Xhufi: “Jemi kundër ligjit të dosjeve, refuzojmë ofertën për zbatimin e tij”
Lëvizja Socialiste për Integrim konfirmon qëndrimin kundërshtues ndaj ligjit të dosjeve, të cilin e cilëson antikushtetues dhe jo në funksion të interesave të vendit. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha se LSI-ja do të luftojë në rrugë ligjore për kthimin e këtij ligji. I pyetur nga gazetarët nëse LSI-ja do të pranonte ofertën e kryeministrit Berisha për të patur një anëtar në komisionin e zbatimit të ligjit të dosjeve, Xhufi tha se LSI-ja refuzon të bëjë një gjë të tillë përderisa e konsideron këtë ligj në kundërshtim me interesat e vendit. “Ne jemi ndër ata që shpresojmë dhe do të luftojmë që ky ligj të mund të kthehet, duke ndjekur rrugët ligjore të mëtejshme. Jemi nga ata që kemi votuar me forcë kundër këtij ligji, ashtu siç kemi votuar edhe disa nga ligjet e tjera që kanë kaluar dhe që ne mendojmë që kanë qenë në përplasje të drejtpërdrejtë me demokracinë dhe me parimin e ndërtimit të institucioneve të shëndosha. E konsiderojmë këtë ligj si një ligj që nuk është në interes të vendit. Si i tillë, nuk mund të marrim pjesë në menaxhimin e këtij ligji”, - tha Xhufi. Zëvendëskryetari i LSI-së kritikoi gjithashtu edhe politikat ekonomike të ndjekura nga qeveria aktuale. Xhufi tha se qeveria e kryeministrit Berisha nuk është e përgatitur të përballojë krizën globale. “Ne shohim me shumë shqetësim që në një vit, i cili paralajmërohet të jetë një vit i vështirë për të gjithë botën, natyrisht edhe për Shqipërinë, që do të jetë një vit i krizës së madhe jo vetëm i sistemit financiar, por edhe i sistemit produktiv, qeveria shqiptare është tërësisht e papërgatitur dhe e pamotivuar për t’u përballur me këtë sfidë. Ajo nuk ka përpunuar realisht asnjë politikë, e cila të mbështesë me fonde ndërmarrjet e kompanitë në vështirësi apo bankat e nivelit të dytë. Buxheti i vitit 2009 nuk parashikonte asnjë fond të veçantë për një fond emergjence për t’u përballur me situatat e krizës që po vjen”, - vijoi zëvendëskryetari i LSI-së dhe njëkohësisht kreu i Grupit Parlamentar “E majta për integrim”.
17 Janar 2009