E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza në PD, anëtarët e Kryesisë së vogël, rezultate të dobëta në zgjedhje



Eljona Ballhysa
Me përcaktimin e datës së mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së, burime nga selia blu bëjnë të ditur se kanë nisur analizat në rrethe. Por ajo që mungon ende, sipas burimeve, është analiza në qendër, pikërisht ndaj anëtarëve të Kryesisë së vogël të PD-së. Në zgjedhjet e 28 qershorit, pesë anëtarët e Kryesisë së vogël të Partisë Demokratike kanë arritur rezultate të dobëta. Shumica e tyre ka kapur një shifër votash më të ulët se Partia Socialiste, ndërsa përsa i përket ndarjes së mandateve në disa prej qarqeve, rezultati ka qenë i barabartë dhe në disa qarqe të tjera socialistët janë në avantazh. Megjithëse pak ditë më parë, në mbledhjen e Kryesisë Qendrore u vendos të analizohej rezultati i zgjedhjeve, mendohet se pavarësisht rezultateve të dobëta, nuk do të preken 5 anëtarët e Kryesisë së vogël, të cilët para zgjedhjeve të 28 qershorit hartuan të vetëm listën e kandidatëve për deputetë të PD-së.
Anëtarët
Sali Berisha, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Ridvan Bode dhe Sokol Olldashi janë pesë anëtarët e Kryesisë së vogël të Partisë Demokratike. Kjo strukturë, megjithëse nuk njihet në Statutin e PD-së, është struktura kryesore vendimmarrëse në këtë parti. Pikërisht këta pesë anëtarë të PD-së vendosin për gjithçka në këtë parti. Madje, gjatë periudhës përgatitore për zgjedhjet e 28 qershorit, këta pesë anëtarë kanë hartuar listat e kandidatëve për deputetë, duke përcaktuar jo vetëm emrat e atyre që do të merrnin pjesë në garë, por edhe pozicionin që do të kishte secili në listë. Ndërkaq, të pestë këta anëtarë kanë mbajtur pozicionin e parë në listë në pesë qarqet më të mëdha të vendit. Kështu, kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka kryesuar listën e 32 kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun e Tiranës. Nga grafiku e rezultateve zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor rezulton se Partia Demokratike në qarkun e Tiranës ka kapur 161 332 vota, karshi 162 757 votave që ka kapur Partia Socialiste në këtë qark. Megjithëse kjo shifër votash është ndarë në një numër të barabartë mandatesh, pra 15 deputetë për PD-në dhe 15 për PS-në, tregon një rezultat të dobët të demokratëve në këtë qark, pasi pretendonin të merrnin shumicën e mandateve.
Në qarkun Korçës, ku listën e kandidatëve për deputetë të PD-së e ka kryesuar sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode, rezultati për këtë parti në numër votash paraqitet më i ulët se ai i Partisë Socialiste. Konkretisht, PD-ja në Korçë ka kapur 56 303 vota, karshi 58 289 votave të Partisë Socialiste. Edhe në këtë qark numri i mandateve është ndarë në mënyrë të barabartë, 6 deputetë për PD-në dhe 6 për PS-në, por ky nuk mund të cilësohet rezultat i mirë për Partinë Demokratike.
Rezultati i Partisë Demokratike në qarkun e Fierit është më i ulëti i shënuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Listën e deputetëve të PD-së në këtë qark e ka kryesuar një tjetër anëtar i Kryesisë së vogël, Sokol Olldashi, i cili në këtë qark ka kapur 55 841 vota karshi 85 696 votave që ka kapur Partia Socialiste në këtë qark. Ndërsa në numër mandatesh në qarkun e Fierit PD-ja ka marrë 6 deputetë dhe PS-ja 9 të tillë.
Në qarkun e Vlorës listën e kandidatëve të PD-së e ka kryesuar nënkryetari i kësaj partie, Astrit Patozi. Edhe në këtë qark PD-ja ka kapur një numër të vogël votash krahasuar me Partinë Socialiste. Në këtë qark PD-ja ka marrë vetëm 30 310 vota, konvertuar në 4 mandate deputeti, ndërsa PS-ja 47 284 vota, ose 6 deputetë.
Në qarkun e Shkodrës, megjithëse demokratët kanë marrë më shumë deputetë se socialistët, rezultati i kësaj partie në këtë bastion të PD-së është cilësuar si më i dobëti i marrë ndonjëherë nga kjo parti. PD-ja në qarkun e Shkodrës kryesohej me nënkryetaren Topalli. Në këtë qark kjo parti ka marrë 56 515 vota, ose 7 deputetë, ndërsa PS-ja 34 294 vota, ose 4 deputetë. Për këtë qark PD-ja synonte të merrte 9 deputetë, dhe jo 7.
“Ky Kuvend Kombëtar Zgjedhor do të jetë akti final i procesit të analizave për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit si dhe i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në kuvendet e degëve. Këto analiza do të shoqërohen me të gjitha korrigjimet e nevojshme në drejtimin e strukturave lokale për të mënjanuar defektet e mundshme të vërejtura në zgjedhjet e 28 qershorit”, - shkruhet në vendimin e marrë pak kohë më parë në mbledhjen e Kryesisë Qendrore të partisë.

