Baton "pole" në Montmelo: Një surprizë edhe për mua
Xhenson Baton do të niset nga "pole position" në Çmimin e Madh të Spanjës. Anglezi i BraunGP ka regjistruar kohën më të mirë në cirkuitin e Montmelos, me kohën 1‘20"527, duke ia rrëmbyer vendin e parë gjermanit të Red Bullit, Sebastian Fetel, vetëm në sekondat e fundit të provave zyrtare. Në vendin e tretë u klasifikua Rubens Barrikelo me makinën tjetër BraunGP, i cili ndiqet nga Felipe Masa me Ferrari. Më tej, në vendet e para, mes emrave të mëdhenj figurojnë vetëm Alonso (i teti), Rosberg (i nënti) dhe Kubika (i dhjeti). Luis Hemilton, kampioni i botës në fuqi, do ta nisë garën nga vendi i 14-të, ndërsa Kimi Raikonen u klasifikua i 16-i. Finlandezi i Ferrarit është penalizuar nga një gabim në strategji: ai zhvilloi vetëm pesë xhiro, e koha e tij u cilësua e mjaftueshme për t‘u kualifikuar në raundin e dytë të kualifikueseve. Por, ndodhi e kundërta. Një gabim i përsëritur, pas garës në Malajzi, ku "viktimë" ishte Felipe Masa. Në fund të provave, Baton, që edhe në garën e pestë të këtij Botërori do të niset i pari, deklaroi: "Mund të kisha gabuar, por gjithçka shkoi mirë. Arrita të klasifikohesha i pari me pak fat. Mund të them se kjo ishte xhiroja më e bukur e kësaj fundjave dhe më shërbeu që të qëndroja përpara Fetel e Barrikelos, të cilët ishin kundërshtarë mjaft të vështirë. Gjithsesi, më duhet të pranoj se edhe vetë u habita me këtë vend të parë".