Letër e hapur për Lulzim Bashën
Nga Etleva Dura & Aurel Veizaj
Z. Lulzim Basha, sapo more Bashkinë e Tiranës, fillimisht zëvendësove të gjithë drejtuesit e larguar të drejtorive dhe më pas shefat dhe pothuajse pesëdhjetë përqind të totalit të punonjësve në Bashkinë e Tiranës.
Në korrik, pa kaluar një muaj nga marrja me dhunë dhe shtrembërimin e verdiktit të qytetarëve, të cilët për ty dhe partinë tënde ishin të parët duke lënë mënjanë ngjyrimet politike, fetare apo racore.
Z. Basha, vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore brenda një dite të vetme shkarkove 51 punonjës, të gjithë specialistë dhe inspektorë, pa asnjë shkak apo motiv real që ka të bëjë me detyrën, por vetëm për të hapur vende të reja pune për militantët e partisë, ku ju i nderuar kryetar bëni pjesë.
Madje kulmi arriti deri në anulimin e të gjitha lejeve vjetore të aprovuara dhe mirëmenaxhuara nga drejtuesit e mëparshëm.
Kur u kthyem nga leja, gjetëm mbi tavolinat tona paralajmërimin për heqje nga puna.
Ne, 51 inspektorët e këtij institucioni, na është dhënë në dorë një copë letër me vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna me motivacionin: Konstatuar nga kontrolli i investigimit, për mos check-in të kartave për muajin maj 2011.
Ndërkohe që inspektorët sipas një urdhri të brendshëm nr.112, përjashtoheshin nga evidentimi i hyrje- daljeve në institucion.
E pra i nderuar kryetar, instalove në institucionin më modern dhe perëndimor në Shqipëri militantë, të cilët as përpilimin e dokumentacioneve si dhe motivacionet, të cilat na dhanë, nuk dinin ti hartonin.
Gjithashtu na latë një javë kohë për t’u sqaruar nga drejtori i DPTTV-se për shkaqet e largimit.
Ne, inspektorët, sipas ligjit dhe rregullit në administratë, si dhe në mbështetje të Kodit të Punës, kërkuam vënien në dispozicion të këtij materiali investigues dhe më pas kundërshtimin e masës së dhënë.
Drejtori Arben Kau nëqoftëse disa punonjës i priti, punonjësit Etleva Dura, Aurel Veizaj, Miranda Poren dhe Anila Çobanin nuk denjoi as ti priste në zyrë, megjithëse ishte e drejta jonë sipas Kodit të Punës të ballafaqoheshim me punëdhënësin mbi shkaqet dhe arsyet e marrjes së këtij vendimi, pra që këtu dukej hapur diskriminimi.
Në një ditë Lulzim Basha pushoi nga puna të paktën 51 inspektorë nga sektori i verifikimit në terren në Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Tiranës
Ditën e premte, fill pas mbarimit të orarit të punës, drejtori i Tatim- Taksave pranë Bashkisë së Tiranës, Arben Kau, vuri para derës së tij një truprojë të panjohur për korridoret e atij institucioni me një veshje të çuditshme dhe jashtë performancës administrative dhe institucionale.
Në krye të javës kur po skadonte afati i pritjes, drejtori Arben Kau, si frikacak thirri drejtorin e Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, për të na nxjerrë me dhunë.
Madje duke përdorur dhe forcën pasi fillimisht e goditi Anila Çobanin me grusht në stomak. Më pas e tërhoqi zvarrë zonjën Çobani, duke i lënë shenja në krah. Ndër femrat e dhunuara nga Florenc Hoxha isha edhe unë, Etleva Dura, dhe Miranda Pora. Duket qartë që shkarkimi ynë ka qenë kryekëput për motive politike, Bashkia e Tiranës nuk përfaqëson më qytetin dhe qytetarët, por pushtetin politik, të tjetërsimit të vullnetit të tyre.
Lulzim Basha, ne që punuam me vite të tëra në Bashkinë e Tiranës, dhe pas ardhjes tënde në krye të saj ku na largove duke na dhunuar, vallë çfarë ishim ne?
Lulzim Basha, ne, edhe pse i kemi fituar të gjitha gjyqet kundrejt teje dhe gjykata vendosi në favorin tonë për të na paguar pagat për 12 deri ne 18 muaj, pse nuk po na paguan dëmshpërblimin, të cilin e fituam me gjyq?
Z. Basha, e si mund ti shesësh qytetareve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë shoun tënd mediatik mbi hapjen e disa zyrave ne mbrojtjen e punonjësve që rrezikojnë vendet e punës nga qeveria e re, dalë prej zgjedhjeve të 23 qershorit?
Z. Basha, qytetarët janë të barabartë dhe ne si ish- punonjës të shkarkuar prej teje, do jemi të parët të cilët do të ankimojmë në zyrat tuaja mbi padrejtësitë që ti vetë ke kryer në Bashkinë e Tiranës.