Anbeta Toromani, vallëzim në kështjellën e Romeo dhe Zhuljetës
Një verë e nxehtë kjo për Anbeta Toromanin. Nuk mjaftoi shpallja në fillim të verës si talenti më i mirë i spektaklit “Amici”, në garën mes të gjithë talenteve të tjera që kanë marrë pjesë në të gjithë edicionet. Ka qene kështjella e Romeos (personazhit të famshëm të tragjedisë së Shekspirit, “Romeo e Zhuljeta”) në Monteçhio Maggiore që ka mikpritur spektaklin e Anbetës dhe miqve të saj. Në fakt, spektakli i titulluar “Anbeta Toromani & friends” është një homazh për artisten shqiptare të famshme në Itali, i organizuar nga koreografja Alessandra Celentano. Me Anbetën në skenë, janë ngjitur edhe artistë të tjerë të ardhur nga shoqëritë më të famshme të baletit në botë, mes të cilëve edhe një tjetër balerin shqiptar që jeton në Romë, Hektor Budla. Ka qenë një spektakël i pasur, dinamik e i sofistikuar, sipas mediave italiane, ku Anbeta dhe kolegët e saj kanë paraqitur edhe mjaft koreografi të reja të krijuara enkas për këtë mbrëmje. Publiku i shumtë (biletat kanë mbaruar ditë përpara datës së spektaklit) ka pasur mundësi të shijojë disa nga pjesët më të shkëlqyera të baletit klasik, modern e bashkëkohor, si: “Liqeni i mjelmave”, “Bukuroshja e fjetur”, “Don Kishoti”, por edhe pjesë koreografike të mjeshtërve të rëndësishëm të nënqindës si: Neumeier, Zanella, Ashton, për të mbërritur deri tek bashkëkohorët Bigonzetti, Longo, Scigliano. Një spektakël i mrekullueshëm që ka rikthyer Anbetën në “gjirin” e botës së saj të preferuar, teatrit, me të gjithë mrekullitë që skena të ofron. Në këto ditë të nxehta vere, Anbeta vazhdon të japë spektakle në të gjithë Italinë, për kënaqësinë e të gjithë artdashësve të teatrit të baletit, por mbi të gjitha, të fansave të saj, të cilët e kanë zbuluar “mjellmën” shqiptare të baletit nëpërmjet spektaklit të zbulimit të talenteve, “Amici”. Edhe në ditën e festës italiane të Ferragosto, (një përzierje feste fetare me fundin e verës për bujqit e dikurshëm) Anbeta është ngjitur në skenën e teatrit në Sanremo,për të vijuar në Marina të Pietrasanta. Balerina shqiptare është ngjitur në shumë skena të tjera të ngritura nëpër qytete të ndryshme italiane, duke filluar nga Crema, Siena, Pescara, Subbiano, Amalfi, etj. Ndërkaq, Anbeta Toromani ka qenë protagonistja e mbylljes së aktivitetit të njohur roman “Invito alla danza”, që ka pasur mjaft jehonë në mediat italiane. “Më në fund Anbeta” është quajtur mbrëmja e organizuar si një homazh për Anbetën, këtë yll të fashëm të baletit në televizionin italian, por që nuk ka patur mundësinë të prezantohet në skenën e teatrit të baletit në Itali. Anbeta ka kërcyer në çift me kolegun e saj të përhershëm edhe në “Amici”, José Perez. Siç janë shprehur edhe mediat italiane, spektakli i ideuar nga koreografja Alessandra Celentano dhe i prodhuar nga Shoqëria Kombëtare e një tjetër koreografi të njohur edhe nëpërmjet spektaklit “Amici”, i ka bërë homazh një talenti të vërtetë të baletit klasik që për faj të televizionit, por edhe për shkak të një krenarie personale të balerinës, nuk ka mundur të shprehet ashtu siç e meriton edhe në skenat e rëndësishme të baletit klasik në Itali. Anbeta, e cila kërkon t’u rrijë larg mediave e të flasë sa më pak, ka deklaruar se i mungon teatri, por që tashmë e ka pranuar refuzimin që i është bërë nga trupi i baletit të Teatrit “La Scala” të Milanos. Gjithsesi, ajo nuk ka konfirmuar praninë e saj në edicionin e ardhshëm të “Amicit”, me një përgjigje të tipit se “akoma nuk i dhet”. Ndër çmimet që ka marrë Anbeta në këto vite, mbas njohjes në spektaklin “Amici” gjatë edicionit të 2003, vlejnë për t’u përmendur edhe çmimi Gino Tani për artet e spektaklit në vitin 2004 apo çmimi Danza& Dannza në vitin 2005.
18 Gusht 2009