E Shtunë, 31 Tetor 2026

E drejta e informimit për pronat, Topi përplaset me Alibeajn

 

Për të dytën herë brenda një jave, Presidenti Topi përplaset publikisht me qeverinë. Kreu i shtetit dhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj kanë replikuar dje gjatë një seminari ndërkombëtar me temë “Aksesi për informacion: çfarë mund të bëjë Avokati i Popullit”? pikërisht për sa i përket eksesit që kanë qytetarët për të marrë informacione nga administrata. Në fjalën e tij kreu i shtetit risolli shembullin e pronave, ku tha se qytetarët nuk kanë informacion lidhur me veprimet administrative për këtë çështje. “Në mjaft raste, qytetarët janë të painformuar, nuk gjejnë aksesin e duhur për t’u informuar, shpeshherë këto veprime administrative edhe nga punonjës të rëndomtë të administratës bëhen në konspiracion pikërisht për të realizuar qëllime të errëta të tjetërsimit të pronës, dhe në mjaft raste ky debat zhvillohet në media. Pra, është më i pranishëm në media pikërisht për shkak të mungesës së plotë të transparencës për marrjen e informacionit”, theksoi kreu i shtetit në fjalën e tij. Gjithashtu Topi shtoi se në shumë raste ‘e drejta për informim’, më shumë është pjesë e një fjalori që përdoret, që secili ka të drejtën të informohet, por nga ana tjetër, ka ankesa nga qytetarë të thjeshtë. Por përfaqësuesi i qeverisë në këtë tryezë, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, nuk ka ndarë të njëjtin qëndrim me kreun e shtetit lidhur me këtë çështje. “Sot për sot nuk ka në administratën publike asnjë lloj pengese për marrjen e informacionit. Sot nuk ka mekanizma për të përcaktuar me ligj në urdhra dhe rregullore për lehtësimin e marrjes së informacionit”, u shpreh Alibeaj. Gjatë takimit me 13 ombusdmene të Evropës në Tiranë, nuk kanë munguar edhe referencat për çështjen “Pango”. Avokati i Popullit, pritës i këtij takimi, vlerësoi rolin që ka media për të denoncuar fenomenet e korrupsionit, konfliktit të interesave dhe veprimeve të tjera të pamoralshme të zyrtarëve publikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›