Planifikonin vjedhjet në “Facebook”. Pranga tre të rinjve, një në kërkim
Vënia në përgjim e telefonave i ka detyruar grabitësit për të gjetur mënyra të reja të komunikimit midis tyre, ku përfshihen postat elektronike dhe rrejti “Facebook”. Një rast i tillë është zbuluar ditën e djeshme, ku Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër. Sipas Policisë, tre të arrestuarit: Romeo Rakipi, Flamur Matoshi, i mituri A. I., si dhe personi i shpallur në kërkim me inicialet I. I., komunikonin me anë të postës elektronike në yahoo dhe facebook, ku planifikonin dhe grabitjet e tyre.
Arrestimi
Operacioni i koduar “Heshtja” godet një grup kriminal prej 4 personash, një prej tyre shpallet në kërkim policor. Kapja e tyre u bë gjatë orëve të vona të datës 18 janar 2010, në afërsi të Stacionit të Trenit në Tiranë. Më konkretisht, u realizua ndalimi i Romeo Lulëzim Rakipit, 22 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i proceduar disa herë për një sërë vjedhjesh në Tiranë; Flamur Riza Matoshi, 22 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i dënuar disa herë për vjedhje; A. I, 16 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, i dënuar më parë për “moskallëzim krimi”. Ndërkohë që u shpall në kërkim policor shtetasi I. I., 26 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.
Hetimet
Uniformat blu bëjnë të ditur se falë një pune të mirëfilltë hetimore dhe operacionale u bë i mundur dokumentimi ligjor i një sërë vjedhjesh të automjeteve të realizuara nga ky grup kriminal, në vende e periudha të ndryshme kohore. Mbajta nën vëzhgim e tyre prej një muaji, mundësoi kapjen në kohë të tyre, të cilët dyshohen se për të realizuar më së miri vjedhjet komunikonin me mesazhe dhe përmes adresave elektronike, yahoo dhe facebook. Pas realizimit të vjedhjeve të automjeteve kryesisht të markës “Benz”, i dërgonin në qytetin e Durrësit me qëllim shitjen e tyre. Strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, së bashku me seksionin përkatës, po punojnë intensivisht në drejtim të dokumentimit të të tjerave vjedhjeve të automjeteve dhe të banesave, të realizuara nga ky grup kriminal, të bëra në kohë e vende të ndryshme në Tiranë. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan 4 automjete, të cilat këta persona i kishin vjedhur. Materialet në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim.
Grabitjet e kryera
- Më datë 17 shtator 2009, në rrugën “Pandi Dardha” në Tiranë, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë realizuar vjedhjen e një automjeti me targa TR 2997 K, në pronësi të një shtetasi.
- Më datë 20 nëntor 2009, në Vorë dyshohet se kanë realizuar në bashkëpunim përmes tyre vjedhjen e automjetit tip “Benz 240”, ngjyrë gri.
- Më datë 22 dhjetor 2009, në rrugën “Ramazan Shijaku” në Tiranë dyshohet se kanë vjedhur automjetin me targa TR 8344 C, në pronësi të një shtetasi.
- Më datë 31 dhjetor 2009, në afërsi të bulevardit “Zogu I”, dyshohet se në bashkëpunim kanë vjedhur automjetin me targa TR 5983 J, në pronësi të një shtetasi.
- Më datë 15 janar 2010, në Rrugën e Barrikadave në Tiranë, dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e automjetit me targa TR 6267 E, në pronësi të një shtetasi.
- Më datë 01 janar 2010, dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Unazën e Re, kanë realizuar vjedhjen e automjetit me targa TR 0473 B, në pronësi të një shtetasi.
- Më datë 06 janar 2010, në rrugën “Pandi Dardha” në Tiranë, dyshohet se kanë realizuar në bashkëpunim vjedhjen e automjetit me targa TR 4691 R, në pronësi të një shtetasi.
