E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ançeloti: Bravo për Pirlon dhe Balotelin

Përgatiti: DENIS HAKANI

Trajneri italian, aktualisht te PSG, deklaron: Nëse do të isha në vend të Lëvit do të tregohesha i kujdesshëm ndaj Italisë. Prandeli po ndërton diçka të rëndësishme

E keni parë se çfarë ka bërë Pirlo? Vetëm gjenitë kanë ide të tilla. Andrea është i madh dhe nuk ka epitete të tjerrë për të shtuar. Ky gjykim është bërë nga një njeri që e njeh shumë mirë: Karlo Ançeloti.

Trajneri aktual i Paris Shën Zhermenit ka ndjekur sfidën e Italisë kundër Anglisë nga Kanadaja, ku ndodhet me pushime: birrë dhe tifozllëk i çmendur.

Meritonim të fitonim brenda 90 minutave, ata nuk kanë bërë asgjë, ne kemi pasur gjithmonë kontrollin e topit, kemi sulmuar, kemi goditur portën. Kemi qenë të pafat, kjo po, por më pas ka menduar Pirlo për të vënë gjërat në rregull.

Jeni i bindur se penalltia e Andreas ka zhvendosur ekuilibrat?

Jam i sigurt. Kur bën një gjë të tillë ndodh që kundërshtarët të demoralizohen dhe shokët e skuadrës të entuziazmohen. Ja përse Pirlo ka qenë vendimtar.

Por, Anglia ka qenë shumë zhgënjyese.

Ne jemi treguar të aftë duke mos lejuar hapësira për kundërsulmet e tyre. Ata luajnë me skemën 4-4-2, mbrojtje dhe kundërsulm. Kundër Italisë nuk kanë qenë pothuajse asnjëherë të rrezikshëm.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga Italia?

Personaliteti. Kemi dominuar gjatë gjithë kohës në mesfushë, kemi kontrolluar zotërimin e topit dhe gjithmonë me ide të qarta. Italia është rritur shumë që nga fillimi i turneut.

Me përjashtim të Pirlos, kush ju ka bindur?

Them Baloteli. Më ka pëlqyer për mënyrën sesi ka luftuar me Terrin dhe Leskot që nuk janë dy pesha të lehta. Ai nuk është tërhequr kurrë mbrapa, ka krijuar hapësira, ka marrë disa goditje dënimi, ka goditur disa herë portën. Në lidhje me këtë, i keni të dhënat? Sa gjuajtje ka bërë Mario?

Nëntë, gjashtë në portë dhe tre jashtë.

Janë shumë. Nuk ka shumë sulmues që gjuajnë drejt portës kaq shpesh. Sipas mendimit tim Baloteli ka qenë i dobishëm për gjithë skuadrën. Edhe ai po rritet dhe pikërisht në momentin e duhur të Europianit.

Doni të thoni se Gjermania duhet të shqetësohet?

Nëse unë do të isha Lëv do të tregohesha shumë i kujdesshëm, kundër kësaj Italie nuk mund të bësh shaka.

Por Gjermania është më e fortë, këtë e thonë të gjithë.

Nuk është vetëm një çështje force, një ndeshje shpesh vendoset nga një episod. Unë besoj se Gjermania është skuadra më e mirë që është parë në Europian, më e kompletuara, por kundër nesh do të ketë vështirësi. Shumë vështirësi.

Italia do të jetë më e lodhur, ka luajtur 120 minuta me Anglinë.

Fitorja dhe entuziazmi mund të bëjnë që ky problem të kalohet. Më pas Prandeli është shumë i aftë për të menaxhuar forcat dhe për të bërë rotacion. Do të vlerësojë gjendjen e lojtarëve dhe do të zgjedhë ata që do të jenë më në formë.

Domethënë, thoni të vërtetën: e shikoni Italinë si favorite?

Jo, shikoj Gjermaninë më pak favorite nga sa mund të duket. Më pas jam italian, edhe unë jam tifoz i kombëtares…

Sigurisht arritja midis katër më të mirëve në Europë është një rezultat i rëndësishëm. Kush do ta kishte thënë pas polemikave në Koverçano?

Ne jemi gatuar në këtë mënyrë, në vështirësi entuziazmohemi, dimë të nxjerrim më të mirën. Gjithsesi, tani që jemi midis katër më të mirëve, duhet të kemi ambicien që të futemi midis dy të parëve dhe më pas… Kurrë nuk duhet të ndalemi, nuk duhet të shikojmë mbrapa, të kërkojmë të arrijmë objektivin kryesor.

Merita kryesore e Prandelit?

Durimi që ka treguar në ndërtimin e skuadrës dhe forca për të vendosur idetë e veta futbollistike. E mbani mend se ku ishim pas Botërorit të 2010-ës? Mendoj se disa hapa përpara i kemi bërë, apo jo?

Nga kush prisni një tjetër goditje magjike pas asaj të Pirlos?

Bufon më jep shumë siguri. Është një kampion absolut, në fushë dhe në dhomat e zhveshjes.

Po për gjysmëfinalen midis Spanjës dhe Portugalisë çfarë mendimi keni?

Fitorja e Spanjës nuk është aq e sigurt. Dakord, spanjollët i njohim të gjithë, e zhvillojnë shumë mirë lojën e kontrollit të topit, të marrin mendtë, por kujdes ndaj Portugalisë: është një skuadër e rrezikshme.

Mbyll hapësirat, në mesfushë të merr frymën dhe përpara kanë një fenomen që mund të zgjidhë gjithçka në një sekondë. Nëse do të isha një spanjoll nuk do të gëzohesha për faktin se do të përballem me Kristiano Ronaldon, ai të bën copa-copa nëse është në formën e duhur.

Domethënë, finalja juaj është Itali-Portugali…

Mos bëni shaka… Por, them se nuk është e sigurtë që finalja të jetë Gjermani-Spanjë siç kanë parashikuar të gjithë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›