E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni dhe rritja e cmimit te energjise

Tre vjet më parë, Berisha, duke u kërkuar votën shqiptarëve u premtonte se, sapo të vinte në pushtet do t‘u jepte energji elektrike pa ndërprerje 24 orë në ditë. Energjia do t‘u shitej me çmim të lirë, sepse do të hiqej pagesa e TVSH-së dhe nuk do të bëhej më faturim aforfe. Pas tre vitesh qeverisjeje, jo vetëm që nuk u hoq pagesa e TVSH-së për 900 mijë konsumatorë familjarë, por ata paguajnë sot një vlerë TVSH-je më të lartë, sepse çmimi i energjisë elektrike nga 4.5 lekë në kohën kur Kryeministri ndodhej në opozitë, arriti mesatarisht në mbi 9 lekë për 1 kilovat/orë këtë vit. Pra u dyfishua. Gjithashtu, faturimi aforfe jo vetëm që nuk u hoq, por u bë më masiv e më i shtrenjtë.

Qeveria, përmes ministrit të Energjisë, para disa ditësh dha sinjalin për një rritje të re çmimi për vitin 2009 me të ashtuquajturin "argument" për të mbuluar kostot. Sistemi i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i është shitur një kompanie çeke me një vlerë shumë të ulët, në më pak se një të tretën e vlerës reale. Kur u shpall fituesi për blerjen e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, u tha se gjatë vitit 2009 nuk do të ketë rritje çmimi të shitjes së energjisë elektrike. Por të pangopurit nuk ngopen kurrë. Përmes miratimit të një çmimi shitjeje të lartë të energjisë elektrike, është e kuptueshme që kompania e huaj do të sigurojë shumë lehtë të ardhura të mëdha dhe, padyshim një pjesë e këtyre të ardhurave janë të destinuara të përfundojnë në xhepat e protagonistëve të rritjes së çmimit.

Ky veprim do të penalizonte në mënyrë ekstreme dhe masive familjet shqiptare dhe do të sillte një varfërim absolut të mëtejshëm të tyre, për vetë faktin se energjia elektrike sot është një nga mallrat më të përdorshëm e më të domosdoshëm, pra është një mall jetik. Të rrisësh çmimin e energjisë elektrike sot në Shqipëri, është njëlloj sikur të hapësh një autostradë me shumë korsi për të mbushur thesin e korrupsionit e të vjedhjeve në sektorin e energjisë elektrike, sepse importi i energjisë elektrike te prodhuesit privatë të rajonit tonë është i pakontrolluar dhe për energjinë e blerë me çmime shumë të larta, askush nuk është vënë para përgjegjësisë. Këtë fakt të hidhur e tronditës, e shoqëron fakti tjetër, se qeveria, me vendimet e saj ka legalizuar humbje të energjisë elektrike me përmasa gjigante në rrjetet e transmetimit dhe të shpërndarjes.

Rritja e çmimit të shitjes të energjisë elektrike është e padrejtë dhe e pajustifikuar, për këto arsye:

Së pari, kapacitetet prodhuese të hidrocentraleve tona variojnë minimalisht nga 4 miliardë kilovat/orë në vitin më të keq hidrik, deri në mbi 5 miliardë kilovat/orë energji elektrike në një vit të zakonshëm. Kostoja e kësaj energjie, sado të përpiqen ta zmadhojnë Ruli, Bojaxhiu apo këshilltarët "e kualifikuar" të Kryeministrit, nuk kalon 2 lekë për 1 kilovat/orë. Dhe kur qeveria planifikon për konsumatorët familjarë një furnizim vjetor me 2 miliardë e 300 milionë kilovat/orë, deri në 2 miliardë e 500 milionë kilovat/orë energji elektrike, pse duhet ta paguajnë çmimin mesatarisht nga 9 deri në 12 lekë për çdo kilovat/orë? Qeveritë e vendeve të zhvilluara të botës, por dhe ato të rajonit, për të lehtësuar sadopak peshën e krizës botërore mbi popujt e tyre, kanë miratuar paketa ndihme qindra milionëshe dhe miliarda dollarëshe, ndërsa qeveria e vendit tonë projekton rritje të reja çmimi edhe për këtë mall, që me dekada të tëra, ky popull ka paguar për ndërtimin e burimeve që e prodhojnë atë.

