E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Remzi Hoxhës, Prokuroria ndryshon qëndrim ndaj Sefgjinit dhe Koldashit

Laureta Rryçi

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje masë të re sigurie për Arben Sefgjinin dhe Avni Koldashin. Sipas prokurorit të çështjes, Xhevat Hana, Gjykata duhet t’i rikthente me “arrest shtëpie” dy të akuzuarit për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Pas kësaj kërkese, i menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatit të Sefgjinit, Zef Hila. Ky i fundit i ka kujtuar Gjykatës që kjo kërkesë është tendencioze nga prokurori Xhevat Hana. Sipas avokatit, duke qenë se prokurori është marrë me çështjen edhe kur nuk ka qenë në këtë detyrë, e ka kthyer procesin në betejë personale. Pasi dëgjoi të dyja palët, kolegji penal, i drejtuar nga gjyqtari Xhelal Elezi, e rrëzoi kërkesën duke e cilësuar të pavend dhe të pajustifikuar në këtë moment që ndodhej procesi gjyqësor. Procesi aktualisht ndodhet në fazën e dëshmitarëve të thirrur nga institucioni i akuzës.
Kërkesa
Prokuroria e Krimeve të rënda ka vendosur të ndryshojë qëndrim mbi statusin e dy ish-shikasve, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi. Ashtu sikundër kërkoi dy vjet më parë arrest shtëpie për Arben Sefgjinin dhe pezullimin nga detyra si drejtor i Tatimeve, prokurori i çështjes, Xhevat Hana, ia drejton sërish një kërkesë të tillë gjykatës për ridhënie të arrestit shtëpiak të të pandehurit dhe pezullimin e tij nga detyra kësaj radhe si drejtor i Shërbimit të Provës. Prokurori kërkoi gjithashtu edhe ndryshim të sigurimit personal dhe vendosje në arrest shtëpie edhe për të akuzuarin tjetër Avni Koldashi, me arsyetimin se vlerësimet e masave të sigurisë nuk ishin dhënë nga një trupë gjyqësore, por nga një gjyqtar i vetëm. Trupa gjyqësore e Krimeve të Rënda i rrëzoi pretendimet e prokurorit duke argumentuar se të pandehurit janë treguar korrektë me gjykatën dhe se ata për asnjë çast nuk kanë paraqitur rrezikshmëri për t’u larguar nga vendi.
Procesi
Të pandehurit në gjendje të lirë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, përfaqësohen, sikurse dhjetëra seanca të mëparshme, vetëm nga avokatët e tyre mbrojtës. Procesi ndaj ish-drejtuesve të Shërbimit Informativ Shtetëror që akuzohen nga Prokuroria si përgjegjës në rrëmbimin e trefishtë në 1995-n të Avdyl Loshajt, Ziso Kristopullit dhe Remzi Hoxhës ndodhet në fazën e marrjes së dëshmisë së Loshajt. Gjykata ende nuk ka vendosur ta zgjidhë dilemën nëse dëshmia e Loshajt duhet të merret me letër-porosi, apo një trupë gjyqësore, së bashku me prokurorët dhe avokatët duhet të udhëtojnë drejt Holandës për ta dëgjuar dëshmitarin kyç që mendohet se ka qenë gjithashtu edhe njëri nga të torturuarit e SHIK-ut.

Investimet që do të bëhen në burgje gjatë vitit 2010, projekti që do të pengojë telefonatat në burgje

Ministria e Drejtësisë ka parashikuar një sërë projektesh për vitin 2010 në sistemin e burgjeve. Por, ai që pritet të ketë dhe më shumë impakt ka të bëjë me blerjen e pajisjeve që do të pengojnë të dënuarit të realizojnë telefonatat me celularët që arrijnë t’i fusin në qelitë e tyre në mënyrë ilegale. Në të vërtetë, një projekt i tillë u realizua edhe disa vite më parë me një firmë izraelite, vetëm se pak muaj më vonë rezultoi se aparaturat nuk ishin efikase dhe se të dënuarit flisnin sa herë të donin me celular. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vendosi të prishë kontratën me firmën duke i kërkuar dhe shpagimin e këstit të parë të lekëve. Ndërsa tani duket se kjo çështje do të rikthehet sërish në vëmendjen e drejtuesve të burgjeve për të përmirësuar kushtet e sigurisë. Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, projekti i sistemit të bllokuesve të valëve të telefonave celularë, investim i filluar në mesin e vitit 2009 dhe për vitin 2010, në këtë drejtim do të investohen 30 milionë lekë, duke siguruar plotësisht mosfunksionimin e aparateve celularë në sistemin e burgjeve dhe duke rritur ndjeshëm elementet e sigurisë. Projekt tjetër në këtë drejtim është dhe Aplikacioni i kartave WEB për kartelat e të dënuarve, personelit dhe aktivitetit financiar të sistemit të burgjeve me vlerë 10 milionë lekë. Ky projekt do të realizohet për herë të parë në sistemin e burgjeve dhe shërben për një shkëmbim informacioni të shpejtë dhe të saktë midis vetë burgjeve dhe paraburgimeve, Drejtorisë së Përgjithshme dhe Burgjeve, duke synuar që në të ardhmen të lidhet në sistem dhe me Ministrinë e Drejtësisë.
Është parashikuar gjithashtu projekti i sistemit të kamerizimit të Burgut të Korçës. Burgu i Korçës është burg i ri, i ndërtuar me financim të BE-së. Me përfundimin e këtij investimi rriten ndjeshëm niveli i sigurisë në këtë burg dhe e kthen atë në nivelin plotësisht bashkëkohor të parametrave dhe standardeve më të përparuara europiane. Ndërsa falë investimeve të huaja për vitin 2010, është investimi në sistemin e burgjeve për ndërtimin e paraburgimit në Elbasan, me vlerë 4 milionë euro (investim grand i BE-së). Për këtë investim kanë përfunduar të gjitha procedurat ligjore dhe ndodhemi në fazën e miratimit të fituesit dhe fillimit të punimeve. Gjithashtu janë në pritje për përfundimin e procedurave dhe ndërtimit të paraburgimit Berat, me vlerë 6 milionë euro, për këto 2 objekte nga ana e BE-ja janë siguruar dhe fondet e nevojshme. Për ndërtimin e paraburgimit Fier me vlerë të përgjithshme të projektuar prej 18.2 milionë eurosh deri tani është siguruar financimi i investimit në vlerën 5.2 milionë euro nga BE, si dhe në negociata me Delegacionin e Komisionit Europian dhe Ministrinë e Integrimit është miratuar financimi i pjesës së mbetur në Programin IPA 2010.

20 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›