E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe pse e fshiu nga parlamenti, Skënder Gjinushi shkon prapë për konsulencë tek zyra e Edi Ramës

Gara për kryetarin e PS-së, që nga dje, as formale nuk mund të quhet. Meritë për këtë është edhe e Skënder Gjinushit, kryetarit të PSD-së.
Me sjelljet e faktorëve objektiv dhe subjektiv, nuk ka asnjë dyshim se votimi “një anëtar një votë” më 26 shtator 2009, është një votim i zhvlerësuar që tani. Nga ana tjetër, jo vetëm kjo garë, por edhe debatet brenda PS-së, po vënë në dyshim rolin e forumeve drejtuese dhe anëtarësisë së kësaj partie, që duket se nuk po përfillen, apo e thënë ndryshe po injorohen.
Ndërsa Maqo Lakrori pretendon se ka hyrë në garë për të fituar, regjistrimi i tij nuk është asgjë më shumë se një përpjekje e dështuar për krijimin e idesë së një “gare legjitime”.
Për këtë, nuk ka lënë as dyshimin më të vogël dje, as Skënder Gjinushi, kreu i PSD-ës. Në takimin e tij me Edi Ramën, për më tepër në inkurajimin e tij për bojkotin e Parlamentit nga kreu në detyrë i PS-së, Skënder Gjinushi, jo vetëm që njeh për kryetar të PS-së Edi Ramën, pavarësisht se ai është në një garë, që “de jure” duhet pritur fundi, por nuk njeh, për të mos thënë shpërfill edhe forumet e PS-së, të cilat ende nuk janë shprehur “pro” bojkotit të Parlamentit.
E thënë më ndryshe, me takimin e djeshëm të Skënder Gjinushit me Edi Ramën, ato që nuk u morën në konsideratë, që u shpërfillën dhe që u injoruan ishin, Maqo Lakrori, forumet drejtuese të PS-së, si dhe anëtarësia e kësaj partie.
* * * 
Pse nuk u mor në konsideratë Maqo Lakrori?
Sepse, jo vetëm formalisht, ai është ende një rival në garë dhe nga platforma e deritanishme qe ai ka bërë publike, pretendon se ndahet me Edi Ramën edhe në pikën e raporteve të deputetëve të PS-së, me Parlamentin. Ndërsa Edi Rama është “pro” bojkotit, Maqo Lakrori është “kundër” bojkotit.
Por ky qëndrim i Maqo Lakrorit nuk ka thënë asgjë dje për Skënder Gjinushin. Në të kundërt, kreu i PSD-ës duhet të kishte pritur përfundimin e garës brenda PS-së, dhe në varësi të fituesit të mundshëm të saj, duhet të merrte kontakte me kryetarin “e kurorëzuar” të PS-së dhe pastaj të diskutonte apo të inkurajonte bojkotimin ose jo të Parlamentit.
Duke hyrë në mes të garës dhe duke u shprehur “pro” bojkotit të Parlamentit, Skënder Gjinushi e ka paragjykuar procesin e votimit “një anëtar një votë” në PS dhe duket se nuk ka as mëdyshjen më të vogël se Edi Rama do të fitojë.
Gjithsesi, brenda luksit që mund ti njohim vetes, mund të bëjmë pyetjen prej të marri: “po në rast se fiton Maqo Lakrori, ç’qëndrim do të mbajë Skënder Gjinushi për bojkotimin ose jo të Parlamentit, nga deputet socialistë?”.
Përpos këtyre, qëndrimeve paragjykuese apo mospërfillëse të Skënder Gjinushit, për rivalin tjetër në garë të Edi Ramës, është Maqo Lakrori, i cili “për të mos u bërë ende gazi i botës”, duhet ti japë “refresh” mendimit të tij për kandidimin për kreun e PS-së, fundin e së cilës edhe kreu i PSD-ës e di...
... Ose..., ose..., Maqo Lakrori duhet të shpresojë që në PSD, përballë një gare të mundshme për kreun e kësaj partie (sepse edhe kjo parti është humbëse e zgjedhjeve), të gjendet ndonjë Maqo Byreku, i cili të kandidojë përballë Skënder Gjinushit. Pastaj, me shpresë të rivalit të Edi Ramës, rivali i mundshëm i Skënder Gjinushit, Maqo Byreku, të takohet me Maqo Lakrorin dhe për të bërë të mundur “faktorizimin” e tij, të deklarojë publikisht pas një takimi mes tyre se mbështet idenë për hyrjen në Parlament të grupit të deputetëve socialistë...
* * *
Pse nuk u shpërfillën forumet drejtuese të PS-së?
Sepse kemi vendime të forumeve të kësaj partie, që pse ka harruar për ekzistencën e tyre Edi Rama, i injoron edhe Skënder Gjinushi.
Konkretisht, në 28 korrik të këtij viti, në mbledhjen e saj Asambleja Kombëtare e PS-së, në rezolutën e miratuar prej saj, u vendos që “PS nuk do të bojkotojë punimet e Kuvendit”.
