Analiza e PD Shkaqet, nga Doktori tek Meta
Edhe pse zyrtarisht analiza e shkaqeve të humbjes elektorale të PD-së është lënë të bëhet në vjeshtë, zëra autoritarë të Partisë Demokratike, kanë nisur të komentojnë dhe të kërkojnë Pse-në e votës së shqiptarëve. Olldashi e Basha, Rusmajli e Alibeaj, Paloka, Demi, Hoxha, por dhe të hershmit, Mustafai, Shehi e Marku thonë të vërtetën e tyre. Madje si kurrë më parë disa prej tyre shenjojnë dhe vetë Berishën.
Nga Lorenc Vangjeli*
Nga humbja e garës së drejtpërdrejtë në zgjedhjet e 23 qershorit, PD hyri menjëherë në një garë të re, tek e cila e ka të garantuar fitoren. Sepse cilido qoftë rezultati i votimit për emrin e kryetarit të ri të partisë ende në pushtet, ai do të cilësohet një fitore për demokratët. Kjo lëvizje, sa politike dhe e detyruar, po aq dhe taktike dhe e paparashikuar, mundi megjithatë, të shmangë vëmendjen tek hapi i parë dhe i detyruar që duhet të bënte cilado forcë politike në pozicionin e ri të PD-së: analizën e shkaqeve të humbjes së thellë elektorale në zgjedhje. Deri më tani, zyrtarisht një analizë e tillë ka munguar. Vetë Berisha e ka shmangur procesin duke anashkaluar dhe duke thelluar edhe më tej mpirjen politike të PD-së. Ngjan se tre ditët e jetëgjatësisë së çudisë më të madhe shqiptare kanë kaluar prej kohësh dhe deri në shtator kur është premtuar të bëhet një gjë e tillë, analiza, nuk do të ketë më as vlerën dhe as pasojën e pritshme. Duke marrë mbi vete gjithë përgjegjësitë e humbjes dhe duke amnistuar prej saj gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë me peshë në PD, Berisha ja doli të ketë fitoren e tij personale: pothuaj askush zyrtarisht, përfshi sidomos dy kandidatët e tij për pasardhës në PD, nuk e bën atë pjesë të humbjes. Por edhe pse zyrtarisht analiza ka munguar, figura të rëndësishme të së djathtës, kryesisht ata që kanë mbetur jashtë Kuvendit të Shqipërisë në këto zgjedhje, kanë dëshmuar të vërtetën e tyre mbi pyetjen e madhe: Pse humbi PD? Kush janë fajtorët? Dhe cili është roli i vetë Berishës në këtë humbje. Disa prej tyre, madje, e vënë atë në qendër të saj.
Revista JAVA ka kontaktuar me disa nga figurat kryesore në PD, Sokol Olldashi e Lulzim Basha, Ilir Rusmajli dhe Enkelejd Alibeaj, ka konsultuar deklarimet publike të Edi Palokës, Leonard Demit e Fatos Hoxhës, Besnik Mustafait, Mark Markut e Dashamir Shehit dhe ka krijuar një mozaik të ideve të tyre që japin përgjigjen shumë milionëshe.
