Çelet në Gjenevë Salloni Ndërkombëtar i Librit
Në Gjenevë është hapur Salloni Ndërkombëtar i Librit dhe i shtypit. Sipas organizatorëve të Sallonit të Librit, sivjet, afër 800 shtëpi botuese kanë prezantuar titujt e librave të tyre. Sipas radhës, këtë vit Turqia është përfaqësuese nderi, duke iu prirë stendave me literaturë të larmishme turke. Gjatë këtij viti në sallon, dashamirësit e artit kanë mundësi të shikojnë ekspozitën e punimeve të shkëlqyeshme të piktorit të njohur botëror Giacometti. Ashtu si edhe vitet e kaluara, edhe libri shqip, takohet në Gjenevë me lexuesin. Ministri zviceran shprehu shpresën se botime të tjera shqiptare do të vijnë në gjuhën frënge. Përfaqësuesit e librit shqiptar kanë sjellë nga Tirana mbi 500 tituj librash të gjinive të ndryshme, duke nisur nga letërsia për fëmijë, romane, e vepra historike të autorëve shqiptarë nga Shqipëria e Kosova. Ashtu si edhe në vitet e shkuara, janë veprat e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare të cilat dominojnë në stendat e librave shqip. Përveç romaneve të hershme të autorit, është prezantuar në këtë panair, "Darka e gabuar", romani i tij i ri.