E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet e dendura, zv.ministri Beqiri: Situata nën kontroll

 

Reshjet e ditëve te fundit kanë rritur ndjeshëm prurjet në kaskadën e Drinit. Niveli i ujit në liqenin e Fierzës është pak metra larg pikës maksimale. Për të evituar derdhjen e ujit ka nisur eksporti i energjisë elektrike. Por pavarësisht situatës së krijuar, zyrtarët e lartë të Ministrisë së Energjetikës kanë deklaruar se situata është nën kontroll. Sipas zëvendësministrit të METE-s, Leonard Beqiri, duke qenë se kuota në Fierzë ishte 284.57 metra, në Koman 174.62 metra dhe në Vaun e Dejës 75.41 metra duhej bërë kujdes për menaxhimin, për të pasur një shfrytëzim maksimal të prurjeve. Kjo me qëllim që të mos derdhej ujë nga portat dhe tunelet e shkarkimit. Për të menaxhuar situatën e krijuar, me urdhër të ministrit Prifti u ngrit një grup i posaçëm pune, i cili arriti të menaxhonte mjaft mirë situatën. Si rezultat u arrit që të plotësoheshin nevojat e vendit me energji, si dhe të realizohej një depozitim prej rreth 2.5 milionë Kwh energji elektrike në Kosovë. Sipas zv/ministrit, po vazhdojnë procedurat për eksportin e energjisë elektrike të tepërt në tregun rajonal. Sipas tij, në këtë mënyrë u arrit që të evitohej derdhja e ujit nga portat dhe tunelet shkarkues të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit. Niveli i ujit në liqenin e Fierzës, dje deri në orën 13:00 ishte 284.78 metra dhe prurjet rreth 540 m3/sek, në Koman 174.33 m dhe në Vaun e Dejës 74.40 m. Si rezultat i menaxhimit është arritur që të frenohet rritja e kuotës në Vaun e Dejës. Gjithashtu nga Grupi i Punës u ndoq dhe riparimi i defektit të Linjës 220 kV Fierzë – Koman, i ndodhur dy ditë më parë. Vëmendje e veçantë, nga Grupi i Punës dhe strukturat e OSSH-së, ju kushtua edhe furnizimit normal me energji elektrike të hidroforëve të mëdhenj apo stacioneve të ndryshme të largimit të ujërave.

situata hidrike

296 metra niveli maksimal i ujit në HEC-in e Fierzës
284.78 metra niveli aktual i ujit në HEC-in e Fierzës
540 m3/sek prurjet e ujit

175 metra niveli maksimal i ujit në HEC-in e Komanit
174.33 metra niveli aktual i ujit në HEC-in e Komanit
390 m3/sek prurjet e ujit

76 metra niveli maksimal i ujit në HEC-in e Vaut të Dejës
74.40 metra niveli aktual i ujit në HEC-in e Vaut të Dejës
60 m3/sek prurjet e ujit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›