Të arrestuarit
Romeo Lulëzim Rakipi, 22 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i proceduar disa herë për një sërë vjedhjesh në Tiranë;
Flamur Riza Matoshi, 22 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i dënuar disa herë për vjedhje;
A. I., 16 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, i dënuar më parë për “moskallëzim krimi”.
I shpallur në kërkim
I. I., 26 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.
”I tmerrshmi Cungu” sërish në pranga
TIRANË –12-vjeçari Markeljan Cungu bie sërish në prangat e Policisë së Tiranës. Cungu, një ndër emrat më të lakuar për një sërë vjedhjesh të ndodhura në kryeqytet, këtë herë, në bashkëpunim me Eugert Kërnajën, dyshohet se kanë grabitur një banesë në Tiranë, ku kanë arritur të marrin disa bizhuteri me vlerë rreth 30 mijë lekë. Policia e Tiranës bën të ditur se nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, u mundësua dokumentimi ligjor dhe identifikimi i një vjedhjeje banese e ndodhur më datë 15 janar 2009, ku janë vjedhur disa bizhuteri dhe shuma e parave prej 30 mijë lekësh. Sipas saj, dyshohet se autorët janë Makeljan Petrit Cungu, 12 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Allias, u la i lirë për shkak të moshës dhe Eugert Kujtim Kërnaja, 15 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim.
Vidhen 50 karta rimbushëse, në kërkim autori
SHKODËR – Vidhen 50 karta rimbushëse telefonie, shpallet në kërkim Esmeraldo Hato. Policia e Shkodrës njofton se më datë 18.01.2010, rreth orës 22:00, në lagjen “Guerilje” të qytetit të Shkodrës është vjedhur një dyqan ushqimor. Pas marrjes së informacionit polica ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku nga veprimet e kryera ka rezultuar se në dyqan janë vjedhur 50 karta rimbushëse telefonike të kompanive celulare në vend, si dhe rreth 5000 lekë. Polica njofton se autori ka hapur dritaren e pasme të dyqanit, duke hyrë brenda dhe duke kryer vjedhjen. Nga kryerja e veprimeve dhe nga informacionet e marra rezulton se autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi Esmeraldo Hato, vjeç 19, lindur dhe banues në Lagjen “Guerilje” të qytetit Shkodër. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale, u bë shpallja në kërkim e këtij shtetasi dhe po punohet për kapjen e tij. Materialet në ngarkim të Esmeraldo Hatos i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të “vjedhjes”.
Grabiti 17 steka cigaresh, polica shpall në kërkim 19-vjeçarin
KORÇË – Denoncon në polici vjedhjen e 17 stekave me cigare. Policia shpall në kërkim autorin. Ka qenë kallëzimi i bërë nga ana e F. Nabllatit, i cili ka vënë në lëvizje policinë e Korçës. Sipas kallëzimit, mësohet se R. N. 18 vjeç, i ka vjedhur 17 steka cigaresh, në vlerë prej 4000 lekësh, si edhe një pasaportë të bashkëshortes dhe dy karta identiteti. Nga ana e saj, Policia e Korçës nisi menjëherë hetimet dhe shpalli në kërkim 19-vjeçarin R. N. për veprën penale të “vjedhjes”.
Policët britanikë, takim në Policinë e Shtetit
Një delegacion i Policisë britanike vizitoi dje Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit me qëllim thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit midis dy policive. Delegacioni i Policisë britanike, i kryesuar nga Gary Lindon, u prit në një takim të veçantë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ku ndër të tjera u evidentua bashkëpunimi që ekziston midis dy policive tona. Po ashtu, të pranishmit diskutuan mundësitë dhe rrugët e reja të forcimit dhe konkretizimit të këtij bashkëpunimi, si në fushën e shkëmbimit te informacionit ashtu dhe të eksperiencës policore. Kreu i policisë shqiptare, Burgaj, gjatë këtij takimi dha vlerësimet e tij veçanërisht për ndihmën dhe kontributin e Policisë britanike në asistencën e saj dhënë Policisë së Shtetit. Pjesëmarrësit në takim theksuan edhe gatishmërinë e përbashkët të dy policive për të nënshkruar në të ardhmen një marrëveshje konkrete bashkëpunimi mes Policisë së shtetit shqiptar dhe Policisë britanike.
20 Janar 2010