IOM: Duhen politika efektive për emigracionin
Kriza ekonomike botërore ka ulur ndjeshëm dërgesat nga emigrantët, që janë një burim i rëndësishëm financimi për një vend si Shqipëria. Orientimi i investimeve nga strukturat qeveritare për të gjithë ata që sjellin para nga jashtë ishte pika kyçe e tryezës së djeshme të organizuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM). Në takim morën pjesë edhe drejtues të Ministrisë së Punës, ekspertë të fushës. Në fokus ishin politikat efektive të migracionit për motive punësimi. I pranishëm në takim ishte dhe ambasadori i OSBE në Tiranë Robert Bosch. Duke evidentuar rënien e dërgesave si një problem për vendin tonë, Ambasadori i OSBE-së, i kërkoi qeverisë të orientojë emigrantët shqiptarë se si të investojnë paratë e tyre në kushtet kur aktualisht pjesa dërrmuese e tyre përdoren për ushqim. “Emigrantët shqiptarë përbëjnë rreth 27.5% të popullsisë, çka është një nivel i lartë. Fakti që remitancat janë ulur tregon për vështirësitë e jetës së emigrantëve. Këto remitanca përdoren kryesisht për ushqim dhe shumë pak për të hapur biznes. Detyra e qeverisë është të orientojë emigrantët, duke u dhënë informacion që t’i përdorin si duhet këto të ardhura”, u shpreh ambasadori i OSBE-së.