Olldashi: Incidenti në tunelin Thirrë-Kalimash ngazëlleu Ramën
Ndaj deklaratave të Edi Ramës për tunelin e Thirrës, reagoi dje Ministri i Transporteve Sokol Olldashi, i cili tha se në asnjë rast opozita nuk është ngazëllyer siç bën kryesocialisti Rama për një incident të kësaj natyre. “Nuk ka asnjë lidhje mes fenomenit gjeologjik dhe kalendarit të punimeve në rrugë. E ritheksoj se rrëshqitja e dheut ka ndodhur në pjesën e pabetonuar të tunelit jugor, i cili nuk është hapur asnjë ditë të vetme për publikun, pasi vazhdon të jetë në ndërtim. Gënjeshtrat e paturpshme të Edi Ramës për gjoja kosto qindramilionëshe janë pa asnjë bazë dhe vijnë vetëm si asociacion i shifrave që kryetari i bashkisë ka ndërmend për lejet e ndërtimit në kryeqytet. Gjithçka ka thënë sot z. Edi Rama në konferencën e tij për shtyp nuk është gjë tjetër, veçse një defekim oral. Tuneli do të hapet vetëm kur të përfundojnë punimet e sigurisë dhe të elektromekanikës dhe unë do ju ftoj ju që atë ditë t’i kërkoni Edi Ramës që të ripërtypë atë që po nxjerr nga goja sot”, deklaroi Ministri i Transporteve Sokol Olldashi. Ministri i Transporteve tha dje se ka bërë transparent mundësinë e fenomeneve të tilla në tunel në deklaratën publike të një muaji më parë, kur u lajmërua dhe mbyllja e tunelit për shkaqe teknike. Olldashi ka sjellë më vëmendje raste të ngjashme të problemeve gjeologjike në tunele në vende të ndryshme të botës, si dhe është shprehur se asnjë drejtues opozite nuk është kënaqur me zhvillime të tilla si zoti Rama. “Një situatë pothuajse identike me tunelin e Thirrës haset në tunelin e linjës së shpejtësisë së lartë Lion–Torino, punimet e të cilit kanë nisur më 2003, por nuk është parë ndonjë drejtues i opozitës franceze të festojë për këtë”, u shpreh Olldashi.