Pas këtij vendimi, me gjithë dëshirën e Edi Ramës dhe inkurajimin e Skënder Gjinushit për të kundërtën, nuk ekziston ndonjë vendim tjetër i mundshëm. Jo vetëm kaq, por PS-ja ka paralajmëruar që sot do të mbledhë Kryesinë e saj, ku pritet që të rishikojë edhe një herë vendimin e Asamblesë Kombëtare të saj në 28 korrik. Ndërsa nesër, në mbledhjen e tij të parë, grupi socialist i deputetëve, do të ketë si obligim të diskutimit të tij edhe vendimin për “bojkotin” ose jo të Parlamentit.
Pikërisht, këto forume, Kryesinë dhe Grupin Parlamentar, ka injoruar dje Skënder Gjinushi, kreu i PSD, i cili personalisht por edhe si parti, nuk ka asnjë lidhje tani e tutje me Parlamentin. Duke shpërfillur ekzistencën e një vendimi të Asamblesë Kombëtare të PS-së, të shprehur përmes një rezolute të sajën, duke zhvlerësuar edhe mbledhjet e forumeve të PS-së, sikurse janë, mbledhja e sotme e Kryesisë dhe ajo e nesërmja e Grupit Parlamentar, Skënder Gjinushi, i vë pikat mbi “i” siç do ai, kur dje, ai jo vetëm ishte dakord me dëshirën bojkotuese të Edi Ramës, por edhe e inkurajoi këtë dëshirë, për të cilën ka një vendim kundër dhe nuk dihet ç’vendim do të merret sot e nesër.
Skënder Gjinushi, duke mos pritur të paktën edhe formalisht se çfarë vendimesh do të marrin sot dhe nesër kryesia e PS-së, por edhe Grupi i saj Parlamentar, po sillet dhe po vepron në mënyrë imponuese, duke e bërë fakt bojkotimin e Parlamentit nga deputetët socialistë.
Me diskutimet, qëndrimet dhe vendimet e tyre sot e nesër, anëtarët e Kryesisë së PS-së dhe deputetët e saj, nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse të certifikojnë dëshirën edhe të Skënder Gjinushit, duke i vënë procesit të debateve mes tyre në parti, damkën e një procesi më se qesharak...
* * *
Pse u injorua anëtarësia e PS-së?
Sepse, kur duhen të paktën edhe tri javë që ata të shkojnë nëpër kutitë e votimit dhe të shprehen me votën e tyre për Edi Ramën apo Maqo Lakrorin kryetar të PS-së, në emër të tyre, këto vota i ka hedhur Skënder Gjinushi. Jo vetëm kaq, por Skënder Gjinushi edhe e ka numëruar atë votë dhe ka shpallur kryetar të PS-së Edi Ramën.
Pas kësaj, që nga dje, Skënder Gjinushi ka rifilluar bashkëpunimin dhe hartimin e qëndrimeve e politikave të përbashkëta me homologun e PS-së Edi Rama.
Problemi është a e di Maqo Lakrori që gara ka mbaruar dhe që ai ka humbur, sepse Skënder Gjinushi, që nga dje na bëri me dije se ai njeh kryetar të PS-së Edi Ramën, me të cilin tashmë ka filluar hartimin e politikave për bojkotimin e Parlamentit, por edhe për zgjedhje të parakohshme.
Dikush duhet t’ia thotë Maqo Lakrorit që gara ka mbaruar dhe se ndërsa e ka marrë vesh edhe Skënder Gjinushi kush është fitues, çudi që ai (Maqo Lakrori) ende nuk e di.
Sa për anëtarësinë e PS-së, zëre se ata kanë votuar.
Më mirë kështu, sipas edhe Skënder Gjinushit, më mirë që ka fituar Edi Rama për garën që do të zhvillohet në 26 shtator 2009.
Sepse, në të kundërt, anëtarësia e PS-së, duhet të marrë në konsideratë edhe zhvillimin e mundshëm të një votimi sipas parimit “një anëtar një votë”, në përfundim të të cilit Edi Rama të ketë humbur zgjedhjet për kryetarin e PS-së.
Pas kësaj çdo të ndodhë....?!
Ja do të ndodh ajo, që Edi Rama nuk do t’i njoh zgjedhjet në parti, sepse ka argumentin e atij të dënuari të burgosur, bodyguard i Blendi Klosit, emrin e të cilit po e ruan, për të akuzuar se i vodhi votat për kryetar të PS-së.
Kush do e paguante këtë kosto të mos njohje të zgjedhjeve në parti...?!
Sigurisht anëtarësia e PS-së.
Ndaj që nga dje, ata duhet t’ia dinë për nder Skënder Gjinushit, që ua ndau këtë punën e kryetarit të PS-së, sepse ai Maqo Lakrori nuk mbahet. Duket ai që e ka mendjen te vjedhja e votave të Edi Ramës. Ndaj është futur në garë...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›