E Diel, 1 Nëntor 2026

Andon Andoni, mes tregimit dhe romanit

Ka vendosur të eksperimentojë për herë të parë në gjininë e romanit, edhe pse nuk e mohon, me tregimin e ndien veten më mirë. Shkrimtari Andon Andoni, prej pak kohësh, ka sjellë për lexuesin romanin e tij të parë, të cilin e ka titulluar "Gri", botuar prej shtëpisë botuese "Morava". Sjell në vëmendje vitet e para të ardhjes së demokracisë, atëherë kur të gjithë rendnin përtej kufijve. Ndryshe nga bashkatdhetarët, personazhi kryesor, Durim Kola, zgjedh të bëjë të kundërtën e tyre. Iu ngjitej maleve... diku do të binte në gjurmë të floririt... Andoni rrëfen se pas këtij romani të parë, ka nisur të shkruajë një tjetër, sërish i nxitur prej problemeve sociale në vend të cilat me krijimtarinë e tij, dëshiron t‘i nxjerrë në pah. Gjithsesi, tregimet mbeten dashuria e tij e parë e për këtë arsye, po punon paralelisht për një vëllim të ri me tregime nga fëmijëria, por që i drejtohen të rriturve.

Për herë të parë, pas pesë librash me tregime, ju provoni në gjininë e romanit. "Gri" ka dalë prej pak kohësh në treg, përse tani kjo zgjedhje?

Po, e vërtetë, për herë të parë shkruaj një roman edhe pse përsëri, siç duket, mbeta midis gjendjes dhe zhgjendjes, mes tregimit dhe romanit, të cilin e kam konceptuar në 14 tregime të cilat përbëjnë nga një kapitull me vete.

Si është ndërtuar romani juaj dhe si lidhen kapitujt me njëri-tjetrin?

Këto 14 tregime, që kanë subjekte më vete, lidhen nga një personazh qendror që është Durim Kola i cili në ato vitet e para të demokracisë, kur të gjithë shikonin se po lëviznin gjërat dhe kërkonin të dilnin matanë kufijve për të parë se si ishte bota tjetër, përtej botës së mbyllur ku ishim ne. Durim Kola bën të kundërtën, ai ngjitet shpellave, kodrave, shkëmbinjve, kishave të vjetra e të rrënuara, sepse mendon që në këto vende ka florinj të fshehura dhe se ai do të bëhet i pasur, edhe pa punuar duke gjetur këtë thesar të fshehur diku. Ky është personazhi kryesor që i lidh këto kapituj njëri me tjetrin. Pastaj romani ka edhe një lloj koncepti si mozaik, si një antiroman në të gjithë këta kapituj ku personazhet janë më vete, pothuajse në secilin prej tyre ka situata më vete, ngjarje e histori më vete, sigurisht edhe jetë ndryshe nga njëri kapitull në tjetrin, por ajo që është kryesore mbetet fakti që ka jetë, një jetë që vjen me zhurmë.

Përse e keni titulluar "Gri"?

"Gri" sepse të gjitha përpjekjet e rropatjet e këtyre njerëzve zhvillohen në një sfond gri. Nuk ka ende një shpresë, një dritë në fund të këtij tuneli të errët, ku ata të rendin e të bredhin pas saj, edhe pse Durim Kola duket si një njeri që po e gjen këtë dritë floriri. Por në fund të fundit, edhe ai zhgënjehet nga kjo rendje poshtë e përpjetë. Në fund lë mënjanë gjithçka dhe kridhet në krahët e një dashurie, të cilën e jeton sipas mënyrës së tij. Kjo dashuri e bën që të harrojë qëllimin e parë të gjetjes së floririt.

Cila është gjuha që keni zgjedhur të përdorni?

