Ançeloti: Juve, gjithmonë e rrezikshme
Milan dhe Juventus do të përballen në mbrëmjen e sotme në një duel të vërtetë gladiatorësh. Në fund do të mbijetojë vetëm njëra, ose ndoshta nuk do të ketë edhe një fitues të vërtetë. Përballja në "San Siro" është thirrja e fundit për të vazhduar ndjekjen ndaj Interit, nëse kuqezinjtë humbasin dhe Interi fiton në fushën e Kievos, zikaltrit do të shpalleshin matematikisht kampionë të Italisë. Kjo ndeshje shihet edhe si shansi i fundit për dy trajnerët, të cilët i kanë bërë valixhet gati. Te bardhezinjtë, e ardhmja e Klaudio Ranierit duket e përcaktuar: "E vlerësojmë punën e tij, por nuk kemi dhënë garanci se do të qëndrojë në skuadër", ka thënë presidenti Koboli Xhilji. Në anën tjetër, edhe Karlo Ançeloti, pavarësisht mohimeve, mund të transferohet te londinezët e Çelsit. Gjithsesi, drejtuesi i stolit të Milanit shprehet i gatshëm për sfidën me Juventusin, duke u bërë thirrje të tijve që të mos e nënvlerësojnë kundërshtarin. "Juve po përjeton një periudhë të vështirë, ky mund të jetë një stimul më shumë që të kërkojnë fitoren me Milanin. Ata do të tentojnë të reagojnë, kemi përpara një skuadër të rrezikshme", deklaroi Ançeloti. "Ndërsa ne jemi në një moment të mirë. është mbrëmja ideale për të zhvilluar një ndeshje të madhe. Në skuadër shoh entuziazëm". Trajneri ka punuar te bardhezinjtë nga viti 1999 deri më 2001-shin, duke regjistruar dy vende të dyta në kampionat: "Ishte një eksperiencë e bukur profesionale. Klubi dhe lojtarët më kanë qëndruar pranë, por jo pjesa tjetër e ambientit. Kjo ndodhi për shkak të së kaluarës sime si lojtar i Romës dhe Milanit. Luajmë me një ekip, që për arsye të ndryshme e vlerëson si shumë të rëndësishme këtë ndeshje, megjithatë e njëjta gjë vlen edhe për ne. Synojmë ta arrijmë objektivin tonë, duke praktikuar një futboll që të pëlqehet nga tifozët". Në prag të kësaj sfide, kuqezinjtë kanë marrë një lajm të mirë: Xhenaro Gatuzo është rehabilituar dhe do të jetë në stolin e rezervave. Ndërkohë që, presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, dorëzohet me elegancë dhe "braktis" ëndrrën për titullin në Serinë A. "Interi e meriton të shpallet kampion. Ata janë skuadra më e fortë për momentin". Me këto fjalë, numri 1 i kuqezinjtë u vë kapak polemikave ndërmjet administratorit Galiani për favorizimet e zikaltërve, të cilave iu kundërpërgjigj presidenti Masimo Morati, që numëroi penalltitë e akorduara në favor të Milanit. Gjesti i Berluskonit merr edhe më tepër vlera, për faktin se me këtë trofe, Interi ngjitet në kuotën e 17 kampionateve të fituar, aq sa kanë edhe kushërinjtë rivalë. Por, ai mund të mburret se që prej vitit 1986, kur ka marrë drejtimin e klubit, Milani ka fituar pesë herë Champions-in.
Edhe pse një hap fals i Milanit do t‘i dhuronte kampionatin, Hoze Murinjo ka pohuar se në rast fitoreje kundër Kievos, ai do të flejë gjumë, pa pritur të mësojë rezultatin e supersfidës Milan-Juve. "Pas 90 minutave në Verona, puna ime do të ketë përfunduar. Nëse fitojmë do të mendoj se na duhen edhe tri pikë për të fituar titullin", shpjegoi tekniku luzitan. "Nuk e di nëse lojtarët e mi do ta shohin këtë ndeshje, por personalisht jo. Do të shtrihem në krevat për të fjetur dhe rezultatin do ta mësoj të hënën në mëngjes. Të bëj tifo për Juventusin? Absolutisht jo, është një ide e gabuar". Sa për komplimentet e Berluskonit, Murinjo tha: "Mendoj se do të flasë ndryshe, nëse në mbrëmje diferenca ngushtohet në katër pikë. Politikanët janë të aftë për të ndryshuar qëndrimet e tyre. Më pëlqejnë fjalët që qetësojnë gjakrat, por ndonjëherë nuk mund të kesh shumë besim të ‘flamuri i bardhë‘".