E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anbeta Toromani: Kërcej, por dëshiroj një fëmijë

Nga televizioni në skenën e botës së "Amici" të Maria De Filippi-t. Tashmë ajo lëviz nëpër Itali në kërkim të duartrokitjeve. Në teatrin "Colosseo" të Torinos, balerina shqiptare Anbeta Toromani do të performojë me "Io ballo", ("Unë kërcej") spektaklin e kërcimit drejtuar nga Chicco Sfondrini, në të cilin ngjiten në skenë "yjet" e "Canale 5" si Giulio Ottonello, Rita Rodi, Anbeta Toromani, Josè Perez, Leon Çino, Gianni Sperti, Maria Zaffino, Eleonora Scoppelletti. Bëhet fjalë për edicionin e ri të këtij spektakli, i cili ka bërë për vete publikun me shfaqjen e këtyre balerinëve profesionistë. Një rast unik ky për të admiruar nga afër një prej trupave të baletit më të përgatitura në botën e spektaklit italian, të cilët udhëhiqen prej një balerine perfekte si shqiptarja Anbeta Toromani, e cila mes të tjerash ka edhe meritën se ka përcjellë në shtëpitë e italianëve bukurinë elegante të baletit klasik, e cila për shumë kohë ndoshta ishte mbyllur brenda kufijtë e teatrove të operave.

"Unë e kuptoj se baleti, mbi të gjitha në vendin tuaj, konsiderohet si një disiplinë jo shumë e ndjekur dhe se nuk ka të njëjtin popullaritet si kënga - shpjegon balerina shqiptare e cila ka lindur në Tiranë 30 vite më parë. Italianët janë thuajse të gjithë këngëtarë, mjaft të jenë pak të intonuar, të kenë një zë të bukur dhe ja ku lind një këngëtar. Mendoj se merita e Maria De Filippi-t është se ka arritur ta popullarizojë pak më shumë baletin.

Nga sa është kuptuar, duket se vitin tjetër, spektakli "Amici" do të përqendrohet në disiplinën e baletit...

Po, kështu është, dhe për këtë jam shumë e lumtur.

"Io Ballo" është një mjuzikëll që ka pasur sukses edhe vitin e kaluar, kjo do të thotë se publiku i vlerëson profesionistët e "Amici". Si ndiheni tani që keni kaluar nga televizioni në teatër?

Teatri, sigurisht që është pasioni im i parë, kontakti kaq afër me publikun më pëlqen me të vërtetë shumë. Por emocioni është i njëjtë si në televizion ashtu edhe në teatër, në të dyja rastet jam në skenë dhe duhet të bëj mirë punën time.

Cili është personazhi që interpreton?

Jam një balerinë e kësaj kompanie që përballet me një situatë shumë të veçantë, pikërisht në vigjilje të premierës. Në thelb, secili prej nesh, është duke e lënë spektaklin për të ndjekur oferta më të rëndësishme duke rrezikuar të prishë punën e disa muajve, por në fund fare, Garrison do të na ndihmojë, e cila është gjëja e duhur që duhet bërë.

Balet, televizion, teatër. Ku e gjen kohën për jetën private?

E gjej, si jo. Vazhdoj të jem lumturisht e fejuar me Onin tim, me të cilin bashkëjetoj prej pesë vitesh. Kemi shumë projekte, i pari mes të cilëve është të kemi një fëmijë.

Shumë herë, Carla Fracci, ju ka folur mirë në transmetim, a do të kërceni ndonjëherë për të?

Uroj të ndodhë kështu, do të ishte një ëndërr dhe shpresoj të ketë propozime konkrete.

Po marrëdhënia mes jush dhe Celentano-s?

Është njeriu më i mirë që mund të takoja përgjatë rrugës sime. Përveçse është një koreografe e zonja, për mua është edhe një mikeshë e shkëlqyer. Shumë pak e dinë se ajo është e besuara ime.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›