E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idetë e mjera të arsimit tonë për sociologjinë e internetit

Këto ditë është shprehur qartë publikisht një problem i rëndë që ka shoqëria jonë: njohja e Shqipërisë në internet fillon nga seksi. Kjo e vërtetë është diçka e hidhur, që shpreh realitetin tonë të brendshëm social, për të cilin ne nuk jemi kujdesur fare, por shpreh për pasojë idetë e mjeruara të arsimit tonë, të shkencëtarëve tanë, që duhej medoemos ta kishin rrokur këtë problem, t‘u kishin paraprirë përparësive dhe dobësive të teknologjive të reja të kohës.

Pa asnjë dyshim që epoka e internetit, në thelbin dhe rëndësinë e saj, është një përsëritje e epokës së shtypshkronjës së Guotenbergut. Dhe projekti i qeverisë aktuale e më konkretisht i Ministrisë së Arsimit "Internet në çdo shkollë" është një projekt me epërsi të lartë, që sjell përfitime të jashtëzakonshme për çdo nxënës në përfitimin e dijeve mësimore, por një realizim i keq. Në lidhje me këtë, Giovani Sartori thotë: "Potencialet e internetit janë vërtet të pafundme, por si në të mirë, ashtu dhe në të keq veçse". Ato janë e do të jenë pozitive deri atëherë kur përdoruesi do ta përdorë këtë instrument në përfitim të informacioneve kulturore e ekonomike, ose kur ai do të jetë i frymëzuar nga interesa të kulluara kulturore, teknike, teknologjike a bamirësie, pra nga dëshira për të ditur, për të kuptuar a për të ndihmuar.

Mirëpo, shumica e përdoruesve të internetit nuk është e nuk besohet të jenë kurrë të tillë. Pasi ka e do të ketë përherë "analfabetë kulturorë" që vrasin në rrjet kohën e tyre të zbrazët, në shoqërinë e "shpirtrave binjakë", qofshin këta sportivë, erotikë a kushedi çfarë. Për këta lloj përdoruesish, interneti është mbi të gjitha një "botë e mrekullueshme" për të shpenzuar kohën dhe për ta investuar atë në çikërrima të kota, por sidomos duke parë vazhdimisht pa asnjë kufizim, pornografi. Dhe kjo ndodh sot hapur te ne në Shqipëri, madje në mënyrë të shfrenuar; në klasë, në shtëpi, në pika publike, në prani të shokëve, shoqeve, adoleshentëve dhe fëmijëve. Pasojë e drejtpërdrejtë e gjithë kësaj "tradite të re" është fakti që të rinjtë e sotëm, por sidomos nxënësit, janë duke kaluar vetëtimthi në një mënyrë tjetër jetese pa pikë instruktazhi apo përshtatje. Dhe përballë këtij "triumfi" të fëmijëve elektroniko-televizivë e të hiper-medializuar nuk ka asnjë plan për të mbrojtur devijimin, as nga qeveria, as nga Ministria e Arsimit, as nga Akademia e Shkencave, veç disa shqetësimeve individuale.

Gjithsesi, përballë "llogores" së kësaj panorame të trishtë të së ardhmes, era dixhitale sigurisht nuk mund të mohohet e as nuk mund të ndalohet. Por është i ligjshëm, në fakt, alarmimi se nga zhvillimi dhe përhapja e kësaj teknologjie nuk vjen "vetëm" një ngritje e caktuar mendore dhe kulturore. Në këtë kuptim, qëndrimi i shoqërisë dhe i shkollës - përfaqësuar nga prindërit dhe mësuesit - nuk duhet të afrohet as me "apokaliptikun" e as me "gjithë-integruesin", por duhet të jetë ai i një udhëheqjeje të të rinjve, pa ulëritur as kundër "diktaturës teknologjike" e as kundër "mrekullive virtuale", por duke punuar në një klimë bashkëpunuese për të ç‘maskuar diferencat midis të "rriturit vizual" dhe realitetit, për të rrokur dhe vlerësuar kështu me qartësi dhe rigorozitet etikën, përfitimet dhe kontradiksionet që vijnë nga jeta elektronike.

Duke u nisur nga rreziqet që mbart në vetvete, epoka e multimedialitetit duhej të kishte pasur një qendër të vetme graviteti: shkollën dhe shkencën. Por a i ka pasur? Jo. Aspak. Planifikimi dhe zbatimi i një "aksioni" të përgjithshëm për një edukim parandalues ndaj rreziqeve dhe një ndërgjegjësim kritik ndaj internetit, nuk ekziston. Kjo do të thotë një shkollë e paaftë për të qendërzuar një kulturë të të drejtave të kësaj qytetarie të re, që në mileniumin e ri po shndërrohet gjithnjë e më telematike dhe planetare. Vërtet që interneti duhet të ruajë gjithmonë rolin e tij të "të qenit" absolutisht i privuar prej kontrollit nga lart. Por në këtë optikë, përtej strukturës së shkollës sonë, që mund të konsiderohet fare e vjetër përballë kësaj sfide të re, duhet të ishte investuar shumë edhe drejt transformimit radikal në kulturën vetjake.

