Ligji i ri, 8 mijë ankesat i shqyrton AKKP qendrore
Të tetë mijë dosjet e bllokuara nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të shqyrtohen jo nga zyra rajonale, por nga zyra qendrore e këtij institucioni. Kërkesat e paraqitura për njohje, kthim apo kompensim prone nuk do të shqyrtohen më nga zyrat rajonale të AKKP-së. Qeveria në nismën e ndërmarrë për ndryshimin e ligjit për “Kthimin dhe Kompensimin e Pronës” ka përcaktuar që dosjet e mbetura pa u shqyrtuar do të jenë nën juridiksionin e zyrës qendrore të AKKP-së në Tiranë, për të realizuar më pas shqyrtimin e plotë të tyre. Heqja nga e drejta e shqyrtimit nga ana e zyrave rajonale do të bëjë që të eliminohet dhe një prej shkallëve të ankimit në zyrat qendrore të AKKP-së. Kështu më parë ishte parashikuar se nëse subjekti i shpronësuar kishte pretendime ndaj vendimit të zyrave rajonale, ato i paraqiste pranë zyrës juridike në AKKP-në qendrore në Tiranë, e cila merrej me shqyrtimin e dosjes. Vetë kreu i AKKP-së, Elvis Çefa, në një intervistë dhënë kohë më parë për “Panorama”, theksonte se e reja kryesore esenciale në këtë nismë është shtyrja e afatit të trajtimit të kërkesave gjendje për AKKP-të. “Menjëherë sapo ligji të hyjë në fuqi, nëse nuk pëson ndryshime nga Komisioni i Ligjeve në Kuvend, AKKP-ja do të fillojë menjëherë hapjen dhe trajtimin e të gjitha këtyre dosjeve. Sipas projektligjit, afati tashmë i ndryshuar është deri në 31 dhjetor 2011. Në nenin 24 aktual, në fuqi ky afat ishte parashikuar në 30 qershor 2008”, tha Çefa. Sipas tij, qarqet më kryesore që kanë ankesat më të mëdha janë Shkodra, Fieri, Durrësi dhe Vlora me nga mbi një mijë secila prej tyre. Pas skadimit të afatit të 30 qershorit kishin mbetur pa u shqyrtuar të tetë mijë kërkesat e ish-pronarëve. Për të mos zgjatur procesin e paraqitjes së kërkesave, qeveria ka çelur dritën jeshile për shqyrtimin e këtyre kërkesave. Ndërsa shoqatat e ish-pronarëve e kontestojnë një vendim të tillë nga ana e qeverisë për bllokimin e procesit të paraqitjes së kërkesave.