E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në statutin e PS, gati pyetësori për anëtarësinë

 

Grupi i punës për statutin ka hartuar një pyetësor me katër pika, përmes të cilit do të thithë mendimin e socialistëve dhe strukturave të tyre për ndryshimet në statut. Sipas problematikës që ndryshimet statutore duhet të përfshijnë, janë hartuar katër pyetje që kryesisht kanë të bëjnë me anën strukturore dhe organizative të PS-së në të ardhmen. Në pyetësor shtrohet pyetja: A mendoni se strukturat vendore të partisë duhet të ndërtohen në bazë bashkie apo komune, rreth apo qarku, apo mbi bazën e ndarjes për zgjedhjet parlamentare, bashki/komune, ZAZ, qark? Një nga pikat e rëndësishme të këtij pyetësori është dhe tërheqja e mendimit të anëtarësisë për mendimin ndryshe në PS. “A mendoni se duhet të institucionalizohet ‘E drejta për oponencë kolektive’, e organizuar në nivelin e organeve qendrore të partisë”? Duket se kjo do të jetë dhe pika më e debatueshme e ndryshimeve statutore, e cila ka qenë e përfshirë në platformën zgjedhore të kandidatit për kryetar partie, Maqo Lakrori. Ky propozim është bërë që në vitin 2006 në PS, kur u bënë përmirësimet e fundit të statutit të PS, por nuk u përfshinë atëherë, duke e konsideruar oponencën kolektive të institucionalizuar si të parakohshme në PS. Nëse kjo pikë do ishte përfshirë në statut që në 2006, do ishte evituar çarja e PS-së, që çoi në krijimin e PSV91, nga e cila PS i ikën mbi 7 mijë vota. Pyetësori do të shpërndahet dhe sqarohet në asambletë vendore të PS, por dhe do të jepen shpjegime më të hollësishme rreth rëndësisë së ndryshimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›