Në kapituj, situatat janë të ndryshme. Kam zgjedhur të flas edhe nëpërmjet një lloj cinizmi për të zbuluar të vërtetat e kësaj kohe që shumë pak na gëzoi, e shumë pak na lumturoi e që vazhdon edhe sot të mbetet një ëndërr e largët.

Ǒju shtyn të shkruani?

Në fakt është një pyetje që u bëhet shumë shkrimtarëve përveç klisheve, siç është pasioni, do të shtoja se e shkruara është diçka e brendshme. Njeriu ngopet, mbushet shpirti dhe një ditë të caktuar do që të shpërthejë dhe të dalë në trajtën e një tregimi dhe të një vepre. Por edhe leximi të hedh në shtratin e krijimit.

Kur shkruani, si tregime ashtu edhe roman, ju ngacmojnë më së shumti problemet shqiptare, apo ndodh të shihni edhe përtej tyre?

Shkruaj gjithmonë për gjëra që më shqetësojnë dhe që më bien në sy. Ajo që duket edhe në tregime, por edhe në romanin tim, është fakti se ky realitet i cili fotografohet, në një farë mënyre vjen i ngrohtë e plot jetë nëpërmjet tyre. Madje për hir të kësaj pyetjeje do të përmendja një fakt që ma kanë thënë edhe të tjerët, vendin kryesor e zë jeta e fshatit. Unë jam një lloj fshatari në kuptimin që nuk ndahem dot prej tij e shpesh, shkrimtari Dhimitër Xhuvani më thoshte: "Shko shpesh merr ndonjë gjë, sille e shkruaje në Tiranë". Është një ritual që nuk shkëputem dot, edhe pse jam përpjekur të shkruaj edhe me tematikën e qyteteve. Kjo duket dhe nga gjuha e tregimeve të mia e cila është një gjuhë e Jugut. Mua më pëlqen ta përdor atë duke e letrarizuar paksa. E përdor natyrshëm, ashtu siç vjen tek unë. Më pëlqejnë këto dialektizmat të cilat sjellin më pas edhe elemente të risisë për gjuhën.

Pas "Gri" që është prova juaj e parë në gjininë e romanit, a do të shkruani një tjetër pas tij?

Ky roman, nuk e besoj se do të jetë i pari dhe i vetmi në krijimtarinë time, sepse menjëherë pas tij, kam hedhur një skicë ide për të shkruar një tjetër roman, të cilin do ta mendoj më të plotë në sensin e strukturës, në ndryshim nga "Gri". Më shqetësojnë sigurisht problemet e jetës së njerëzve në këtë vend, më shqetësojnë dashuritë e parealizuara. Romani ia ardhshëm ka në qendër një burrë rreth të 80-ave, i cili mbetet në kurthin e një dashurie të madhe që ka për fëmijët e tij. Të gjithë kanë shtegtuar jashtë e për shkak të vetmisë, një ditë prej ditësh fati i sjell në derë një prostitutë. I gjithë fshati, ambienti e shikon me një lloj urrejtjeje këtë plak, i cili e strehon, i jep bukë. Ai e mban sepse i kujton fëmijët, sepse atij i mungon jeta brenda qenies dhe ambienteve të asaj ngrehine që quhet shtëpi, ndaj edhe do që kjo prostitutë t‘i kthehet në shtëpi çdo natë vetëm e vetëm sepse e mbush me jetë. Ky është motivi i romanit të ardhshëm. Por edhe me këtë roman dua të tregoj se ka edhe këtu kapituj të tillë që rrëfejnë njerëz që e duan me të vërtetë.

Po për sa i përket tregimeve, a keni të reja në këtë gjini të cilën siç edhe e thatë, e preferoni më shumë?

Jam duke shkruar disa tregime të reja, të cilat i kam konceptuar si tregime nga fëmijëria. E pavarësisht se tema është e marrë nga fëmijëria, ato vijnë në një gjuhë dhe në një format që i adresohet përsëri të rriturve, gjithsesi parë nga këndvështrimi i fëmijëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›