E Diel, 1 Nëntor 2026

Kampionati,vazhdon duelimes Dinamos dhe Partizanit

 

Nuk ndryshon asgjë këtë javë.Ekipet e kreut fitojnë, ndërsa të fundit humbasin, hapet vendi i tretë

Dinamo dhe Partizani kanë fituar, duke lënë sërish të hapur luftën për titull. Në fakt, të kuqtë kanë shpresuar shumë në ndonjë hap fals të Dinamos, teksa kanë kaluar shpejt në avantazh me Besën kur Tirana shënon në portën dinamovite në pjesën e dytë, por gëzimi është ndëprerë kur blutë kanë përmbysur gjithçka. Pra "skenari" edhe kësaj jave nuk ka ndryshuar, vetëm me një ndryshim të vogël, me humbjen e Besës, vendi i tretë rihapet.

Dinamo dhe Partizani, dueli vijon

Siç duket, dueli mes Dinamos dhe Partizanit do të vijojë deri në javën e fundit të kampionatit. Asnjëra prej skuadrave të kreut nuk gabon dhe për pasojë diferenca prej dy pikësh e bluve karshi të kuqve vazhdon të mbetet edhe tri javë para përfundimit të kampionatit. Tifozët e Partizanit në fakt kanë shpresuar shumë kur Dinamo ka pësuar gol nga Tirana, por pastaj gjithçka është shuar dhe blutë kanë përmbysur rezultatin dhe tani presin me qetësi Besën, një tjetër ekip i fortë, por edhe të kuqtë nuk do ta kenë shumë të lehtë me Vllazninë, e cila nuk dihet si mund të ndahet në mesjavë në finalen e kupës.

Elbasani shpreson për vendin e tretë

Pasi ka bërë detyrën ndaj Besëlidhjes, duke parë edhe humbjen e Besës në Kavajë me Partizanit, Elbasani e sheh veten pretendent real për vendin e tretë sërish. Diferenca është vetëm tri pikë, por kur kujtojmë që Besa kësaj jave do të ndeshet me Dinamon kryesuese në Tiranë dhe verdheblutë në një fushë asnjanëse me Kastriotin, kjo bëhet më e besueshme. Pra, kalendari është në favor të Elbasanit në tri javët e fundit, që mjafton një humbje dhe rikthehen në lojë për vendin e tretë. Në fakt, edhe Tirana ka shpresa, por kjo të duket më mirë pas finales së kupës, sepse shumë gjëra varen nga ajo ndeshje, ashtu edhe për Vllazninë.

Flamurtari qetësohet, ngjitet Shkumbini

Asnjë tolerim i Flamurtarit dhe i Shkumbinit. Të dy ekipet, ashtu siç kishin deklaruar, kanë fituar ndeshjet respektive, duke respektuar kampionatin, por edhe duke përmbushur objektivat e tyre. Kështu vlonjatët, pas kësaj fitoreje, qetësohen përfundimisht dhe nuk kanë asnjë rrezik as për "play out". Ndërsa Shkumbini për të tretën javë radhazi tregoi se fjala "kompromis" është e huaj për të, duke u ngjitur në klasifikim dhe duke parë nga vendi i gjashtë në renditje, objektivi final i peqinasve në këtë fundsezoni.

Mbijetesa, Besëlidhja më pak shanse

Dje të tri ekipet që luftojnë për mbijetesë, Teuta, Kastrioti dhe Besëlidhja, kanë humbur, duke lënë gjithçka ashtu siç ishte një javë më parë. Durrsakët dhe lezhjanët nuk kanë pasur asnjë shans përkatësisht në Peqin dhe Elbasan, sepse që në pjesën e parë janë thyer. Ndërsa krutanët kanë shpresuar deri në fund për ndonjë pikë në Vlorë, por nuk ia kanë dalë mbanë. Në këto kushte, Besëlidhja vazhdon të mbetet më e rrezikuara, sepse është tri pikë pas Teutës. Gjithsesi, në tri javët e fundit mund të kemi ndonjë surprizë edhe për sa i përket luftës për mbijetesë.

Apolonia-Lushnja, ruhet diferenca

Në kategorinë e parë kanë mbetur akoma enigma për t'u zgjidhur për sa u përket skuadrave që do të ngjiten në superiore. Dihet që Bylisi e ka prerë biletën për të qenë vitin e shkuar mes më të mirave, ndërkohë që myzeqarët e Lushnjës dhe Apolonisë vazhdojnë të rivalizojnë dhëmb për dhëmb për vendin e dytë, që do t'u jepte të drejtën për të luajtur në superiore. Bylisi ka marrë vetëm një pikë, duke mos e siguruar matematikisht titullin, kurse Apolonia dhe Lushnja kanë fituar në transfertë përkatësisht me Pogradecin dhe Bilisht-Sportin. Diferenca mes dy myzeqareve mbetet akoma 2 pikë e me sa duket rivaliteti i ashpër mes tyre do të vazhdojë deri në javën e fundit të kampionatit. Ndërsa për vendin e katërt në këtë kategori, që do të thotë pjesëmarrje në plejof për në superiore, luftojnë Laçi dhe Burreli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›