E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ançeloti: Derbi vlen më shumë për Milanin

 

Trajneri kuqezi është i bindur për vështirësinë e vendit të katërt, por sot kërkon fitoren

Karlo Ançeloti dhe Milani janë gati për derbin e së dielës kundër Interit, një ndeshje, që, në vetvete, ka një domethënie të veçantë, por që këtë herë vlen shumë edhe për të arritur objektivin e sezonit: Ligën e Kampioneve. "Për ne është një sfidë shumë e rëndësishme, - tha trajneri kuqezi. - Ndoshta për Interin është më pak. Ne duam të hyjmë në Champions, duam të luajmë në një veprimtari të rëndësishme, që na ka dhënë kënaqësi të mëdha." Europa, pra, vjen para rivalitetit qytetas për teknikun milanist.

Por, nga ana tjetër, derbi mund t'i dhurojë Interit titullin, me dy javë para fundit të kampionatit. Kuqezinjtë duhet të marrin rezultat për të vazhduar të ndjekin vendin e katërt. Fiorentina, që është dy pikë para Milanit, zë vendin e fundit të vlefshëm për kualifikimin në turin paraeleminator të Ligës së Kampioneve. "Duam t'i afrohemi ndjeshëm, - vazhdoi Ançeloti, - por, për të bërë një tjetër hap para, duhet të mundim Interin, që nuk ka bërë shumë gjëra në aspektin e cilësisë kohët e fundit. Ka arritur rezultate, falë sedrës dhe karakterit. Do të kemi përballë kundërshtarë shumë të fortë fizikisht, të rrezikshëm në episodet e goditjeve standarte. Për këtë, duhet të kemi kujdes!

Ndërsa ne, kohët e fundit, jemi kthyer të luajmë bindshëm. U kthyem në formë në momentin më delikat të sezonit, ndaj jemi të bindur se mund të luajmë mirë dhe ta fitojmë ndeshjen." Gjendja e skuadrës është përmirësuar, në krahasim me një muaj e gjysmë më parë, kur Milani u skualifikua nga 1/8-at e finaleve të Champions-it, për momentin, e vetmja keqardhje e sezonit. "Sigurisht që ndiejmë keqardhje, sepse kur u ndeshëm me Arsenalin, nuk ishim në formë", - pranoi Ançeloti. Tani gjërat janë ndryshe dhe për këtë motiv Ançeloti nuk ka dyshime mbi formacionin e derbit: "Do të luajë e njëjta skuadër e së dielës që shkoi në Livorno." Milani kërkon t'ia shtyjë festën Interit, siç konfirmon edhe vetë Kaka. "Nuk do të jemi ne që do t'ia heqim titullin Interit, por duam t'ua shtyjmë festënatyre dhe do të përpiqemi, me çdo kusht, ta bëjmë një gjë të tillë. Kjo, para së gjithash, edhe pse na duhen tri pikë për Champions-in. Jemi mirë dhe mund të fitojmë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, ne dyam të fitojmë, edhe pse kjo sfidë ka një shije të veçantë. Dhe unë shpresoj të shënoj."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›