E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, ndërtuesit kërkojnë ulje të TVSH dhe heqje të pagave referencë

Nga Fitim Zekthi

Sektori i ndërtimit është duke përjetuar një prej periudhave më të vështira prej vitesh dhe dje përfaqësues të tij kanë kërkuar ndërhyrjen e qeverisë, në mënyrë që ky sektor të përballojë këtë gjendje të vështirë. Përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve thanë dje se ata kërkojnë që qeveria të rrisë përpjekjet dhe të ndërmarrë masa që të rritet kërkesa konsumatore. Ata paraqitën një plan për përballimin e krizës ekonomike. Saktësisht, ndërtuesit kërkojnë uljen e TVSH për ndërtim, financim nga bankat dhe politikë të qartë investimesh nga qeveria. Sektori i ndërtimit është në alarm, 600 shoqëri ndërtuese nuk punuan fare gjatë 2008. Ata gjithashtu i kanë kërkuar qeverisë që t’i stimulojë duke i përfshirë në investimet publike, duke shtuar se fondet buxhetore nuk duhet të përqendrohen në pak projekte. Kësisoj, kërkesa e ndërtuesve për ndihmë ka synuar kryesisht rritjen e kërkesës konsumatore me anë të ndërhyrjeve fiskale, ku thelbi i planit të tyre është ulja e nivelit të TVSH dhe shfuqizimi i pagave të referencës. Por kërkesat e ndërtuesve për lehtësi fiskale bien ndesh me rekomandimet që Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë ekzekutivit. Ndërkohë që edhe sa i takon kërkesës për pagat e referencës, është e qartë se qeveria nuk do të bëjë lëshime. Pak kohë më parë, ish-shefi i misionit të FMN, Gerwin Bell, ka deklaruar se qeveria nuk duhet të stimulojë sektorë të caktuar në këtë periudhë të krizës botërore, pasi kjo do të rëndonte te sektorët e tjerë të ekonomisë. Ja se si shprehet ish-shefi i misionit të FMN, Gerwin Bell: “Është e rëndësishme që të ketë disiplinë të fortë buxhetore. Ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm, kur bëni avokatinë e masave të veçanta fiskale për sektorë të veçantë, pasi rrezikoni të merrni pará nga një sektor për t’ia dhënë një tjetri dhe unë nuk mendoj se kjo është përqasje e drejtë”, - tha Bell. Më tej Bell shtoi se “nuk është koha për aktivizim nervoz, por është koha për një dorë të sigurt që të sigurohet stabilitetit makroekonomik”. Ndërtuesit kanë ritheksuar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen për shkak edhe të politikave shtrënguese të bankave në kreditim. Ata i kanë kërkuar qeverisë që t’i stimulojë duke i përfshirë në investimet publike, duke shtuar se fondet buxhetore nuk duhet të përqendrohen në pak projekte dhe rrjedhimisht edhe në pak duar. Sekretari i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksi Muçi, tha se “ka ardhur koha të bëhet diferencimi i TVSH duke e ulur atë për mallrat jetike dhe duke e ngritur për mallrat e luksit. Të hiqet dorë nga politikat centralizuese dhe shtrënguese fiskale, duke shfuqizuar aktet ligjore në fuqi që kanë të bëjnë me pagat referuese në ndërtim me çmimet e referencës në materialet e ndërtimit”, - theksoi Muçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›