Veliaj: “Inkurajojmë të gjithë të rinjtë të pajisen me karta identiteti”
Drejtuesi i G99-s, Erion Veliaj, u paraqit dje te Posta Qendrore e kryeqytetit për të paguar dhe marrë kuponin e aplikimit për kartë identiteti. Veliaj u bëri apel të gjithë të rinjve për t’u pajisur me kartat e identitetit. “Sot ne e dimë që ka filluar një proces i marrjes së kartave të identitetit që si çdo proces me përmasa kaq të mëdha është i komplikuar dhe do të dojë kohë. Nuk ka nevojë të krijojmë panik apo histeri në publik, por duhet të inkurajojmë të gjithë të pajisen me kartë dhe të bëjnë identifikimin dhe regjistrimin. Kësaj qeverie i ra për hise ky proces dhe e rëndësishme është që ai të kryhet sa më mirë dhe me sa më pak probleme. Sot jam këtu për t’u bërë një apel të veçantë të gjithë të rinjve shqiptarë që nuk rrezikojnë të penalizohen me rroga apo pensione, pra procesi i aplikimit të të cilëve varet vetëm nga vullneti i tyre që ta ndërmarrin këtë hap. E ardhmja e këtij vendi u përket të rinjve, na përket neve dhe jemi ne që duhet të sjellim ndryshimin. Manuali i ndryshimit për vitin 2009 ka dy hapa kryesorë, regjistrohemi në fillim për të drejtën e votës dhe më pas votimin për të sjellë ndryshimin në 2009-n. Ftojmë të gjithë të rinjtë të pajisen me këto karta dhe të votojnë në 2009-n”, - tha Veliaj. Ai sqaroi se G99 do të ndërmarrë një fushatë sensibilizuese për t’i inkurajuar studentët dhe gjimnazistët që të pajisen me kartat e identitetit.
Baraj: “Berisha gënjeu për dosjet, kartat dhe MSA-në”
Partia Socialiste akuzon kryeministrin Berisha se ka gënjyer për tri çështje të rëndësishme. Kreu i PS-së së Tiranës, Besnik Baraj, tha se Berisha gënjeu kur tha se ligji për dosjet ishte sipas standardeve europiane, gënjeu për çështjen e kartave të identitetit si dhe kur deklaroi se ratifikimi i MSA-së ishte meritë e qeverisë. “Kemi tri gjëra për Sali Berishën. E para, gënjeu kur tha se ligji i dosjeve është me standarde europiane, sepse sot sekretari i Përgjithshëm i KE-së tha të kundërtën.
E dyta, gënjeu kur tha se prioriteti i tij është pajisja me karta, sepse ditë për ditë po vërtetohet që qeveria s'ka as plan, as kalendar, as shqetësim maksimal për këtë çështje jetike për Shqipërinë e vitit 2009. Dhe, e treta, gënjeu kur tha se ratifikimi i MSA-së është meritë e qeverisë, sepse MSA-ja u ratifikua falë të gjitha kontributeve në vite të të gjitha palëve dhe nëse u vonua kaq shumë një ndër shkaktarët kryesorë është vetë Sali Berisha, simboli i një politike të vjetër, që prej 18 vjetësh i ka lënë shqiptarët jo vetëm pa drita, pa ujë, pa punë, por së fundmi ua merr taksat për të reklamuar gënjeshtrat e qeverisë së tij”, - tha Baraj.
17 Janar 2009