Vrasja e Abazajt, miqtë italianë kërkojnë zbardhjen e ngjarjes
Tiranë - Italianët, të cilët punonin në të njëjtën firmë me biznesmenin shqiptar, Genci Abazaj, kanë udhëtuar nga vendi fqinj për t’i dhënë lamtumirën e fundit mikut të tyre. Ata u shprehën se Genci ishte njeri i mirë, i shoqërueshëm dhe korrekt në punë. Po sipas tyre, çdo ditë ata punonim së bashku për ndërtimin e zonës së rrënuar nga tërmeti. “Gencin nuk e cenoi askush në Itali, që ishte i huaj, por e vranë shqiptarët në Shqipëri”, - tha për mediat një prej bashkëpronarëve me viktimën në firmën e ndërtimit.
Mediat
Mediat e shtetit fqinjë kanë shkruar për vrasjen e mistershme të biznesmenit Abazaj. Gazeta “La Cronaca” shkruan se, policia e Vlorës po kryen hetime mbi vrasjen e pronarit të Firmës “HG Costruzioni”, me qendër në Coppito. Genc Habayaj u shpall i zhdukur një javë më parë, dhe familjaret të shqetësuar denoncuan zhdukjen në policinë e Vlorës. 39-vjeçari u gjet disa ditë më parë i djegur dhe masakruar në Darzezë të Fierit, ndërkohë që policia dyshon se krimi ka ndodhur realisht në Vlorë. Vrasësit e biznesmenit Genci Habazaj kanë tentuar ta groposin kufomën e tij në zonën e Darzezës, në një vend të humbur mes kallamishteve. Sipas hetuesve të çështjes, autorët e krimit kanë dështuar në tentativën e tyre, pasi kanë hasur vështirësi në gërmimin e tokës së ngopur me kripë. Sipas eksperteve te policisë, kriminelët kanë gabuar. I kanë vënë zjarrin trupit të pajetë të 39-vjeçarit dhe nuk kanë pritur deri në fund. Sipas ekspertëve të çështjes, vrasësit kanë menduar se furia e flakëve do linte pas vetëm një grusht hi, ndaj dhe kanë shpejtuar të largohen. Por, ja që në atë vendin e humbur u gjet trupi gjysmë i dekompozuar dhe flokët e viktimës.
Hetimi
Një variant i ndërtuar prej policisë për ngjarjen mendohet se biznesmeni është rrëmbyer në qytetin e Vlorës, ku është torturuar dhe më pas është vrarë me armë zjarri. Më pas autorët kanë dashur ta largojnë duke mos përshkuar rrugën nacionale, por kanë kaluar në rrugën e Nartës, më pas në Akerni, Novoselë, duke dalë në fshatin Bishan. Itinerari i tyre ka vazhduar në rrugët rurale duke përfunduar në rrugën Fier-Darzezë, ku në një zonë të pabanuar dhe të fshehur nga bimësia e lartë është tentuar zhdukja e trupit me lëndë djegëse. Autorët janë larguar menjëherë dhe nuk kanë mundur të shihnin se trupi nuk ishte djegur plotësisht. Pas gjetjes së trupit policia e Fierit dyshoi që në fillim se bëhej fjalë për biznesmenin e zhdukur, por ishin familjarët e viktimës ata që bënë identifikimin. Në Vlorë dhe në Fier vazhdojnë paralelisht hetimet për vrasjen e biznesmenit Genc Abazaj. Drejtoria e Policisë së Vlorës po hetonte për zhdukjen e tij kur u lajmërua Fieri për gjetjen e kufomës. Në Vlorë hetuesit kanë kryer shoqërimet e para për të gjetur autorët dhe shkakun e kësaj vrasje.
