E Diel, 1 Nëntor 2026

Pirlo: Jemi për finale, Gjermania ka frikë nga ne

Përgatiti: Denis HAKANI

Regjisori i manovrës axurre paralajmëron: Jemi këtu për të fituar, do të jetë një sfidë e fortë. Topi i Artë? Deri sa të jenë Mesi e Ronaldo, është e pamundur

Andrea Pirlo qëndron me këmbë në tokë: Topi i Artë? Deri sa të jenë Mesi dhe Ronaldo, mendoj se është e pamundur të arrihet para tyre. Mesfushori axurr nuk dëshpërohet: Përgëzimet e kolegëve të mi janë gjëja më e bukur, sepse luajnë futboll si unë, zbaviten.

Goli parabël me 11-metërsh nuk i dedikohet Galianit apo Anjelit, por të gjithë italianëve. Gjermania? Janë të fortë në të gjitha repartet, do të jetë një gjysmëfinale e bukur, – vazhdon Pirlo. Një reklamë për gjysmëfinalen? Italia do të përpiqet, jemi për finale. Është i karikuar regjisori italian, që nuk i druhet asgjëje:

Jemi këtu për të fituar Europianin. Gjermania ka frikë nga ne, duke parë ndeshjet e kaluara janë të frikësuar që mund të përsëritet ajo që ka ndodhur në të shkuarën. Gjermania duhet të jetë e kujdesshme që të mos përsëritet ajo që ndodhi në vitin 2006.

Presioni bie pra mbi shpinën e skuadrës së Lëvit dhe Andrea Pirlo ka recetën e fitores: Duhet ta zhvendosim lojën siç bëmë ndaj anglezëve, por gjermanët, ndryshe nga Anglia, janë një skuadër që luan më shumë dhe mund të na krijojnë probleme.

Pirlo ama i druhet Mesut Ozilit: Te Gjermania ka shumë kampionë, Ozil më pëlqen shumë, është truri i lojës gjermane, sikundër te Real Madridi, prandaj duhet të kemi kujdes për mënyrën si lëviz në fushë.

Të shohim nëse do më markojnë këmba-këmbës, – shpjegon Andrea, – mendoj që kundërshtari direkt që do të kem në zonën e fushës, do të jetë Ozil, sepse zakonisht luan në atë zonë të fushës.

Skuadra e Prandelit është e bindur në forcat e saj: I kemi parë të gjitha ndeshjet e Gjermanisë në televizor dhe i kemi studiuar videot e tyre, do ta bëjmë edhe në orët e fundit. E dimë që mund tia dalim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›