E gjithë kjo ndërmarrje nuk është shoqëruar nga një "ethos" rinor që të lëvizë midis lirisë dhe përgjegjshmërisë, për ta vënë teknologjinë e kohës sa më mirë dhe sa më shpejt në shërbim të shoqërisë. Po ashtu, interpretimi etiko-edukativ i këtij revolucioni informatiko-telematik nuk u vendos në "shtratin shqyrtues" nga ana e instituteve kërkimore e pedagogjike, nga akademikët e akredituar kohët e fundit (që morën tituj dhe para padrejtësisht si specialistë të fushës), si krijime revolucionare në shkencë, por që përfaqësojnë dhe një "sizmografi mjaft të ndjeshme të gjendjes sonë shoqërore", të afta për të regjistruar dhe shënjuar skajet më ekstreme dhe pozicion-luhatëse të diagramës së aktualitetit shqiptar. Qeveria dhe strukturat përkatëse të saj, të paafta për të dalluar dhe vlerësuar punën e këtyre individëve u akordoi tituj dhe para nga taksapaguesit, pa marrë asnjë produkt prej tyre në këtë drejtim, veç burokracisë së tyre.

Nisur nga ky konstatim, liria dhe përgjegjshmëria duhet të përbënin vlerat tona udhëheqëse në procesin e edukimit dhe shoqërizimit të brezave të rinj me kompleksitetin e kulturës së informacionit që afrojnë rrjetet telematike. Lipsej, pra një shkollë e rinovuar, e hapur në mënyrë kritike ndaj së resë dhe kulturalisht e kualifikuar, e aftë për të thithur kështu brenda vetes sfidën radikale të ndryshimit të zakoneve dhe mënyrës së jetesës, që shënjon në thellësi transformimin e gjithë jetës kolektive të shoqërisë duke ndriçuar skenarë të rinj, madje edhe për një organizim të ri politik në të ardhmen. Por ne as kemi pasur dhe nuk kemi fare plane të tilla. Kjo na bën qesharakë në pretendimet e shfaqura përherë nga strukturat përkatëse shtetërore se e kemi realizuar projektin ‘internet në çdo shkollë‘, për të cilin nuk rezulton të kemi krijuar asnjë masë mbrojtëse pedagogjiko-sociologjike të pasojave të tij dhe për pasojë i kemi lënë fëmijët të pambrojtur përballë rrezikut.

Kjo na bën të mendojmë e të shtrojmë pyetjen: I cilit lloj do të jetë atëherë ky organizim? I një lloji burokratik që sot të heq mendjen? Apo një organizim që, duke rezervuar mjaft hapësira ndaj ndërveprimit telematik, t‘i krijohet me shpejtësi dhe antivirusi pedagogjik, për të mbrojtur fëmijët tanë nga ky rrezik?

Është ky realiteti ku duhej të ishte përfshirë Shqipëria dhe me shpejtësi domosdoshmërish shkolla e saj. Është kjo ideja që duhet t‘i paraprinte shoqërisë sonë dhe strukturave të saj vendimmarrëse, sepse është kjo perspektiva ekzaltuese e një revolucioni antropologjik, shumë më parë se sa politik, që dizajnon një "shoqëri ku krahas kolektivitetit dhe individualitetit, po i shfaqet gjithnjë e më tepër një forcë e tretë e pranisë njerëzore", me të cilën duhet të bëjnë llogaritë e tyre shumë grupe a persona të caktuar, në mënyrë që të njihet sa më parë dhe në mënyrë të detajuar kjo hipotezë e zhvillimit të ardhshëm të shoqërive perëndimore. Bëhet fjalë, pra, për të ashtuquajturin "organizim kibernetik", të lindur nga ndërlidhja teknologjike dhe nga dialogu i ethshëm që zhvillohet brenda tij. Në këtë kuptim, ku është edukimi i nxënësve tanë për të ushtruar një racionalitet të caktuar etik në përdorimin e teknologjive multimediale? Asgjëkundi. A ka ndopak shqetësim arsimoro-edukativ për këtë? Deri më sot asgjë. A ka ndopak shqetësim shkencor? Asgjë.

Është një problem i madh që bën "muu" në mes të shoqërisë sonë, por as është kuptuar dhe as nuk është investuar, veçanërisht në përgjegjshmërinë e mësuesve, pedagogëve, profesorëve, stafit akademik dhe mësimdhënës, me bindjen se ata duhej të ishin protagonistët e vërtetë të reformës shkollore përballë kësaj sfide të kthyer në një problem të vërtetë pedagogjik për shkollën tonë, e cila shquhet për një nivel të ulët të kompjuterizimit, e që i përgjigjet normës sonë të ulët si shtet të raportit person/kompjuter.

Ideja për të përballuar një sfidë të tillë është në një krizë të thellë mosnjohjeje, në një kohë kur në të gjitha vendet e evropiane kjo është një përpjekje e gjallë, një betejë që synon maturinë e të rinjve me një "ethos" të kulturës telematike, që kërkon një garanci kundër rreziqeve të shoqërisë së "kontrollit total", në botën pa kufij të demokracisë elektronike, brenda së cilës, teknika dhe komunikimi mund të dhurojnë një liri universale nevojash dhe një jetë të jetuar me një cilësi shumë më të mirë, një jetë më aktive e më të ndërgjegjshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›