Leja e ndërtimit në qendër të Tiranës, ndërtuesit kundërshtojnë qeverinë
Ervin KOÇI
Qeveria ka vijuar edhe dje me skemën e uzurpimit të pronës private në qendër të kryeqytetit. Si të mos mjaftonin debatet dhe konfliktet e ditëve të fundit për truallin në qendër të Tiranës, pronë e Komunitetit Mysliman dhe e familjes Kika, qeveria ka vijuar edhe dje të përdorë si vegla të grabitjes institucionet në varësi të saj. Për ta deklaruar në mënyrë të paligjshme këtë truall privat si një pronë shtetërore, qeveria dje ka urdhëruar edhe Agjencinë e Kthimit dhe Kondensimit të Pronave që të dalë e të deklarojë se prona në fjalë është shtetërore. Si për ironi të fatit, kjo agjenci është urdhëruar të reagojë pikërisht në një kohë kur qeveri mori vendimin për shkrirjen e saj pasi puna që ajo kishte kryer deri tani në zgjidhjen e çështjes së pronave private rezultoi e dështuar. Nga ana tjetër, edhe ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, dje reagoi në mënyrën e tij duke i hedhur “benzinë zjarrit”, ku në mënyrë demonstrative shkoi në këtë tokë, që është pronë private, dhe mbolli disa pemë duke e kthyer atë simbolikisht në lulishte. Gjatë fjalës së tij ministri Olldashi ftoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Rama, të kontribuojë në këtë hapësirë të gjelbër me mbjelljen e një kumbulle të kuqe. Por vendimi dhe veprimi i ministrit olldashi binte dje ndesh me ligjin dhe me të gjithë dokumentacionin që pronarët e ligjshëm të truallit dhe gjykata kanë tashmë në posedim. Në këtë mënyrë, e gjithë përpjekja e qeverisë për ta kthyer këtë pronë private në publike del e dështuar, gjë që dëshmohet edhe nga dokumentet dhe provat e mëposhtme.
Leja e ndërtimit
Leja e ndërtimit për sheshin në qendër të Tiranës e ka zanafillën që në vitin 1996, kohë kur Bashkinë e kryeqytetit e drejtonte Sali Kelmendi. Kjo leje është miratuar edhe nga kryeministri i asaj kohe, Aleksandër Meksi, më pas është rinovuar edhe nga kryebashkiaku Albert Brojka dhe më pas nga kryebashkiaku Edi Rama. Do të mjaftonte një korrespondencë e thjeshtë mes Ministrisë së Punëve Publike dhe Bashkisë së Tiranës që ministri Sokol Olldashi të informohej para daljes publike ditën e shtunë, se ndërhyrja që bëri në këtë pronë private ishte e kundërligjshme. Kjo mungesë informacioni e ministrit Olldashi sërish nuk e justifikon veprimin e strukturave të ministrisë që ai drejton, pasi kompetencat për të ndërtuar lulishte në qytet e ka vetëm Bashkia e Tiranës. Por edhe për këtë pikë, ministri Ollashi është i papërgatitur për të justifikuar veprimin e tij, i cili nuk mbështet në asnjë ligj. E gjithë kjo situatë u krijua teksa Inspektorati Kombëtar Ndërtimor dhunoi pronën e familjes Kika në qendër të qytetit. Ky veprim i urdhëruar nga ministri Olldashi përsërit precedentin e krijuar me të famshmin mbikalimin e Zogut të Zi, kur pushteti qendror ndërhyri në kompetencat e autoriteteve lokale.
Leja e Bashkisë
Leja më e fundit që është dhënë për ndërtimin e një godite në truallin në qendër të Tiranës mban datën 27.11.2008. Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës vendosi që të japë leje ndërtimi në pronën e Komunitetit Mysliman dhe të familjes Kika. Në të janë përcaktuar kriteret se si do të ndërtohet godina shumëfunksionale 24-katëshe, me gjatësi 85 metra. Më datën 12.10.2008, KRRT-ja e Bashkisë së Tiranës ka dhënë vendimin për shesh ndërtimi pikërisht në këtë pronë. Dokumenti thotë se KRRT-ja e Tiranës vendosi “të miratojë projektin teknik sipas projekt-idesë fituese të konkursit ndërkombëtar për godinë polifunksionale (qendër tregtare, zyra, hotel) 85 metra, me pesë kate parkim dhe shërbime nën tokë, në kryqëzim të Rrugës së Kavajës me Rrugën e Durrësit”.
Leja e qeverisë
Trualli i parashikuar për t’u ndërtuar godina 24-katëshe në pronat e familjes Kika dhe të Komunitetit Mysliman ka marrë “pagëzimin” edhe nga qeveria. Me një vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, që mban datën 27.04.2004, i firmosur nga kryeministri i asaj kohe, zoti Fatos Nano, është miratuar Studimi Urbanistik i Qendrës së Tiranës. Në këtë studim është parashikuar edhe ngritja e qendrës, e cila refuzohet nga Ministria e Transporteve sot. Më datë 15.04.2004, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës ka miratuar Studimin Urbanistik të Qendrës së Tiranës “Tirana një kryeqytet europian”, i projektuar nga studioja franceze “Architecture Studio”. Pronarët e truallit, por edhe investitori, kanë një sërë lejesh nga autoritetet qendrore, por edhe vendore në kryeqytet edhe para vitit 2001. Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, me vendimin e datës 21.05.2001, ka dhënë lejen e ndërtimit për kompleksin në qendër të Tiranës, në kryqëzimin e Rrugës së Durrësit me Rrugën e Kavajës. Ky vendim mban firmën e zotit Ilir Meta, kryeministër asokohe, firmat e sekretarisë teknike të KRRTSH-së, konkretisht të zonjës Shpresa Leka, sekretare, si dhe të kryetarit Albert Çaçi.
