Standardi i dyfishtë i policëve të…Kinostudios
Duket se u fashit ngjarja “Çashku” tani kur kanë kaluar ca ditë sikurse ngjet rëndom për secilën ngjarje këtu ndër ne e cilado përmasave qoftë ajo. Aq më shumë për ngjarjen në fjalë, e cila u pasua nga skandali-Pango, skandal, i cili ka mbushur këto tri ditë opinionin publik shqiptar dhe vijon të përjetohet si krye-lajmi i ditëve, i pështjellë, krejt arsyeshëm me gjithfarë komentesh. Me gjasë andej komentet do të vazhdojnë, por ...ia vlen t’i rikthehemi edhe ngjarjes “Çashku”. Qoftë edhe për faktin se debati që ajo hapi dhe mesazhet që përcolli, ia vlen të mos mbyllen.
Pamja e parë e ngjarjes, (Çashku i rrethuar nga policët), marrja me furgon, me gjithë të birin, në dy tri-ditët më pas, sikur të dy të ishin kriminelë ordinerë ishte pamje jo vetëm e pështirë, për të gjithë ne shqiptarët që i njohim “palët”, (personalisht nuk i njoh as Çashkun dhe as …ata-policët), por edhe e frikshme njëkohësisht...Ngjarja u zbeh, sepse u largua në kohë, por jehona, sigurisht që mbetet. Dhe ndikimi i saj gjithashtu do të mbetet si njëra ndër dhjetëra njollat e errëta që lënë përditë segmente të shtetit në hapësirën e marrëdhënies me shtetasit. Sikurse i lanë gjurmët e veta në faqet e raportit të Departamentit amerikan të Shtetit bëmat e këtyre policëve të keqpërdorur në redaksinë e gazetës “TemA”. Sa kriminelë vrasës kemi dëgjuar të shkojnë në drejtim të paditur nga policia gjithë këto vite, sipas vetë komunikatave të policisë, ndërsa artisti, cilido qoftë, merret si të ishte njëri nga ata... Ky kontrast i egër vijon të krijojë distancë në ecjen tonë drejt Evropës, drejt së cilës jemi nisur prej gati njëzet vjetësh...
Assesi nuk mund të merret një njeri i formatit të Çashkut në këtë mënyrë. Edhe nëse e konsiderojmë si të gjithëpranuar vlerësimin e ish-ministrit skandaloz të Kulturës, z. Pango, për artistin, të cilin ai e quajti kineast i modelit socrealist...Në cilindo rast është e papranueshme kjo sjellje policeske, për sa kohë ai nuk ka kryer një krim ose i paraqitur në një rrethanë të kriminalizuar, ai ka shfaqur rrezik për publikun.
Kështu, ajo skena me policët që i vërsulen drejtorit të akademisë “Marubi”, në mjediset e akademisë (kjo gjë është e ndaluar me ligj), në ish-Kinostudion e vjetër, mbetet thellësisht e pajustifikuar... Dhe kjo gjë është thënë gjerë e gjatë publikisht këto ditë. Por ajo që ka kaluar disi më në hije është një tjetër skenë me policë që është shfaqur po në këto mjedise nga një tjetër “qiraxhi” i atyshëm. Publiku ka patur rastin ta shohë live në njërën nga mediet. Ndërsa Çashkut i vërsulen policët, e hipin në furgon dhe e dërgojnë në komisariat, ky “qiraxhiu” tjetër aty në ish-Kinostudio, ngjitur me akademinë “Marubi”, sipas pamjeve të bëra publike, komandon policët e Shtetit për punët e tija si të ishin punëtorë me mëditje të marrë nga “Ushtari i panjohur” (!)
Mjafton të ballafaqosh këto dy pamje dhe kupton se sa i ulët është në këtë vend standardi i zbatimit të ligjit. Dhe shkaku kryesor e ndoshta i vetmi është aplikimi në formë të dyfishtë i këtij standardi nga shtetarët e ngarkuar e të zgjedhur nga ne për të na qeverisur.
Sigurisht që për qeverinë e kryeministrin Berisha, Akademia e Filmit përbën interes shumë më të vogël se televizioni kombëtar i “qiraxhiut të rregullt” të Kinostudios, i cili i hap e i mbyll edicionet informative duke propaganduar nga mëngjesi në mesnatë arritjet e qeverisë. Zeja e mercenarëve kryeministrorë, që rregullisht i shërbejnë atij të radhës, duke i devijuar mizorisht mediet në pronësi të tyre nga e drejta dhe detyrimi i informimit të publikut, duket se është e paushtrueshme prej profesorit të akademisë... përderisa metrat katrorë që ai përdor për akademinë ka qenë e nevojshme t’i merren me policë, nga ata policët që përcollën me shumë siguri dhe respekt Fazlliçin në Rinas... i cili ka deklaruar 50 milionë euro të fituara nga ca metra katrorë të tokës shqiptare të marra me qira...me 1 euro.