Hajdut përsëritës, kësaj radhe në shtëpinë e tij
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, të njohura botërisht si më të manipuluarat në historinë 22 vjeçare të pluralizmit shqiptar, komisionerëve dhe numëruesve të Partisë Demokratike u doli aq keq situata nga kontrolli, saqë rezultati përmbyllës ishte tejet alogjik.
Vjedhja i kaloi përmasat e reales, pavarësisht udhëzimeve nga qendra për një rezultat të justifikueshëm.
Me shumë gjasa, Partia Demokratike mund të arrinte një rezultat të ngushtë fitoreje dhe të qeveriste e qetë në katër vitet e mëpasme (përjashto efektin e mëpasmë të kompanive piramidale), por një lloj babëzie e pakontrolluar për të rrëmbyer çdo kokërr vote, solli situatat e njëpasnjëshme deri në rënien e Berishës së parë.
Ky moment mu kujtua menjëherë pas shpalljes së rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, sipas të cilit Lulëzim Basha ka fituar me mbi 80% të votave.
Personalisht nuk më shqetëson fitorja e Bashës. Nuk më shqetëson as se si e kanë hedhur votën demokratiksat e rinj të pas 2005-ës, të cilët më shumë sesa të PD-së e Berishës janë të Gitës e Zenit.
Ata sot janë bërë zotër të kësaj force, për të cilën kanë kontribuuar në tetë vite të vështira opozite me mijëra demokratë që sot shqyejnë sytë dhe pyesin zemërplasur se çfarë po ndodh me partinë e tyre.
Basha mund të ishte fituesi real i këtyre zgjedhjeve brenda radhëve thjesht për faktin se dihej preferenca e Berishës, por manipuluesit e zellshëm dhe frika prej burracaku e kandidatit të favorizuar bënë që rezultati të thyente parashikimet për një status-quo të mundshme.
Ajo që më shqetëson dhe e kërkoj dëshpërimisht një përgjigje, është sesi kjo forcë, vazhdon të ketë moto të saj manipulimin, edhe kur bëhet fjalë për një përballje me një fitues të paralajmëruar.
Fleta e identifikueshme e votimit me numër rendor apo mosgjetja e emrave në lista nga anëtarë e themelues të Partisë Demokratike ishin sinjalet e para të manipulimit skandaloz që u vulos nga deklaratat e Olldashit për mijëra të anëtarësuar në PD gjatë dy javëve të fundit.
Kisha ide të gabuar se këtë formë aq të lashtë e mjaft të njohur për ne shqiptarët në këto 22 vite, pra vjedhjen e votës, Sali Berisha nuk do ta pranonte ti hynte në shtëpi.
Por sërish e përsëris, ndjehem dëshpërimisht pa përgjigje sesi ky njeri dhe beniamini i tij po përdhosin çdo vlerë të fundit të mbetur në një PD të margjinalizuar maksimalisht nga keq-udhëheqja.
Sot Partia Demokratike ndodhet në udhëkryqin më të madh të historisë së saj.
Jo se u humbën zgjedhjet. Ato janë pjesë e lojës politike.
Jo se u dorëhoq Sali Berisha. Ai është aty këmbëkryq e në krye të vendit.
Jo se fitoi Lul Basha. Sepse ai në realitet është Lul Berisha (jo ai i Durrësit).
Udhëkryqi i PD-së sot është tek eunukërimi masiv i atyre njerëzve me kontribute në këtë forcë. Kisha shpresë se një pjesë e tyre me forcë e me zë të lartë do të kërkonin së pari analizimin e rezultatit të zgjedhjeve por ata vazhduan memecërinë e tyre.
Me gjithë rezervat për Jozefina Topallin apo Ridvan Boden, kisha pritshmëri tek angazhimi energjik i tyre për t’iu kundërvënë “lulizimit” të PD-së, por kjo është çështje shtylle kurrizore që i përket mjekësisë.
Kjo kategori emrash dhe figurash, me gjithë kusuret që mund të kenë, do të ishin ku e ku më të denjë për të bërë një opozitë agresive sesa Luljetat që sot (nën hijen e Berishës) kanë në dorë partinë më të madhe të opozitës.
Sokol Olldashi nisi të flasë, por pasi treni kishte marrë rrugë, duke e kthyer në kotësi retorikën e tij.
Personalisht jam i prirur ta besoj që ai u pre në besë me garancitë për mospërfshirje, por nuk e pranoj nga një politikan me përvojë si ai, heshtjen ndaj grackës së parapërgatitur dhe paralajmëruar nga çdo medie e këtij vendi.
U hodh vetë në këtë grackë apo e hodhën, kjo sot ka pak rëndësi dhe sipas gjasave emri i tij po fshihet përfundimisht nga lidershipi i PD-së, ndërsa në Familje ka nisur festa e paralajmëruar.
Pas disfatës në zgjedhje, për herë të parë gjatë kësaj vere, Sali Berisha ndjehet i qetë dhe i relaksuar.
Pasi bëri të pabërën ndaj këtij vendi për tetë vite me radhë, ai tashmë realizoi të paimagjinueshmen, shkatërrimin e Partisë Demokratike nëpërmjet një njeriu të pacipë, i cili dje vodhi dhe në shtëpinë e tij.
