Festivali i filmit, “Slumdog millionare” starton garën në Durrës
“Slumdog millionare”, filmi i famshëm i regjisorit Dany Boyle është zgjedhur për të përshëndetur çeljen e International Summerfest Film of Durrës më 22 gusht. Plot 18 filma nga Ballkani dhe Europa do të garojnë sivjet në edicionin e dytë të Festivalit Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, i cili do të mbahet nga data 22-30 gusht dhe do të përballë me njëra-tjetrën shkollat e ndryshme të kinemasë, teknikat, subjektet dhe arritjet e vendeve përkatëse, duke shërbyer njëherësh edhe si një eveniment i mirë, ku evidentohen vlerat dhe ku shkëmbehen përvojat. Në konkurrim kanë hyrë të prodhimet filmike të tre viteve të fundit, një pjesë e të cilave me çmime të ndryshme të fituara nëpër festivale filmash në Europë e më gjerë. Filmi shqiptar sivjet do të përfaqësohet nga premiera e filmit “Gjallë”, me regjisor Artan Minarollin. Ndërkaq, filmi kosovar do të shfaqet jashtë konkurrimit. Bëhet fjalë për “Ama dorën” të regjisorit Ismet Sijarina, një film bazuar mbi historinë e vërtetë të një të riu kosovar, abuzues droge; Besi, duke u përpjekur të tregohet burrë dhe t’i lërë përshtypje së dashurës merr një drejtim të gabuar dhe hyn në një botë që dalëngadalë zbulohet të jetë e errët dhe e dhimbshme, bota e vdekjes... Realiteti i Prishtinës është shumë më i hidhur dhe i errët sesa ai që duan të besojnë vet qytetarët e saj. Ky film e sjell të gjallë këtë të vërtetë të madhe. Filmat pjesëmarrës do të kobkurrojnë në seksionet e botës ballkanike dhe të vizioneve bashkëkohore. Nuk do të mungojë as retrospektiva, e cila këtë vit i kushtohet regjisorit Dhimitër Anagnosti. Organizatorët bëjnë të ditur se këtë edicion do të sjellin filma të njohur nga shkolla italiane, ndër të cilat mund të përmendim “Autobusi i natës” me regji nga Davide Marengo dhe “Gomorra” me regji të Matteo Garrone. Gjithashtu, konfirmohet se mes të tjerash do të shfaqet premiera e filmit “Gjigandi” me regji të Paolo Sorrentinos, si edhe filma të tjerë nga Franca, Çekia, Bullgaria, Turqia, Greqia, Sllovenia, Kroacia etj. Sa i përket shfaqjes së filmave, projeksionet do të zhvillohen në sallën e kinemasë të teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe në Amfiteatrin Romak të Durrësit.
Çmimet
Golden Gladiator - Filmi më i mirë
Çmimi i Jurisë - Regjisori më i mirë
Filmi më i mirë Ballkanik
Golden Gladiator - Çmimi i Karierës
Çmimi i Kritikës së Filmit
Aktori më i mirë
Aktorja më e mirë
18 Gusht 2009