Analiza e punës 2008, Tatimet mblodhën 250 milionë dollarë më shumë se në vitin 2007
Ervin Koçi
Administrata tatimore ka vlerësuar se viti 2008 ishte viti i një performance të mirë. Në analizën e punës njëvjeçare të Tatimeve, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, u shpreh se gjatë vitit 2008 janë bërë përmirësime në administratën tatimore. Kreu i Tatimeve tha se arritje ka pasur në mbledhjen e taksave të tilla si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Tatimi i fitimit etj., rezultate të cilat kanë qenë të dukshme. "Kjo performancë cilësore e administratës tatimore, me uljen e taksave dhe rritjen e të ardhurave tatimore të mbledhura, është shoqëruar me një reformë të gjerë, të plotë dhe efikase në drejtim të procedurave dhe të administrimit të tatimeve",- tha drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini. Sipas kreut të Tatimeve, në kuadër të reformës gjatë vitit 2009, do të vijohet me zgjerimin e shërbimeve “on-line”, për të gjitha llojet e deklarimeve tatimore, përfshirë këtu edhe pagën dhe sigurimet shoqërore. Në këtë mbledhje merrte pjesë edhe zëvendësministri i Financave, Florian Mima, i cili kërkoi të rritet sensibilizimi te taksapaguesit dhe të merren masa për shmangien e korrupsionit.
Rritja e të ardhurave
Administrata tatimore ka arritur të mbledhë për vitin 2008 rreth 250 milionë dollarë më shumë, krahasuar me vitin paraardhës (2007). Shifra është bërë publike dje gjatë analizës vjetore nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, i cili deklaroi se “rritja e të ardhurave është realizuar në një vit kur janë ulur një sërë taksash”. Sipas tij, “rritja e të ardhurave nga taksat dhe tatimet me 20 për qind ka bërë që shuma të shkojë në 148 miliardë lekë më shumë. Kjo gjë ka ardhur dhe nga puna e administratës dhe nga lufta e evazionit fiskal”. Drejtori Sefgjini deklaroi se “programi i të hyrave tatimore në vitin 2008 u realizua sipas parashikimeve të buxhetit dhe rezulton me rritje të të ardhurave me 20 për qind”.
Kritikat e zëvendësministrit
Zëvendësministri i Financave, Florian Mima, ka mbajtur një qëndrim kritik për punën e administratës tatimore. Sipas tij, performancë e mirë nuk do të thotë vetëm realizim i të ardhurave. "Ne s'do të vazhdojmë të kënaqemi me raportimin e shifrave, qoftë dhe kur këto janë në përputhje me parashikimet. Gjykoj që ky nuk është misioni i vetëm i administratës tatimore. Në çdo administratë tatimore të vendeve të zhvilluara misioni kryesor është të ndihmojë tatimpaguesit të kuptojnë drejt detyrimet e tyre", - tha zëvendësministri i Financave, Florjon Mima. Më tej zëvendësministri Mima u kërkoi tatimorëve të rritin më tej cilësinë e shërbimit ndaj bizneseve. “Duke parë administratat tatimore të vendeve të tjera, gjykoj se cilësia e shërbimit këtu lë për të dëshiruar”, - tha Mima, i cili vijoi më tej: “Kemi kaq vite që insistojmë dhe nuk marrim shifra nga deklaratat. Nuk dëgjova asnjë fjalë për korrupsion. Ende ky vend vazhdon të thithë kritika për këtë sektor dhe të gjitha këto sinjale që ne marrim na bëjnë të dyshojmë se individë të veçantë vazhdojnë të nëpërkëmbin ligjet e shtetit për përfitime personale. Nuk është dhënë asnjë shifër për njerëz përgjegjës për shkelje që minimalisht të jenë pushuar nga puna ose të jenë dërguar para drejtësisë”. Kritikat e forta të numrit 2 të Financave vijnë në një kohë kur të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat po shfaqin një tendencë rënëse, e cila ka qenë më e theksuar gjatë dy muajve të fundit për shkak edhe të rënies masive të çmimeve në tregje. Mes tatimorëve dhe biznesit ka pasur konflikte, të cilat mendohet të jenë shkaktuar nga administrata. Në fillim të vitit 2008, gjashtë policë tatimorë të kryeqytetit dhe drejtori i tyre u arrestuan në flagrancë për mitmarrje dhe presione ndaj bizneseve të ndryshme.
17 Janar 2009