Leja e qeverisë “Meksi”
Sikur të mos mjaftonte gjithë ky mal me dokumente dhe leje, edhe qeveria “Meksi” e viteve 1992-1996-1997, si dhe Bashkia, dy institucione të drejtuara nga Partia Demokratike, u kanë dhënë leje pronarëve dhe investitorëve për të ndërtuar në këtë shesh që sot refuzohet nga zoti Olldashi. Konkretisht, me Vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës Nr. 7, datë 19.03.1996, që mban firmën e kryebashkiakut Sali Kelmendi, është miratuar leja e ndërtimit për këtë truall. Vetëm një muaj më pas, konkretisht më 17.04.1996, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, me Vendimin Nr. 33, ka miratuar shesh-ndërtimi dhe leje-ndërtimi për kompleks hotelier në qendër të Tiranës. Dokumenti mban firmën e kryetarit të KRRTSH-së, zotit Aleksandër Meksi dhe nënkryetarit, zotit Dashamir Shehi. Edhe një vit më vonë, konkretisht më 19.06.1997, qeveria e drejtuar nga zoti Bashkim Fino la në fuqi vendimin e paraardhësit të tij, me Vendimin Nr. 84, duke i hapur rrugën ngritjes së objektit në zemër të Tiranës. Trualli i miratuar për ndërtim nga të gjitha qeveritë tashmë kundërshtohet nga qeveria “Berisha”, duke mos paraqitur asnjë argument ligjor dhe duke vepruar në shkelje flagrante të ligjit dhe ndarjes së pushteteve.
Dokumentacioni për pronën në zonën ku do të bëhet ndërtimi
Sheshi për të cilin Ministria e Transporteve thotë se është tokë shtetërore ka pronarë privatë. Konkretisht, duke iu referuar akteve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme në Tiranë, pronarë të ligjshëm janë familja Kika dhe Komuniteti Mysliman. Sipas Certifikatës për Vërtetim Pronësie me Nr. 056829, me Nr. Pasurie, 2194, me pasuri, truall, me sipërfaqe, 2024.0 m2, në Zonën Kadastrale NR. 83.80, është pronare familja Kika, dhe konkretisht, shtetasit: Feride Kika, Albert Kika, Ilir Kika, Xhume Kika, Qemal Kika, Rexhep Kika, Nazmi Kika, Flora Hysen Agolli, Nurjeta Brari, Dylbere Baxhaku dhe Ferhat Kika. (Për të gjithë këta ka dokumentacion të lëshuar nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë). Pjesa tjetër e truallit për ndërtim, është në pronësinë e Komunitetit Mysliman. Konkretisht, me Certifikatë për Vërtetim Pronësie Nr. 058828, Nr. Pasurie, 21338, sipërfaqe totale 1185 m2, në Zonën Kadasatrale 8380, pronar i truallit është Komuniteti Mysliman. Të gjitha këto dokumente hedhin poshtë pretendimet e ministrit të Transporteve, zotit Olldashi se kjo tokë është pronë shtetërore.
Ndërtuesit qeveria të bëjë kujdes me lejet e ndërtimit
Shoqata e Ndërtuesve ka reaguar dje lidhur me konfliktin e krijuar në qendër të Tiranës, ku po pengohet zbatimi i një lejeje ndërtimi, e cila është marrë duke respektuar ligjet në fuqi. Nëpërmjet një reagimi zyrtar ndërtuesit i bëjnë thirrje qeverisë që të shmangë konfliktin e krijuar dhe të bëjë detyrën e saj përpara se të jepet leja e ndërtimit. Sipas tyre, asnjë institucion nuk mund të pezullojë një aktivitet të ligjëruar. Gjatë një konference për shtyp, drejtori i Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptarë, Maksim Muçi, u shpreh se “leja e ndërtimit kalon në disa hallka të administratës dhe kjo procedurë ka një kosto. Ndaj, çdo ndërhyrje e qeverisë është në dëm jo vetëm të privatit, por kjo situatë krijon një klimë pasigurie për biznesin”. Ky reagim i Shoqatës së Ndërtuesve vjen në një kohë kur shteti ndërhyri në një pronë private, me synimin për ta kthyer në lulishte. Pronarët e truallit në qendër të Tiranës, investitori që ka marrë lejen e ndërtimit, si dhe Bashkia e Tiranës kanë bërë kallëzim penal në Prokurori për situatën e paprecedent që ka krijuar qeveria. Për këtë sipërfaqe mes Rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës ekziston një leje ndërtimi që në vitin 1996, por Ministria e Punëve Publike sfidon çdo rregull për të dëmtuar pronarët dhe investitorët e ligjshëm.
Toka në qendër, qeveria përdor dhe AKKP-në si vegël për qëllimet e saj
Qeveria ka përdorur dje edhe qëndrimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në interes të saj për tokën në qendër të Tiranës. AKKP-ja, duke dalë hapur kundër interesave të pronarëve të ligjshëm të tokës, i ka dhënë asaj cilësimin si pronë shtetërore. Zëdhënësi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Gerti Seferi, ka deklaruar se “prona ku sot ndodhet Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe territori ku sot ekziston Dhoma e Tregtisë, ka qenë gjithmonë në pronësi të shtetit dhe asnjëherë në pronësi të asnjë subjekti privat”. Sipas tij, “këtë gjë e konkretizon edhe fakti se kjo tokë ka qenë pronësi e shtetit që para viteve ‘40 dhe sipas ligjit, mbi këto toka nuk mund të pretendohet për pronar privat”.
4 Nentor 2009