Kontrolle blic në të gjitha njësitë e mbushjes së gazit
Inspektorati Qendror Teknik po vazhdon kontrollet në të gjithë territorin e vendit, në njësitë e mbushjes e gazit. Kontrollet kanë si qëllim evidentimin e zbatimit të rregullave teknike nga ana e tyre, si dhe pajisjen e tyre me autorizim nga bashkia. "Ne po ushtrojmë kontrolle vazhdimisht në njësitë e tregtimit të mbushjes së gazit të lëngshëm në të gjithë vendin, në mënyrë që të evidentojmë aktivitetin e pikave që nuk zbatojnë rregullat teknike", - tha sot kryetari i Inspektoratit Qendror Teknik, Ilir Kurti. Sipas tij, një pjesë e këtyre pikave të mbushjes së gazit janë pa autorizim dhe ne ia kemi përcjellë shqetësimin tonë pushtetit vendor, i cili ka për detyrë pajisjen e tyre me dokumentacionin përkatës. "Gjatë vitit 2008 IQT ka çuar 7 subjekte të mbushjes së gazit që ndodhen në Tiranë për ndjekje penale, si dhe ka bllokuar 16 autogaze", - nënvizoi Kurti. Ai shtoi se gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë vitit 2008 rezultoi se rreth 47 njësi të mbushjes së gazit në të gjithë vendin nuk ishin të pajisura me autorizimin përkatës nga bashkia.
Kriza rrit çmimin e gazit edhe në Fier, shitet 10 për qind më shtrenjtë
FIER - Kriza europiane e gazit, si pasojë e përplasjes mes Rusisë dhe Ukrainës, ka filluar të ketë pasojat negative edhe në vendin tonë. Ditën e djeshme konsumatorët në qytetin e Fierit e kanë blerë këtë produkt 10 për qind më shtrenjtë. Banorët thonë se një litër gaz tani kushton 130 lekë. Ky produkt përdoret në shkallë të gjerë, qoftë për ngrohje, qoftë për gatim që prej rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ndonëse konsumatorët ankohen, tregtarët justifikohen me rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, sidomos gjatë javëve të fundit.
Çmimi i naftës, 80 milionë fuçi bllokohen në Oqeanin Indian
Ndërsa çmimi i naftës luhatet në nivelet më të ulëta në bursë, dhjetëra cisterna qëndrojnë në vend nga Oqeani Indian deri në Gjirin e Meksikës, me 80 milionë fuçi në bord. Ato refuzojnë të zbarkojnë në tokë duke pritur ngritjen e çmimit të naftës, që prej më shumë se një viti ka rënë nga 150 dollarë në mbi 30 dollarë për fuçi. E gjitha kjo është një masë drastike e marrë nga vendet konsumatore dhe petroliferat më të mëdha të botës, për të kursyer në kohë krize, por dhe për të ndikuar në rritjen e çmimit. Kompanitë i kanë bërë llogaritjet mirë. Fitojnë më shumë po t’i mbajnë pezull fuçitë e naftës. Deri tani në të gjithë botën janë ruajtur 327 milionë fuçi naftë, që investitorët i ruajnë duke qenë të bindur se nafta, s’ka ku shkon tjetër veçse të rritet. Vendi që ka ndalur më shumë cisterna në botë është Irani. Por një kursim i tillë i prodhimit të naftës, thonë ekspertët, kërcënon të gjithë ekonominë globale.
17 Janar 2009