E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët bojkotues të PS-së, Naço: “Do të presim deri në dhjetor, më pas do të zëvendësohen”



Deputetët bojkotues të Partisë Socialiste kanë afat deri në muajin dhjetor për të vendosur nëse do të mbajnë mandatin e deputetit, apo do të lejojnë zëvendësimin e tyre. Në fakt, Kuvendi ka të drejtën ligjore për t’iu drejtuar në çdo moment Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të nisur procedurat e zëvendësimit të deputetëve socialistë, të cilët ende nuk kanë bërë betimin pas fitimit të mandatit në zgjedhjet e 28 qershorit, megjithatë, Kuvendi u ka lënë afat muajin dhjetor, pasi duket se ka sinjale pozitive që brenda kësaj periudhe deputetët socialistë dhe opozita të vendosin që të hyjnë në Kuvend. Një lajm i tillë është konfirmuar nga nënkryetari i Kuvendit, njëkohësisht deputeti socialiste Nasip Naço, i cili, gjatë një interviste televizive tha: “Nuk besoj se do të arrijmë deri te shterimi i listës së partive politike, pasi përpjekjet janë të gjithanshme që opozita të zërë vendin e saj në Parlament. Unë kam bindjen se brenda dhjetorit opozita do të zërë vendin e saj në Parlament”.

Zëvendësimi
Vijimi i bojkotit të Kuvendit nga ana e Partisë Socialiste përtej muajit dhjetor do të sillte në mënyrë të pashmangshme zëvendësimin e deputetëve aktualë. Sipas Kodit Zgjedhor, pas shterimit të listës së deputetëve të një partie, vendet e lëna bosh në Parlament prej saj, zihen nga aleatët brenda të njëjtit koalicion. Nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço, deklaroi se në rast se bojkoti do të vijojë më gjatë, edhe pas dhjetorit, atëherë do të zbatohet Rregullorja e Kuvendit si dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Sipas Naços, deputetët mund të zëvendësohen në rast se ata refuzojnë të bëjnë betimin. “Detyrimisht, nëse do të vazhdojë me rrugën e bojkotit, do të zbatohet si Rregullorja e Parlamentit, si Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Parashikohet që deputeti duhet të vijë dhe të bëjë betimin. Në rast se ai i shmanget betimit, atëherë sekretariati i përkohshëm do t’i drejtohet KQZ-së me një relacion për t’i shpjeguar se një grup deputetësh apo një deputet i veçantë nuk pranon të bëjë betimin, detyrimisht do të zbatohet Kodi Zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, - tha Naço.

Deputetët

Teksa shumica e deputetëve të Partisë Socialiste janë shprehur të vendosur për të vazhduar deri në fund zbatimin e vendimit politik për bojkotin e Kuvendit, një grup deputetësh të PS-së pritet ta thyejnë atë dhe të hyjnë në Kuvend, në një të ardhme shumë të afërt. Këta janë kryesisht deputetët që përfaqësojnë Lëvizjen për Mendim Ndryshe brenda Partisë Socialiste. Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Andis Harasani dhe Marko Bello, teksa kanë kundërshtuar vazhdimisht vendimin e PS-së për bojkotin e Kuvendit, kanë paralajmëruar hyrjen në Kuvend. Deputeti socialist Ben Blushi, duke paralajmëruar thyerjen e bojkotit, deklaroi se nuk kishte ndërmend që të digjte mandatin e deputetit për një kapriço të Edi Ramës. Të njëjtën gjë deklaroi edhe Harasani, ndërkohë që deputeti tjetër, Kastriot Islami, tha se do të hynte në Kuvend dhe do të votonte pro çdo ligji që ka të bëjë me reformat që nxisin integrimin e vendit. Megjithatë, deputetët socialistë që do të thyejnë vendimin politik për bojkotin, rrezikojnë përjashtimin nga Partia Socialiste, pasi një masë e tillë sanksionohet në Statusin e PS-së.

4 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›