PS: Berisha dhe Topalli shpërdoruan 500 milionë dollarë
Shaban Sulçe
Partia Socialiste akuzon kryeministrin Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se po shpërdorojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Sipas nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, dëmi i shkaktuar nga dy krerët e shtetit kap shifrën e 500 milionë dollarëve dhe është shkaktuar kryesisht nga udhëtimet e shpeshta jashtë shtetit të kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit. Braçe e akuzoi gjithashtu Topallin se me udhëtimet e saj të shpeshta jashtë vendit është kthyer në pengesë për vazhdimin e punimeve të Kuvendit. “Ky është akti i ri shembullor se si shpërdorohet pushteti, se si abuzohet me detyrën, se si abuzohet me taksat e shqiptarëve, tashmë jo nga një njeri, por nga dy njerëz, nga Sali Berisha dhe Jozefina Topalli. Që të dy bashkë po kalojnë mbi 1.5 bilionë kilometra fluturime në çdo cep të globit, nga Amerika në Kinë dhe nga Arabia në Afrikë”, - tha Braçe.
Akuzat ndaj Topallit
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, e akuzoi Topallin se në mënyrë të vazhdueshme, me udhëtimet e saj të shpeshta jashtë shtetit, është kthyer në pengesë të punimeve të Kuvendit. Braçe tha se edhe gjatë ditës së djeshme, punimet e Kuvendit nuk u zhvilluan, pasi Topalli ishte larguar në Zvicër, në një vizitë turistike. “Kjo është e disata herë që kryetarja e Kuvendit mbyll Kuvendin për të ikur jashtë shtetit në udhëtimet e saj turistike. Ky është shembulli më i qartë i arrogancës, i abuzimit me përfaqësimin, i abuzimit me shpenzimet që dhunohen e shpërdorohen në emër të detyrës shtetërore që i kanë besuar shqiptarët. Dua t’u kujtoj se deri Tani Jozefina Çobaj apo Topalli ka kryer prej tre vjetësh mbi 700 mijë km udhëtime në Europë, në Azi, në Afrikë, në Arabi, në Amerikë. Vetëm bileta e saj e udhëtimit të sotëm në Zvicër kushton 700 euro, ose sa 7 pensione pleqërie në qytet, ose sa 14 pensione pleqërie në fshat, ose sa 15 pensione minatorësh që rrinë atje përjashta dhe presin të mbarojë udhëtimin turistik Jozefina Topalli”, - tha Braçe.
Akuzat ndaj Berishës
Deputeti socialist tha gjithashtu se një tjetër shkak se përse Kuvendi nuk zhvilloi punimet e djeshme ishte edhe apatia e qeverisë për të depozituar në Kuvend projektligje. Braçe tha se kjo ndodh për shkak të paaftësisë së qeverisë dhe implikimit të saj në afera korruptive. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, duke komentuar edhe raportin e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, tha se kryeministri Berisha dhe qeveria e tij, me korrupsionin e tyre po u kushtojnë çdo e më shtrenjtë vendit dhe se dëmi financiar po rëndon xhepat e shqiptarëve. “Në total Sali Berisha i kushtoi vendit për vitin 2007 mbi 500 milionë USD para publike. Angazhimi qeveritar pikërisht për këtë arsye, po degjeneron në vjedhje masive të çdo shqiptari dhe natyrisht shoqërisë shqiptare në tërësi. Angazhimi qeveritar po shter duke sjellë në vëmendje të çdo shqiptari dështimin shembull të Sali Berishës për mbajtjen e premtimeve, dështimin shembullor të Sali Berishës të zbatojë detyrimet kombëtare”, - tha Braçe.
3 Tetor 2008