Tahiri: “Miratimi i Marrëveshjes me Greqinë, Kushtetuta duhet interpretuar”
Shaban Sulçe
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk shprehet qartë përsa i përket mënyrës se si mund të shqyrtohen dhe të votohen në Kuvendin e Shqipërisë marrëveshje të tilla, të cilat vënë në diskutim integritetin territorial të vendit. Ky është mendimi i deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, i cili ka qenë edhe autor i depozitimit të ankimimit që partitë e opozitës, të majta e të djathta, kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese ndaj Marrëveshjes së përcaktimit të kufijve ujorë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas Tahirit, Kushtetuta ia mohon mundësinë popullit që të shprehet me anë të referendumit mbi çështje që kanë të bëjnë me territorin, ndërkohë që nga ana tjetër duket sikur lejon që marrëveshje të tilla të miratohen me Kuvend me një shumice të thjeshtë. Deputeti socialist mendon se është e domosdoshme që Gjykata Kushtetuese të bëjë një interpretim mbi këtë çështje.
Prononcimi
“Duket sikur Kushtetuta ka një paqartësi mbi maxhorancën parlamentare për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me territorin e vendit. Është e paqartë çfarë ka pasur parasysh legjislatori dhe çfarë kupton Kushtetuta kur përmend marrëveshjet që kanë të bëjnë me territorin. Ka disa pikëpyetje që ndoshta është më mirë të sqarohen me një interpretim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese. A përfshihen këtu edhe marrëveshjet ndërkombëtare që potencialisht mund të cenojnë tërësinë territoriale të vendit? A mos duhet që maxhoranca parlamentare, për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve, të jetë më e madhe sesa maxhoranca e thjeshtë? Përderisa Kushtetuta, në Nenin 151 të saj ndalon në mënyrë kategorike që çështje që kanë të bëjnë me tërësinë territoriale të vendit të shtrohen në referendum. Por kur Kushtetuta ia ndalon këtë popullit, atëherë si mund të ratifikohet një marrëveshje ndërkombëtare që dyshohet se cenon tërësinë territoriale vetëm me shumicë të thjeshtë, pra me një maxhorancë prej 71 votash?! Në këtë kontekst ka një vakuum ose paqartësi kushtetuese dhe në opinionin tim, vetëm një interpretim i Gjykatës Kushtetuese mund të bëjë një sqarim përfundimtar për këtë çështje kaq të rëndësishme”, - u shpreh Tahiri në një prononcim për gazetën “Albania”.
Kërkesa
Deputeti socialist ka sqaruar gjithashtu se Gjykata Kushtetuese nuk e ka rrëzuar kërkesën ankimuese të opozitës ndaj Marrëveshjes me Greqinë për ujërat. Tahiri tha se Gjykata Kushtetuese thjesht ka kërkuar dokumentacion shtesë, i cili, sipas tij, do t’i vihet shumë shpejt në dispozicion kësaj gjykate. “Gjykata Kushtetuese nuk ka rrëzuar kërkesën e opozitës, por ka kërkuar plotësimin e saj me dokumentacionin shtesë, të cilit ne i bëjmë referencë të shprehur në kërkesën e paraqitur. Konkretisht, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar të administrojë Statutin dhe Programin e Partisë Socialiste, dokumente që ne do i dorëzojmë brenda afatit të parashikuar”, - u shpreh Tahiri.
Pakti me Greqinë, Tahiri depozitoi ankimimin në Gjykatën Kushtetuese
Opozita depozitoi pak ditë më parë ankimimin në Gjykatën Kushtetuese të Marrëveshjes midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke për përcaktimin e kufijve ujorë midis dy vendeve. Depozitimi u bë nga deputeti socialist Saimir Tahiri, i cili ishte edhe autori i përgatitjes së draftit ankimues. Në fakt, depozitimi në Kushtetuese i këtij ankimimi ishte parashikuar të bëhej në mesin e muajit tetor, por shkak për këtë shtyrje u bë vendimi i Kuvendit për ta shtyrë pa afat ratifikimin e Marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, pas presionit mediatik në rritje. E parashikuar për të kaluar në seancën plenare të së hënës, në datën 19 tetor, Marrëveshja tanimë nuk ekziston në axhendën parlamentare. Në të nuk shkruhet asnjë datë dhe asnjë rresht për ditën se kur do të bëhet ratifikimi i saj. Gjashtë parti opozitare, të majta e të djathta, kanë nënshkruar dokumentin, në të cilin i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese të shprehen për kushtetutshmërinë e Marrëveshjes së dy qeverive për ujërat territoriale shqiptare.
Ankimimi, 6 parti opozitare nënshkruan draftin
Gjashtë parti të opozitës, të kryesuara nga Partia Socialiste, nënshkruan në fillim të muajit tetor draftin e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese të Marrëveshjes së qeverisë shqiptare me qeverinë greke për përcaktimin e kufijve ujorë midis dy vendeve. Drafti është nënshkruar gjatë takimit që kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi me kreun e PDK-së, Nard Ndoka, me kreun e PLD-së, Spartak Ngjela, kreun e G99-s, Erion Veliaj, kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi dhe kreun e PDS-së, Paskal Milo. Drafti është përgatitur nga deputeti socialist Saimir Tahiri dhe objekti i ankimimit është Marrëveshja që ka nënshkruar qeveria shqiptare me qeverinë greke për dhurimin e territorit ujor shqiptar. Partitë opozitare do të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të rrëzojë Marrëveshjen midis dy vendeve, pasi sipas opozitës, një marrëveshje e tillë përbën shkelje të rëndë të sovranitetit territorial të vendit. Opozita synon të bllokojë dhe të rrëzojë këtë marrëveshje edhe pa qenë e pranishme në Kuvend. Për këtë arsye, rrugëzgjidhja është parë te Gjykata Kushtetuese, për të cilën ajo do të depozitojë ankimimin. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për ta cilësuar të paligjshme këtë marrëveshje do të bënte që Kuvendi i Shqipërisë të mos kishte mundësinë që të ratifikonte Marrëveshjen e nënshkruar midis dy vendeve.
4 Nentor 2009