Tabela e rezultateve
Qarku i Tiranës
Sali Berisha
PD 161 332 vota PS 162 757 vota

Qarku i Korçës
Ridvan Bode
PD 56 303 vota PS 58 289 vota

Qarku i Fierit
Sokol Olldashi
PD 55 841 vota PS 85 696 vota

Qarku i Vlorës
Astrit Patozi
PD 30 310 vota PS 47 284 vota

Qarku i Shkodrës
Jozefina Topalli
PD 56 515 vota PS 34 294 vota

Qeveria, negociata për ndërtimin e një naftësjellësi që do të kalojë në Shqipëri

Qeveria shqiptare është në negociata e sipër me qeveritë e Azerbajxhanit, Turqisë dhe vendeve të tjera, për ndërtimin e një naftësjellësi, i cili do të kalojë përmes Shqipërisë dhe do të përfundojë në Europë, të quajtur “Transadriatik 1”. Lajmi u bë publik nga vetë kryeministri Berisha gjatë një fjalimi që ai mbajti në konferencën e dytë të investitorëve të huaj në Shqipëri. “Ne po negociojmë me qeveritë e Azerbajxhanit, Turqisë dhe shteteve të tjera për ndërtimin e një naftësjellësi që do të kalojë përmes Shqipërisë të quajtur “Transadriatik 1”, që do të ndërtohet nga dy kompani, njëra zvicerane dhe tjetra norvegjeze. Ndërsa një tjetër projekt i rëndësishëm më diskutim me qeverinë e Katarit është ai për ndërtimin e një impianti rigazifikimi dhe termocentrali me gaz në Seman”, - tha Berisha. Prezantimi i dy projekteve, naftësjellësi dhe rigazifikatori në Seman, sipas shefit të qeverisë, janë dy mundësi të reja energjie që Shqipëria u ofron investitorëve të huaj, ndërsa deklaroi i bindur se biznesi më i sigurt dhe fitimprurës në vendin tonë është turizmi. Duke përshëndetur të pranishmit, kryeministri Berisha falënderoi investuesit e huaj për mbështetjen bujare që i kanë ofruar Shqipërisë përmes financimit të projekteve të rëndësishme për vendin në fusha të ndryshme si infrastrukturë, shëndetësi, arsim, bujqësi etj., të cilat kanë kontribuar ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës. Duke vlerësuar konferencën si një mundësi të madhe për njohjen e potencialeve dhe mundësive që ofron Shqipëria, kryeministri u shpreh se sot më shumë se kurrë ekonomia shqiptare ka nevojë për investime në projekte vendimtare për vendin, të cilat të cilat do të rrisin hapësirat e tregut dhe do të krijojnë një klimë shumë të favorshme për biznesin. Ndër të tjera kryeministri theksoi se kompanitë e reja do të gjejnë në Shqipëri mundësi të jashtëzakonshme për të shfrytëzuar në turizëm, energji, miniera etj.

4 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›