S’dorëzohet Berisha
Besart Berisha po kalon nëpër kohëra të vështira në Arminia Bielefeld. Futbollisti kosovar deri më tani nuk ka pasur hapësirë aq të madhe për të luajtur me ekipin nga Bundesliga 2.
Madje, mediet gjermane ditëve të fundit kanë raportuar se trajneri i Arminia Bielefeldit, Ewald Lienen, nuk do të llogaritë fare në shërbimet e Berishës gjatë stinorit pranveror, pasi kjo skuadër i ka bërë disa përforcime gjatë këtij afatit kalimtar.
Andaj, sipas medieve gjermane, drejtuesit e Arminia Bielefeld po mendojnë që sulmuesin e Kombëtares shqiptare ta transferojnë në skuadrën e dytë që garon në ligë amatore gjermane.
Por, këtë mundësi e ka përjashtuar vetë Berisha në një intervistë për Gazetën Express. Ai ka pohuar se do të mbetet pjesë e ekipit të parë të Arminias, pavarësisht faktit që ka shumë konkurrentë, të cilët po luftojnë për t’i siguruar vetes minutazhë sa më të madhe.
“Ato shkrime në mediat gjermane janë vetëm spekulime dhe asgjë më shumë. Ato nuk janë të sakta, sepse, sipas rregulloreve, në atë ekip mund të luash vetëm nën moshën 25 vjeç, andaj unë nuk mund të luaj aty, madje edhe për disa shkaqe tjera. Kështu që nuk ka gjasa që unë të luaj me ekipin e dytë”, deklaroi Berisha për Express.
Mirëpo, Berisha tregoi se është paralajmëruar nga trajneri i skuadrës, Ewald Lienen, se tash e tutje do të ketë hapësirë akoma më të vogël për të luajtur.
Megjithatë, ish sulmuesi i Hamburgut, i Rosenborgut, i Burnley dhe i Horsens thotë se do ta japë maksimumin, në mënyrë që sërish të zërë vend në ekipin e parë, ndonëse ka konkurrentë mjaft të fortë.
“Klubi i ka blerë dy sulmues. Atëherë trajneri më paralajmëroi se nuk do të kem minutazhë të madhe për të luajtur sikurse që kam pasur deri më tani, me arsyetimin e kam konkurrencë të fortë. Unë i thash trajnerit se s’ka problem, sepse do të mundohem t’i përballoj konkurrencës në mënyrë që të zë vend në formacionin e parë”, theksoi ai.
Berisha dëshiron që të qëndrojë në Arminia Bielefeld deri atëherë kur do t’i skadojë kontrata me ekipin gjerman, i cili është më i rrezikuari për të rënë nga Bundesliga 2.
“Kontrata më skadon në vitin 2012. Unë dua të qëndroj në Arminia Bielefeld, derisa të më skadojë ajo. Dua ta respektoj kontratën deri në minutën e fundit. Përkundër konkurrencës së fortë, unë do ta jap maksimumin që t’i krijoj vetës hapësirë për të luajtur sa më shumë”, u shpreh prishtinasi.
Ai mbetet me shpresë që skuadra e tij ta sigurojë mbijetesën. “Do të jetë mjaft vështirë. Por, megjithatë, kemi gjasa për të mbijetuar. Shpresoj t’ia dalim mbarë. Në dy ndeshjet e ardhshme, minimumi tri pikë duhet t’i fitojmë për t’i mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë”, përfundoi Berisha.
Pas nëntëmbëdhjetë xhirove të zhvilluara, Arminia Bielefeld gjendet në vendin e fundit të tabelës në Bundesliga 2, me vetëm 8 pikë të tubuara.