Së dyti, sasia e humbjeve në rrjet është shumë e lartë. Humbjet e planifikuara nga qeveria për këtë vit janë rreth 2 miliardë e 400 milionë kilovat/orë energji elektrike dhe importi është afërsisht po kaq. Pra, aq sa blihet nga importi, po aq humbet. Për ilustrim, këto humbje janë të barabarta me energjinë e prodhuar nga një prej hidrocentraleve më të mëdha të vendit tonë. Natyrisht që një pjesë e këtyre humbjeve janë teknike, që sipas shkencës së kësaj fushe, nuk i eliminon dot. Por rreth 1 miliard kilovat/orë është energjia që konsumohet dhe nuk dihet se kujt duhet t‘i faturohet. Vetëm vlera e kësaj energjie kalon 9 miliardë lekë, që do të thotë se në mënyrë të padrejtë çdo konsumator paguan 2 lekë më shumë për 1 kilovat/orë. Si mund të eliminohet pagesa e kësaj kostoje të padrejtë? Fare thjesht, duke ndërprerë lidhjet e paligjshme dhe duke vendosur matësit e energjisë elektrike. Por kjo nuk mund të bëhet as nga një administratë politike dhe as nga një drejtor i Përgjithshëm që më shumë merret me problemet e turizmit dhe të alpinizmit në Shqipëri, se sa me zbatimin e politikave efiçente për administrimin e energjisë elektrike dhe masave konkrete për të përmirësuar gjendjen.

Së treti, duhet të ketë kontroll rigoroz mbi importin. Ǒdo të thotë të blesh energji elektrike me mbi 10 euro cent për 1 kilovat/orë, duke u justifikuar se nuk gjendet energji me çmim më të lirë? Natyrisht kjo është pjesa e fshehtë e ajsbergut të korrupsionit, që lidhet me blerjen e energjisë elektrike. Për të kufizuar importin e energjisë elektrike nga kompania publike, pronë e shtetit, e cila përpiqet të imponojë çmime sa më të larta në treg, duhej të ishin hedhur hapa konkretë shumë të rëndësishëm nga qeveria. Kjo nënkupton hapjen e tregut të energjisë elektrike, duke licencuar sa më shumë konsumatorë të kualifikuar, me të drejtën e zgjedhjes prej tyre të furnizuesit të energjisë elektrike, brenda apo jashtë vendit. Kjo do të bënte të mundur që në tregun shqiptar të energjisë elektrike, të hynte energji me çmime të ulëta e do të dobësohej pozita monopol e Furnizuesit Publik. Por kjo nuk është bërë, sepse nuk duan ta bëjnë persona të caktuar, ngaqë interesat financiare të tyre janë të lidhura ngushtë me këtë treg dhe, në mënyrë te veçantë, me importin e energjisë elektrike.

Së katërti, për ata që nuk e paguajnë, nuk duhet të ketë furnizim me energji elektrike. Në këtë rast, qeveria duhet të bëjë më parë subvencionimin e energjisë elektrike për nevojat e domosdoshme të familjeve, që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për ta paguar atë. Të mos arkëtosh nga bizneset 4 deri në 5 milionë dollarë në vit, është më shumë se një përgjegjësi. Ky është një korrupsion që Kryeministri vazhdon të mos e shikojë.

Nisma për rritjen e re të çmimit të energjisë duhet të kundërshtohet nga shumë faktorë. Në radhë të parë, duhet të jetë Enti Rregullator i Sektorit të Energjisë Elektrike (ERE), i cili megjithëse është produkt i qeverisë, me ligj e ka për detyrë parësore të mbrojë konsumatorët dhe nuk duhet të marrë vendime të padrejta për rritjen e çmimit të energjisë, pavarësisht imponimit nga qeveria. Pastaj duhet të luftojë opozita në Parlament, rrjetet mediatike të të gjitha llojeve, organizatat joqeveritare dhe ato për mbrojtjen e konsumatorit, si dhe sindikatat. Kjo do të ishte një luftë për të mbrojtur konsumatorët nga monopolet e qeveritarëve, dhe për t‘i thënë Kryeministrit apo ministrit të tij, të mos e gënjejnë popullin me deklarata pa përgjegjësi, që i ndryshojnë ato sa herë ua kërkojnë interesat e tyre. Është më shumë se indinjuese, por edhe fyese për popullin, nëse do t‘i referoheshim deklarimit të ministrit përgjegjës për energjinë të muajit korrik të këtij viti, kur thoshte: "Ndryshe nga sa komentohet në media të caktuara, as ERE dhe as qeveria nuk po studiojnë e as po programojnë asnjë skemë të rritjes së mëtejshme të çmimit të energjisë elektrike. Përkundrazi, KESH-it dhe OSSH-së u janë vendosur objektiva shumë më ambicioze se vitet e kaluara, si në uljen e humbjeve të energjisë në rrjet, ashtu dhe në rritjen e arkëtimeve". Gjithashtu, disa javë më parë edhe Kryeministri, duke komentuar privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, deklaroi se për vitin 2009 nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë. Dhe tani, pikërisht po këta persona, paralajmërojnë një rritje të re të çmimit për të mbuluar kostot. Një rritje të re çmimi, që duhet ta kundërshtojnë të gjithë, sepse kjo do të bëhet vetëm për të mbuluar vjedhjet dhe korrupsionin, për të mbuluar paaftësinë e të drejtuesve politikë e të paaftë, që kanë mbushur këtë sektor jetik për ekonominë e vendit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›