pranuar se është autor i masakrës, por nuk ka dhënë asnjë motiv që e shtyu të kryente krimin tronditës. Kryefamiljari Anton Mëlyshi, 30 vjeç, i cili punonte si murator, nuk ndodhej në shtëpi në momentin kur i vëllai i masakroi vajzën, gruan dhe kunatën.
Mbërrin në gjykatë dosja për plagosje tek “Aleks Buda”
Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet për plagosjen e ndodhur disa muaj më parë në gjimnazin “Aleks Buda” dhe dërgon në gjykatë dosjen e të pandehurit Bledar Rusi. Sipas organit të akuzës, Rusi ka plagosur me kaçavidë Elidon Kolën për shkaqe banale. Ngjarja, sipas prokurorisë, ka marrë shkas pas një grindjeje të ndodhur në ambientet e palestrës së shkollës kur dy klasa të viteve të treta dhe të katërta kanë qenë duke luajtur volejboll në orën e edukimit fizik. Grindja mes dy grupeve të vogla të klasave është shuar në palestër dhe nxënësit janë shpërndarë për pushimin e madh, që zhvillohet pas orës së tretë të mësimit. Në oborrin e shkollës janë përballur Kola dhe nxënësi i vitit të katërt, Rusi, të cilët kanë debatuar mes tyre për një shok të Elidonit, G. M. Në grindje e sipër mes tyre, Rusi, me një kaçavidë e ka goditur në gjoks, duke i shkaktuar një plagë të rëndë. Dosja në ngarkim të këtij të pandehuri do të gjykohet nga ana e gjyqtarit Arjan Aliaj, i cili në ditët në vazhdim pritet të caktojë datën e parë për zhvillimin e seancës.
Aksidentet, një i vdekur, shtatë të plagosur
ELBASAN – Tri aksidente janë regjistruar ditën e djeshme në qarkun e Elbasanit, ku ka humbur jetën një person dhe janë plagosur 7 të tjerë. Tre persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e rënies së një automjeti nga lartësia 10 metra në Qafë-Kërrabë. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:00, pranë kilometrit 29, teksa mjeti me targë TR 10 64 F, që udhëtonte nga Tirana drejt Elbasanit, ka humbur kontrollin duke përfunduar në humnerë. Për pasojë, një grua ka mbetur e plagosur rëndë, ndërsa dy persona të tjerë janë plagosur lehtë. Një tjetër aksident, por me pasojë vdekjen e një të moshuari, ka ndodhur në aksin Peqin-Elbasan. Aksidenti ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, në vendin e quajtur Gjocaj, kur mjeti tip “Peugeot” me targë BW 873 D që drejtohej nga Ruzhdi Jupa, nga Rrogozhina ka përplasur një biçikletë me të cilën udhëtonte Xhevat Boshaliu. Për pasojë i moshuari ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar nga policia. Një tjetër aksident ka ndodhur dy net më parë në aksin Përrenjas-Librazhd. Rreth orës 23:30, në vendin e quajtur Xhyrë, dy mjete janë përplasur me njëri-tjetrin duke shkaktuar plagosjen e dy drejtuesve dhe 2 pasagjerëve. Sipas policisë, mjeti tip “Benz” me targë LB 22 96 A, që udhëtonte nga Përrenjasi drejt Librazhdit, i drejtuar nga Istref Sina, 27 vjeç, është përplasur me mjetin tip “Mitsubishi” me targë LB 22 10 A, që drejtohej nga 30-vjeçari me iniciale B. LL. dhe që udhëtonte në drejtimin e kundërt. Për pasojë kanë mbetur të lënduar dy drejtuesit e mjeteve dhe dy pasagjerët që ndodheshin në benz Isuf Sina dhe një tjetër i ri me inicialet L. C., të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak. Mësohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia me të cilën udhëtonin të dy automjetet.
Pranga të dënuarit për vjedhje, grabiti 1600 euro
DURRËS – Është vënë në pranga ditën e djeshme Shaban Domi, i dënuar me 8 muaj burg për “vjedhje”. Policia e qytetit bregdetar bën të ditur se dy ditë më parë është bërë i mundur arrestimi i Domit, 28 vjeç, lindur e banues në fshatin Rreth Shijak, i dënuar dy herë më parë për vjedhje banese. Ndalimi i tij erdhi pasi Gjykata e Durrësit e ka dënuar me 8 muaj burg për “vjedhje”. Sipas policisë, më datë 31.03.2007, ai ka vjedhur shumën prej 1600 eurosh në banesën e një shtetasi. Shaban Domi është shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë Qarkut Durrës më datë 09.06.2008. Materialet procedurale në ngarkim të tij iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
20 Janar 2010