E Diel, 1 Nëntor 2026

Analizat e gripit të derrave, tani në 24 orë

 

Strukturat tona shëndetësore nuk do të presin me përgjigjet e analizave nga jashtë për gripin e derrave. Tanimë Shqipëria ka laboratorin e saj dhe mund të identifikojë në kohë rastet e të prekurve. Madje, brenda 24 orëve. Deri më tani janë prekur 44 persona nga virusi AH1N1, të cilët janë konfirmuar në laboratorin e Bukureshtit. Përgjigjet, shpesh herë kanë ardhur me vonesë dhe mjekët janë detyruar të vendosin pa i pritur për skemën e mjekimit. Vetë Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili inauguroi dje laboratorin e ri të Virologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik. Laboratori i ri në kushte normale do të përpunojë 21 mostra në ditë, ndërsa për emergjencë kapaciteti diagnostikues mund të arrijë 50-100 mostra klinike në 24 orë. Kostoja e laboratorit arrin në 750,000 dollarë, kredi e Bankës Botërore. Tashmë edhe analiza të tjera si poliomeliti, fruthi, rubeola dhe analiza të tjera për sëmundje të tjera të rrezikshme virale do të kryhen me një cilësi më të mirë. Vasili e  cilësoi si mjaft të rëndësishëm ngritjen e këtij laboratori, i cili do të mbyllë edhe ciklin e ekzaminimit në Shqipëri të virusit pandemik, AH1N1 të njohur si gripi i derrit. “Jemi në një moment mjaft të veçantë duke qenë se inaugurojmë një laborator të një standardi bashkëkohor, i cili mund të konsiderohet si një nga më të mirët e Evropës Juglindore”, u shpreh Vasili. Teknologjia e re (Real Time PCR) mundëson për më tepër përshpejtimin e kryerjes se diagnozës në më pak se një ditë, duke ndihmuar sistemin shëndetësor në menaxhimin e situatës klinike dhe epidemiologjike të gripit të ri pandemik (Gripi i Derrit). Në laboratorin e ri do të vijojnë të kryen, në standarde më të larta, të gjitha analizat e kryera më parë për viruse të rëndësishëm për shëndetin publik si Poliomieliti, Fruthi, Rubeola etj. Shumë shpejt do të bëhet e mundur edhe kryerja e analizave të tjera për sëmundje të tjera të rrezikshme virale. Me standardet e reja të krijuara në laborator dhe me përfundimin e të gjithë kërkesave të biosigurisë së nivelit të tretë do të bëhet e mundur që Shqipëria të ketë një laborator virologjik sipas të gjitha standardeve perëndimore.                                 z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›