E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri merr masa për gjendjen moralo-seksuale të mazhorancës

Nga Antena brenda familjes

Flamuri e ka pasur të ngjeshur me punë fundjavën e kaluar, të dominuar prej skandalit Pango.

Ai burri e ka thirrur disa herë tête-à-tête dhe e ka ngarkuar të marrë masa për shëndoshjen e gjendjes moralo-seksuale të qeverisë dhe të mazhorancës në tërësi.

- Flamur, duhet me marrë masa. Me këtë të vjedhur, me këtë të ngrënë e të pirë që kanë bërë këta bashkëpunëtorët e mi, nuk mbahen fare, se janë bërë si dema race. Me na dalë ndonjë kasetë tjetër, na mori lumi, ndaj duhet me marrë masa. M’i mbaj në sy ata që duken si më hamshorët.

- E bela, ç’më gjeti mua, - tha Flamuri duke dalë, - sa shpëtova nga ndërzimi artificial në atë fshatin e Hasit, të merrem me këta ministrat e drejtorët tani. S’m’u ndanë kusuret.

Iu përvesh punës. Ndërtoi një listë me ministra, deputetë, drejtorë, këshilltarë dhe vendosi t’i thërrasë e t’i paralajmërojë një nga një.

Të parin thirri ministrin e Bujqësisë, Jemin Gjana.

- Dëgjo mixhe, se të kam dhe nga zona ime. Po të doli ndonjë kasetë, unë s’të mbroj dot, ndaj mblidh mendjen. Mo të shoh më në ministri, po të doli kaseta.

- ǒthua, - i tha Jemini, - po unë jam burrë i martuar?! Pastaj unë tani shoh për të bërë ndonjë lek, s’e kam mendjen nga femrat.

- E, ashtu thoni ju të gjithë, veçse kur iu bie kasetën Filipi, bëni si shpirt i keq. Të kam timin, ndaj të them. Ke sekretare?

- Domosdo që kam. Ku ka ministër pa sekretare??!

- Hiqe, po më dëgjon mua, vër një burrë.

Të dytën thirri Majlinda Bregun.

- Po të doli ndonjë kasetë, mo të shoh më në ministri, se më ka thënë vetë ai burri.

- Qyqja, po pse mo ty kanë vënë të na mbrosh nderin?! Pikaaaa.

- S’e kam nga vetja, e kam nga ai burri. Ai ka cipë, nuk i duron këto gjëra. E pe ç’i bëri atij cipëplasurit tuaj të KOP-it?

- E mo, thuaja dhe atij burrit se cipa s’është gjë, është thjesht kompleks.

I hodhi një sy me tutje listës dhe vendosi që ta mos i thërrasë të gjithë.

- Ja ky Nishani është i sëmurë, s’është ky as për seks, se mezi rri në këmbë. Po dhe ky Genci të shikon vetëm nga duart se mos i çon gjë, ka kohë që s’shikon njeri nga këmbët. Frikën ia kam këtij holandezit, Lul Bashës, se mos na bën ndonjë proçkë. Nuk kam hallin e ndonjë kasete me gra.

Në mëdyshje ndenji tek emri i Rosinant Pones, të cilin tani e thërriste me këtë emër, siç e quante dhe ai burri. Pasi u mendua gjatë, vendosi të mos e thërrasë.

- Po ka femër që i afrohet atij me atë erë që bie nga të palarët?! Po pati dhe Rosinanti dashnore, vaftë jeta, arsyetoi.

Aty nga mbrëmja e thirri prapë ai burri. E pyeti se ç’masa kish marrë.

- Doktor, mos ki merak për kaseta të tjera, veç po i ka mbetur Filipit ndonjë e vjetër se që këtej e tutje…

- Pse, ç’u bërë, mos i kastrove fare?! Të thashë vetëm t’i trembesh dhe t’i këshillosh të bëjnë kujdes dhe këta tre muaj që jemi.

- Jo, kam gjetur një metodë më të mirë. S’na akuzojnë as këta perëndimorët se po ju shkelim të drejtat, se ti e di që ata janë të ndjeshëm në këto punët e lirive seksuale.

Të gjithë ministrave iu kam vënë password në kompjuter Yllin. Sa ndezin kompjuterin, del password-i Ylli Pango. Me të parë këtë, u kujtohet si e shkarkove ti për katër minuta dhe s’ka asnjë prej tyre që të bëhet burrë për gjithë ditën.

Po kam merak këta deputetet. Bisedova me Astritin që t’i detyrojë të gjithë që çdo mëngjes të kthehen nga dielli e të thonë tri herë me zë të lartë Ylli, Ylli, Ylli. Pastaj s’iu shkon më mendja për femër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›