Tritoli në pallat, policia ndërton skenën
SARANDE - Asnjë i ndaluar për tritolin e shpërthyer në një ndërtesë të lagjes 2 të qytetit të Sarandës, në të cilën jetonte dhe një gjyqtare. Policia e Sarandës ka shoqëruar gjatë ditës së djeshme dhjetëra banorë, duke marrë dëshminë e tyre, me qëllim hedhjen dritë mbi ngjarjen e rëndë. Shpërthimi ndodhi mëngjesin e së enjtes, në sheshpushimin e katit të pestë të pallatit, pranë banesës së Edmond Lames. Ky i fundit, shofer i linjës Sarandë-Athinë, njihet si person i qetë në qytet. Sipas burimeve policore bëhet e ditur se që nga momenti i nisjes së hetimeve janë shoqëruar në komisariatin e policisë 10 persona, kryesisht banorë. Deri tani të shoqëruarit kanë thënë se kanë dëgjuar vetëm shpërthimin, por se nuk dinë se kush do të ketë qenë autori i ngjarjes. Ndërkohë policia ka rindërtuar edhe një herë skemën e ngjarjes. Kjo është bërë mbi bazën e thënieve të dëshmitares kryesore, Lutfie Lame. Ajo ka dëgjuar të lehurat e qenit dhe duke menduar se ishte ndonëj hajdut ka dalë jashtë. Kur ka hapur derën ka gjetur një qese plastmasi. Ka shkuar t'u tregojë djemve dhe ata, duke dyshuar e kanë shtyrë nëpër shkallë. Era që nisi të dilte dhe disa zhurma të lehta si të kapsollave u pasuan me shpërthimin e fuqishëm. Për fat, nuk u shënuan të lënduar, sepse familja Lame, e frikësuar u largua menjëherë drejt banesës. Policia, ende nuk ka një pistë mbi motivet dhe kush ishte shënjestër e tritolit.