Shoqata e Njësive Bashkiake të Tiranës: Buxheti paraqiste shumë mangësi
Shoqata e Njësive Bashkiake të Tiranës del kundër kryebashkiakut Rama, duke rrëzuar deklaratën e tij, sipas të cilit, projektbuxheti i vitit 2009 ishte rrëzuar për ambicie politike. Përfaqësues të Shoqatës së Njësive Bashkiake të kryeqytetit thanë se projektbuxheti kishte shumë mangësi dhe se ishte një kopje e buxhetit të investimeve dhe projekteve të parealizuara për vitin 2008. Përfaqësuesi i kësaj shoqate Armond Halebi tha se kreu i bashkisë së Tiranës nuk kishte marrë parasysh sugjerimet dhe vërejtjet e depozituara nga kjo shoqatë për përmirësimin e projektbuxhetit. “Me keqardhje dëgjuam dje deklaratën e kryetarit të Bashkisë, z. Edi Rama, ku theksoi se buxheti i vitit 2009 u hodh poshtë për arsye politike, kur në të vërtetë është e kundërta dhe për këtë, ne si Shoqatë e Njësive Bashkiake jemi shprehur qartë përpara se ky projekt të kalonte në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Ne i jemi drejtuar Këshillit në emër të qytetarëve dhe qytetareve të Tiranës për të bërë ndryshime në këtë buxhet bazuar në kërkesat e tyre dhe jo për të shprehur mllef politik. Z. Rama u shpreh se ky buxhet është më i miri që administrata e Bashkisë ka hartuar deri më sot, por i kujtojmë Z. Rama se ky buxhet është një kopje buxhetit të investimeve apo projekteve të parealizuara për vitin 2008”, - tha ai.
Shalsi: ”Pasojat që do të sjellë mosmiratimi i buxhetit”
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, paralajmëroi një sërë pasojash për investimet në çështjet sociale, si rezultat i rrëzimit të projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2009. “Politika e ndjekur nga kahet politike të PD-së dhe LSI-së po pengon ecurinë në kopshte, shkolla, infrastrukturë rrugore”, - tha Shalsi. Deklarata e tij është bërë në shkollën e re “Pal Engjëlli”, ku nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle janë të detyruar të vuajnë pasojat e mungesë së energjisë elektrike në shkollën e tyre. “Kjo shkollë e re duhet të lidhë kontratën e energjisë, por fatkeqësisht prej ditësh për fëmijët e mësuesit e saj s’ka drita, sepse buxheti që mbulon shpenzimet e reja të qytetit për vitin 2009 u rrëzua nga Sali Berisha e Ilir Meta. A nuk është revoltuese që për një pseudofitore politike të Sali Berishës e Ilir Metës në sallën e Këshillit Bashkiak duhet të paguajnë fëmijët e mësuesit e kësaj shkolle?!” - u shpreh nënkryetari Shalsi. Ai ironizon politikën e ndjekur nga kahet politike duke u shprehur se tashmë ka ardhur koha që t’i jepet fund politikës së politikanëve që u fikin dritat fëmijëve për të bërë të pakënaqur prindërit.
17 Janar 2009