Olldashi
Menjëherë mbas përfundimit të fushatës elektorale në të cilën drejtonte qarkun e Fierit, ministri i transporteve nisi një fushatë të dytë. Atë të votimit për kryetar të Partisë Demokratike me premtimin e vijimësisë së linjës së fortë të Berishës në parti dhe rikthimin e shpejtë të PD-së në pushtet. Duke konsideruar si kartë të fortë të vetes ngritjen graduale të karrierës së tij vetjake në PD, njohjen e opozitarizmit dhe të qeverisjes, edhe Olldashi nuk ka devijuar nga linja kryesore e gjykimit të së shkuarës së afërt. Përjashton nga përgjegjësia direkte Berishën dhe hedh disa piketa politike për analizën e humbjes. Pretendon se fushata e PD-së …ishte shumë e mirë dhe ndoshta më e mira që demokratët kanë bërë ndonjëherë dhe akuzon: Ka pasur një element që i ka kushtuar PD-së, mosgoditja e LSI-së. Nuk ka qenë vendim i PD-së, nuk qenë strategji e përcaktuar. Mosgoditja e LSI ka qenë një shkak. Ndoshta për zakon elektoral ne u përqëndruam te PS-ja. Nëse i referohemi Kukësit, ku kryetari i bashkisë iku me LSI-në, aty fushata u adresua kundër LSI dhe rezultati i 2009 u mbajt, thotë Olldashi, i cili ndoshta më shumë se kushdo tjetër po përqëndrohet në sulmet ndaj ish-aleatit të vjetër në qeverisje duke gjykuar se partia e Metës i pa qarrin dhe jo qederin qeverisjës së përbashkët katër vjeçare. Olldashi premton se në rast se zgjidhet në krye të PD-së, do ti kthejë karakterin e djathtë të kësaj partie, të dëmtuar fort, sipas tij, me kuturisjet e herëpashershme në të majtë të spektrit politik. Mund të ketë pasur një farë lodhje nga qeverisja, por për mua nuk është votë kundër qeverisjes sonë sepse ne kemi prezantuar bilanc pozitiv. Nuk ka komunë dhe bashki ku ne skemi investim madhor. Mandati i parë ka qenë qeverisja më e mirë. Në mandatin e dytë u kompromentuam nga LSI, sepse ministrat e tyre, drejtuesit e tyre, nuk mbanin dot ritmin tonë, thotë ai.
Basha
Edhe kritikët e tij bien dakord që kryetari i bashkisë së Tiranës dhe pretendenti për kreun e PD-së është një makinë elektorale. Kryesisht i referohen dy fushatave të tij, asaj të 2009-ës në qarkun e Elbasanit dhe asaj të dy viteve më pas në garë me Edi Ramën për bashkinë e Tiranës. Tani, në mes të kësaj vere të nxehtë politike ka hyrë në garën e tij të vërtetë për zemrat dhe votën e anëtarësisë së demokratëve. Si kartë të tij të fortë, edhe pse nuk e përmend, konsideron perceptimin kryesisht mediatik të afërsisë së tij të veçantë me Berishën dhe faktin se ka mundur njëherë Edi Ramën. Për garën e majit të dy vjetëve më parë, koha ka zbutur detajet, mënyrën sesi e fitoi garën në tavolinën e Kolegjit Zgjedhor, por kjo nuk e pengon të thotë: Kush e ka mundur njëherë, e mund sërish kundërshtarin! Edhe Basha është korrekt politikisht me linjën zyrtare të Partisë së tij: analiza e shkaqeve të humbjes së 23 qershorit të bëhet në vjeshtë. Si armë sulmi ka zgjedhur sulm paprerë ndaj maxhorancës së nesërme dhe premtimeve të saj elektorale. Si karrem për votuesit e tij demokratë, nuk i ndahet linjës së vijimësisë: PD është partia e Sali Berishës, Azem Hajdarit dhe Gramoz Pashkos. Dy këta të fundit të vdekur, njëri në një atentat përpara selisë së PD-së, tjetri në një zinxhir absurd e fatal aksidentesh në det, në ajër dhe sërish në det. Të dy në ngjallje me një raport dashuri-urrejtje me pronarin real të PD-së, Sali Berisha. Për shkaqet dhe përgjegjësit e humbjes, Basha zgjedh të flasë në përgjithësi: Përgjegjësitë duhet ti marrë secili nga ne, sipas spaletave duke nisur me drejtuesit kryesorë të partisë. Përgjegjësia fillon nga gjithësecili prej nesh. Kjo është një mundësi për tu bashkuar secili prej nesh në këtë familje të madhe. Elementi i parë i reflektimit është që të jemi të gjithë bashkë dhe të mos lejojmë përçarje dhe shpifje që të hyjnë mes nesh. Secili nga ne duhet të pranojë përgjegjësitë e veta, thotë Basha.
Rusmali
Me emrin e kryetarit të komisionit të ligjeve në Kuvend Ilir Rusmali, këtë verë u prezantuan dy surpriza. E para, vendosja në listën e Tiranës në një pozicion jo fitues dhe e dyta, disa deklarime të tij të drejtpërdrejta pikërisht për tabunë zyrtare në PD: shkaqet e humbjes. Jam mendu