Elbasan
Zjarr pranë banesave, 3 familje në panik
Zjarri pranë banesave ka shkaktuar panik tek 3 familje në periferi të Elbasanit. Flakët kanë përfshirë tre mullarë me bar të thatë, ndërsa era favorizonte përhapjen e shpejtë të tyre drejt shtëpive në lagjen Krastë e vogël. Të parët që kanë ndërhyrë për të shuar zjarrin kanë qenë vetë familjarët por ka qenë e pamundur shuarja e flakëve. Menjëherë janë njoftuar forcat zjarrfikëse të cilat pas disa minutash kanë mundur të venë nën kontroll flakët deri në shuarjen e plotë të vatrës. Mësohet se shkaku i zjarrit ka qenë aksidental nga një pakujdesi e vetë banorëve.
Durrës
Drejton një motor pa targa, aksidentohet
Dritan Meta është përfshirë në një aksident rrugor. Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur Sallmone të Xhafzotaj. 28-vjeçari po drejtonte një motor pa targa në segmentin rrugor Sallmone-Katund Sukth dhe si pasojë e shpejtësisë ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit duke dalë jashtë rruge. Sipas burimeve policore, Meta ndodhet i shtruar në Spitalin e Durrësit në Repartin e Reaminacionit ku po merr mjekimin e nevojshëm dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale të “Shkeljes së Rregullave të Qarkullimit Rrugor”dhe “Drejtimi i mjetit pa dëshmi aftësie”të parashikuar nga nenet 290/1 dhe 291 te K.Penal.
Lezhë
Përplasje në aksin rrugor Milot-Lezhë, dy persona të plagosur
Në superstradën Milot-Lezhë, në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i Rrilës’, ka ndodhur një aksident automobilistik, ku një motoçikletë me targa të huaja është përplasur me një automjet i tipit Benz me targë LE 2960 A, duke shkaktuar dy të plagosur.
Sipas të dhënave policore, drejtuesi i motoçikletës ka qenë 29-vjeçari Odise Gjyrgji, banues në Gradishtë të Lushnjës, ndërsa ai i Benzit ka qenë Llesh Lala, banues në Shënkoll të Lezhës. Si pasojë e kësaj përplasje kanë marrë dëmtime të lehta Odise Gjyrgji dhe E. Rr, të cilët pasi morën ndihmë mjekësore në Lezhë, janë larguar për në banesat e tyre jashtë rrezikut për jetën.
Korçë
Kapet i shpalluri në kërkim për vjedhjes
Nga forcat e policisë të Komisariatit të Pogradecit, u bë e mundur kapja e personit të shpallur në kërkim, Ervis Dushi, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Buçimas. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se ky person është shpallur në kërkim për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim e mbetur në tentativë” parashikuar nga neni 134/2 dhe 22 i Kodit të Procedurës Penale. Ndalimi i tij lidhet me ngjarjen e ndodhur në datën 7 korrik të këtij viti ku është tentuar të vidhet një motor automjeti në pikën e bllokimit në repartin e Policisë Kufitare dhe Zjarrfikëses së Pogradecit.
Korçë
Depresioni, gjendet vetëhelmuar 58-vjeçari
Familjarët kanë gjetur të vdekur në dhomën e gjumit 58-vjeçarin Agim Spaho, lindur në fshatin Rakickë të Korçës. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se para gjashtë muajsh ky person ka bërë një aksident automobilistik me mjetin e tij dhe ka humbur bashkëshorten. Familjarët kanë konfirmuar se gjatë kësaj periudhe, nën efektin e depresionit ai është shprehur se do të helmonte veten e duket se e ka bërë një gjë të tillë. Bëhet e ditur se nga këqyrja e kufomës nuk janë vërejtur shenja dhune apo dëmtime të tjera me mjete të forta ose të mprehta, gjithsesi për konfirmim më të specializuar pritet akti i ekspertimit mjeko-ligjor. Aktualisht, mendohet që viktima të ketë përdorur lëndë helmuese nga e cila ka gjetur vdekjen. U kryen veprimet procedurale për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal dhe materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.
4 Shtator 2009