E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, “humbin” 500 milionë lekë

 

BLEDAR HOTI

Nga fondi i kompensimit financiar të pronave “humbin” 500 milionë lekë. Në arkën e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk janë aq sa kishte deklaruar Ministria e Financave 1.7 miliardë lekë, por 1.2 miliardë lekë. Drejtuesit e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pohojnë për “Panorama” se shuma totale për kompensimin financiar është 1.2 miliardë lekë, duke sjellë “humbjen” prej 500 milionë lekësh. Nëndrejtori i AKKP-së, Genci Çelo deklaron për “Panorama”, se “nga Ministria e Financave na ka ardhur kjo shumë prej 1.2 miliardë lekë dhe mbi bazën e saj po punojmë për shpërndarjen e fondit”. Me miratimin e parë të buxhetit për vitin 2009, shuma e miratuar për llogari të AKKP-së ishte 600 milionë lekë. Me buxhetin suplementar të miratuar nga ana e Kuvendit më 28 shtator të këtij viti fondi i miratuar ishte 1.77 miliardë lekë, por aktualisht në arkën e AKKP-së, qeveria ka derdhur shumën prej 1.2 miliardë lekësh. Diferenca prej 500 milionë lekë është e njëjta me atë që u përdor për kompensimin financiar të ish-pronarëve për vitin 2009. Çelo ndërkohë thekson se, “AKKP-ja po punon për të realizuar shpërndarjen e fondit prej 1.2 miliardë lekësh brenda afatit të përcaktuar”. “Janë edhe 60 dosje pa u shqyrtuar ende që presin verifikimin nga ana e institucioneve të tjera mbi dokumentet e tjera”, theksoi Çelo. Data 15 tetor ishte parashikuar që të realizohej ndarja e fondit të kompensimit për subjektet e shpronësuara, por dyfishimi i tij bëri që AKKP-ja të shtyjë në kohë shpalljen e fituesve.
Nishani: Ligj i posaçëm për fondet
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, gjatë raportimit të tij në Komisionin parlamentar të Ligjeve ka bërë të ditur nismën për miratimin e një projektligji të posaçëm për kompensimin financiar të ish-pronarëve. “Ka përfunduar hartimi i projektligjit ‘Për caktimin e fondit të kompensimit të pronave’. Projektligji që është propozuar për miratim synon realizimin në shkallë gjithnjë e më të lartë të procesit të kompensimit të pronave, si drejtimi bazë i reformës pronësore. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i fondit të kompensimit të pronave, burimet e krijimit si dhe rregullat për administrimin e tij”, tha Nishani. Sipas tij, qeveria shqiptare synon që të ardhurat e këtij fondi të shtohen edhe me të hyra të tjera, që sigurohen si pasojë e proceseve të rëndësishme për vendin, si një pjesë e të ardhurave që vijnë nga procesi i privatizimeve apo ankandeve publike. “Në këtë kuadër, projektligji synon të rregullojë aspekte të rëndësishme që lidhen më mirë me përcaktimin e burimeve të fondit dhe administrimit të efektshëm të tij”, theksoi ministri që ka në varësi AKKP-në.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›