E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, shpallja e kritereve për kandidatët për deputetë në shkurt



Shaban Sulçe

Partia Socialiste do të shpallë gjatë muajit të ardhshëm kriteret për përzgjedhjen e emrave për kandidatë të saj për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Burime nga selia rozë bënë të ditur se kriteret përzgjedhëse për emrat që do të përfaqësojnë listën e kandidatëve të PS-së në zgjedhje priten të shpallen gjatë muajit të ardhshëm, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. “Nuk jemi duke punuar për emra të veçantë, por jemi duke punuar për vendosjen e kritereve, që do të garantojnë kandidatë cilësorë që do përfaqësojnë Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kriteret priten të shpallen në muajin e ardhshëm, gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste”, - thanë për gazetën “Albania” burime nga selia rozë.

Kandidatët
Kriteret e vendosura dhe rezultati i sondazheve me anëtarësinë do të kenë një efekt deciviz në përcaktimin e emrave për kandidatë për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi disa muaj më parë se emrat për kandidatë për deputetë do të përcaktohen vetëm 45 ditë përpara fillimit të fushatës elektorale. Në selinë rozë po i kushtohet rëndësi përcaktimit të kritereve që do të vendosen për personat që tentojnë të kandidojnë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e këtij viti. Por po aq të rëndësishme në përcaktimin e emrave për kandidatë do të jenë edhe rezultatet e sondazheve me anëtarësinë socialiste, e cila do të japë pëlqimin e saj për emrat që do të përfaqësojnë Partinë Socialiste në garën parlamentare.

Kriteret
Kriteret për kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme duket se do të jenë të njëjta me ato të përdorura për zgjedhjen e kryetarëve të degëve lokale të Partisë Socialiste në rrethe. Kriteret minimale për kandidatët për deputetë të PS-së në zgjedhjet e ardhshme janë si më poshtë: kandidati duhet të ketë jo më pak se 3 vjet anëtarësi në parti dhe të jetë zgjedhur në KD-në e rrethit ose të ketë një mandat përfaqësimi si deputet. Kriteret e tjera vijojnë si më poshtë: të jetë figurë e njohur politike, të jetë vlerësuar pozitivisht në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme, të ketë përvojë dhe aftësi të treguara në drejtimin dhe organizimin e partisë, të këtë arsim të lartë, të ketë oratori të kënaqshme, të këtë karakter aktiv si dhe të tregojë përkushtim dhe përgjegjësi ndaj Partisë.

Deputetët aktualë
Për deputetët aktualë të Partisë Socialiste, të cilët synojnë rikandidimin në zgjedhjet e ardhshme, do të jetë shumë e rëndësishme puna individuale e secilit deputet si në Kuvend, ashtu edhe në zonën e tij elektorale. Të paktën këto dy kritere u vendosën nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, gjatë një mbledhjeje që ai zhvilloi me deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në fillim të kësaj legjislature në muajin shtator.

17 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›