Anarkinë e pronës e mbrojnë politikanët
Letër drejtuar Transparency International
Aktualisht, “Transparency International”është angazhuar për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit të pronës. Ne falënderojmë për këtë iniciativë, por dhe kërkojmë veprime konkrete dhe të shpejta. Nuk ka kuptim që e gjithë media të vazhdojë të tërheqë vëmendjen me ministrin e shkarkuar, Ylli Pango. Problemi më shqetësues dhe që duhet të ketë prioritet në të gjitha mediet është përvetësimi i pronave nga politikanët. Transparency International i ka të gjitha mundësitë për ta shëruar pjesën e molepsur në politikën shqiptare. Ne, pronarët, mbështesim apelin që shoqata “Bregdeti” i ka bërë ambasadorëve të KE, OSBE dhe SHBA, të publikuar më datë 7 mars në gazetat “Sot”, “TemA” dhe “Ndryshe”. Dhe praktikisht të dyja shoqatat tona dhe qytetarët që përfaqësojmë kërkojmë të njëjtën gjë. Kërkojmë t’i jepet fund arbitraritetit të politikanëve mbi pronat tona dhe i bëjmë thirrje të gjithë medias së shkruar dhe elektronike, si dhe analistëve të politikës të angazhohen me forcë deri në zgjidhjen e kësaj kërkese themelore të një shteti demokratik, atë të respektimit të titujve të pronësisë që duhet të jetë detyrim prioritar për t’u zgjidhur nga vetë shteti dhe pushteti. Anarkia e pronës u shkaktua dhe vazhdon të mbrohet me qëllim përfitimi nga politikanët. Një pronë e përfituar me ligje ose me mënyra që nuk përputhen me Kushtetutën, siç ishte ligji i reformës agrare në 1947 ose prona që është përfituar me grabitje dhe çdo vendim apo akt që vjen ndesh me titujt e pronësisë, duhet të anulohet nga vetë shteti dhe prona t’i kthehet pronarit. Vetëm kështu populli do të shpëtojë nga imoraliteti i politikanëve. Është e mirënjohur se në vitin 1991 Kuvendi i Shqipërisë shfuqizoi Kushtetutën komuniste të vitit 1976, sipas së cilës prona e shtetëzuar nga diktatura ishte emërtuar “pronë të shtetit” dhe kjo sipas publikimeve të B. Botërore përbën vetëm 48% të tokave. Po në vitin 1991, parlamenti miratoi “Dispozitat Kryesore Kushtetuese” sipas së cilës respektohen të drejtat e njeriut. Detyrimi kushtetues për respektimin e të drejtës së pronës private në Shqipëri rifillon shprehimisht me nenin 27 të ligjit nr. 7692 “Për një shtojcë në ligjin nr. 7491 datë 29.04.1991 “Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese”, që thotë: “Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta të ketë pronë private vetëm ose së bashku me të tjerë, si dhe e drejta për të trashëguar.... - Askush nuk mund të shpronësohet, përveçse për një interes publik dhe kundrejt shpërblimit të plotë”. Nga 1991 deri në 1998 e drejta e pronës dhe titujt e pronësisë vazhduan të shkelen nga shteti. Në 1998 u miratua Kushtetuta, por neni 181 dhe 41 vazhdojnë të shkelen nga vetë shteti me ligjet dhe vendimet që ka miratuar. Ky është shkaku i anarkisë institucionale, ku vetë shteti shkel Kushtetutën. Nenet dhe parimet kushtetuese, që respektojë titujt e pronësisë, përputhen me parimet e librave të shenjtë, me të drejtën zakonore të zbatuar kudo në Shqipëri deri në kohën e vendosjes së diktaturës komuniste. Edhe në Mesjetë, në Kushtetutën e Shkodrës të shkruar dhe zbatuar që në shekullin XIV lexojmë të njëjtat parime, por këto parime në mënyrë konstante janë shkelur dhe vazhdojnë të shkelen. Shkak i anarkisë së titujve të pronësisë janë politikanët e papërgjegjshëm dhe pa kulturë demokratike, megjithëse ata flasin për demokraci. Viktima është elektorati i majtë dhe elektorati i djathtë. Nëse do të zbatoheshin të drejtat e njeriut dhe detyrimet kushtetuese, pas vitit 1991, prona e grabitur ligjërisht nuk mund të trajtohej si pronë e shtetit, siç po trajtohet nga të gjitha ligjet që janë në fuqi pas vitit 1991 e deri te ligjet aktuale, përmbajtja dhe fryma e të cilëve nuk respekton titujt e pronësisë dhe origjinën e pronës. Nga kjo politikë, që është vazhdimi i dhunës shtetërore mbi pronën private, të gjithë dalin të humbur me përjashtim të një klani politikanësh që bëhen miliarderë duke përvetësuar pronat e pronarëve dhe pronat e shtetit. Kjo është arsyeja pse politika mban në fuqi ligjet që detyrojnë pronarët të futen dhe të riciklohen nëpër gjyqe për të kërkuar kthimin fizik të pronës. Askush nuk duhet të flasë për kompensim pa përfunduar më parë procesi i kthimit. Sot, në situatën aktuale, kur mafia e pronave është e mirorganizuar në administratën shtetërore dhe ka infiltruar plotësisht gjykatat, në kushtet e mungesës së plotë të vullnetit politik, lobingu i Transparency International për të sensibilizuar institucionet ndërkombëtare është zgjidhje e shpejtë. Ata së bashku me Avokatin e Popullit mund të venë në lëvizje edhe Komisionin e Venecias, pasi kërkesa jonë që respektimi i titujve të pronësisë të jetë detyrim i shtetit, dhe secilit trung familjar shteti të ketë detyrimin për t’i kthyer pronën është brenda parimeve kushtetuese dhe të shtetit të së drejtës. Kjo është një nga mënyrat demokratike që të marrë fund kjo farsë dhe tallje me pronarët dhe me shtetin e së drejtës dhe merr fund sorollatja 18-vjeçare e pronarëve nëpër komisione.